SHBA suspendon bisedimet me Rusinë për Sirinë

Shtetet e Bashkuara thonë se kanë suspenduar bisedimet me Rusinë për dhënien fund të dhunës në Siri.

Përmes një deklarate për media më 3 tetor, zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby ka akuzuar Rusinë dhe Sirinë se kanë intensifikuar sulmet në zonat e banuara me civilë.

“Rusia dhe regjimi sirian kanë zgjedhur të ndjekin kursin ushtarak, që është në kundërshtim me ndërprerjen e armiqësive. Kjo gjë dëshmohet nga intensifikimi i sulmeve në zonat e civilëve, duke pasur për cak infrastrukturë kritike siç janë spitalet, dhe parandalimin e arritjes së ndihmave për civilët në nevojë”, ka thënë Kirby.

“Ky vendim nuk ishte i lehtë për tu marrë”, ka thënë tutje ai.

Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Elizabeth Trudaeu, ka thënë se pavarësisht suspendimit të bisedimeve, komandantët e ushtrisë së SHBA-së dhe Rusisë janë në kontakt me qëllim që të shmangen incidentet apo edhe ndonjë konflikt të mundshëm në mes të dyja shteteve në zonën ajrore të Sirisë.

Siç njofton Rel, si pjesë e këtij vendimi për suspendim për bisedimet, SHBA ka thënë se do të tërheq personelin që e kishte dërguar për krijimin e mundshëm të një qendre të përbashkët SHBA-Rusi. Kjo qendër ishte paraparë që të koordinonte bashkëpunimin ushtarak dhe të inteligjencës, nëse marrëveshja e armëpushimit do të respektohej.

Artikulli paraprakTurqi, shkarkohen nga detyra 12.801 të punësuar në Drejtorinë e policisë
Artikulli vijuesSHBA pezullon kontaktet bilaterale me Rusinë për Sirinë