Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka nisur vizitën zyrtare në Shqipëri, ku u prit në takim nga Kryeministri Edi Rama.
Në përfundim të takimit mes dy delegacioneve, u mbajt një konferencë e përbashkët për shtyp.
Në fjalën e mbajtur gjatë konferencës Kryeministri Rama tha se vizita e sekretarit Stoltenberg, është e treta në Shqipëri e një sekretari të aleancës që nga koha që vendi ynë u bë pjesë.
Ai tha se sa herë të jetë rasti nuk do mungojnë fjalët e mirënjohjes ndaj NATO që i hapi dyert Shqipërisë për tu bërë pjesë dhe për tu përfshirë në vendimmarrjen.
Kreu i qeverisë tha më tej se vala e re e terrorizmit është shqetësim i përbashkët për sigurinë dhe stabilitetin në Evropë, ndërsa nënvizoi se çështja e hapur e Ukrainës, në vijim të zgjerimit të aleancës, si dhe misionet ushtarake, ishin ndër temat kryesore të diskutimit.
“Ndajmë shqetësimin me gjithë vendet e aleancë për terrorizmin dhe rrezikun që vjen nga DAESH. Të gjitha vendet aleate ndihen njëlloj të kërcënuara dhe tregojnë vullnet për të përballuar me sukses këtë betejë dhe për ta fituar atë që Papa Françesku e quan luftë të tretë botërore”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se Shqipëria ndihet mirë që sot përfaqëson në aleancë modelin e një vendi ku bashkëjetesa fetare apo atë që Papa e quajti vëllazëria fetare, është jo vetëm e mundur por baza solide e një paqe dhe harmonie mes njerëzve dhe besimeve të ndryshme.
Rama shprehu besimin se qasja për të luftuar jo vetëm shfaqjen e kësaj të keqeje, por edhe shkaqet më të thella të saj, është qasja e duhur për të zhvilluar në këtë rrugë një proces nga kuota jonë e lirë demokratike synon.
Kreu i qeverisë informoi se i shprehu sekretarit të NATO-s edhe mirënjohjen e Shqipërisë për faktin që mori vendim historik për të ftuar Malin e Zi, duke thënë se zgjerimi i mëtejshëm është në shërbim të lirisë, paqes dhe demokracisë.
Në këtë drejtim nënvizoi faktin se po aq sa mbështetet anëtarësimi i Malit të ZI, po aq mbështetës janë edhe për anëtarësimin e vendeve të tjera.
“Shqipëria shpreson që vendet aleate do të sqarojnë në kohën më të shpejtë, mundësinë e afrimit dhe socializmit më të shpejtë të NATO-s me Kosovën. Sa më shumë të shtrihet aleanca aq më të sigurt jemi të gjithë. E sigurova sekretarin e përgjithshëm se Shqipëria jo vetëm është përfshirë plotësisht në zbatimin e angazhimeve, por do jetë pjesë e çdo përpjekje të NATO-s për ruajtjen dhe vendosjen e paqes”, tha ai.
Rama bëri me dije se qeveria shqiptare e ka frenuar trendin në rënie të buxhetit të mbrojtjes, madje ka garantuar një rritje të tij për vitin 2016, si dhe ka planifikuar një buxhet për modernizimin e mbrojtjes.