Rruga magjistrale Kaçanik – Hani i Elezit është vështirësuar për qarkullim automjetesh, shkaku i punimeve rrugore.
Në vendin e quajtur “Ura e Koshanit” afër Kaçanikut shoferët duhet të presin më shumë se 15 minuta shkaku i punimeve në rrugë, ndaj në këtë vend në një gjatësi prej më shumë se 500 metrash qarkullimi i automjeteve po zhvillohet nëpërmjet një rruge të ngushtë(dytësore) dhe të papërshtatshme për qarkullim.
Pos kësaj në vendin e quajtur Kulla me çezme një kompani për mirëmbajtje rrugësh, kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës është duke i kryer disa punime për heqjen e një guri nga rruga afër një muri mbrojtës, i cili vazhdimisht e kishte penguar komunikacionin.
Si pasojë e kësaj në këtë lokacion, gjatë punimeve ka pasur edhe rrëshqitje dheu.
Drejtuesit e automjeteve janë ankuar se në rrugën magjistrale Kaçanik – Hani i Elezit, qarkullimi është vështirësuar si pasojë e rrëshqitjes së dheut dhe në një pjesë tjetër për shkak të punimeve në rrugë, shkruan sot Koha Ditore.