Në vazhdim të komentit të mëparshëm rreth ajetit të pestë të sures Xhumu’ah, mendoj se ka të paktën tri arsye për të mos u ndjerë të pezmatuar, megjithë ngushtimin shpirtëror të shkaktuar nga hadithet që kanë përshkruar kohë si kjo jona.
E para, situatat që po jetojmë janë parashikuar nga Profeti. Profecitë e përmbushura janë ngushëlluese dhe shërbejnë si argumente që përforcojnë besimin te vërtetësia e Islamit. Me besueshmërinë dhe sinqeritetin që karakterizon Profetët, i Dërguari nuk ka ngurruar të identifikojë dhe tregojë plagët kryesore nga të cilat vuajnë sot muslimanët: korruptimin e bartësve të dijes, mungesën e dijes rreth Kuranit nga ana e besimtarëve në përgjithësi, si dhe keqpërfaqësimin e Islamit që vjen si pasojë e këtij degradimi.
E dyta, mjaft aspekte që perceptohen si problematike në Islam nuk janë të tilla në të vërtetë. Ndonëse ato paraqiten si pjesë e qenësishme e fesë, apo rrjedhoja të drejtpërdrejta të parimeve të saj, hulumtimi objektiv ka treguar se ato janë rezultat i intepretimeve të papërshtatshme ose të mangëta nga dijetarët e kohës. Thellimi në librat e dijetarëve të hershëm zbulon ato elemente që i vendosin në kontekstin e duhur dhe i japin kuptimin e drejtë këtyre aspekteve në dukje problematike.
Arsyeja e tretë për të shpresuar është hadithi i Profetit për grupin nga bashkësia e muslimanëve që do vazhdojë të qëndrojë me të vërtetën deri sa të ketë muslimanë në këtë botë. Në hadithin e transmetuar nga Buhariu dhe Muslimi, Profeti ka thënë: “Një grup nga populli im do nuk do ndalojë së qenuri dukshëm me të vërtetën. Ata nuk do të dëmtohen prej atyre që do t’i lënë në baltë, dhe do vazhdojnë në të njëjtën gjendje derisa të vijë urdhri i Allahut.”
Fjala “urdhër” në hadith nënkupton erën që do të marrë shpirtin e ҫdo besimtari dhe besimtareje të mbetur përpara se të bëhet kijameti, ҫka do të thotë se deri në momentin më të fundit të jetës në këtë botë do të ekzistojnë besimtarë muslimanë që janë në rrugë të drejtë. Duke komentuar hadithin, Ibën Haxhar el-‘Askalani është shprehur: “Nuk është e thënë që të gjithë këta besimtarë të gjinden në një vend; ata mund të jenë të grumbulluar në një qytet, ose të jenë të shpërndarë nëpër botë. Është e mundur që një grup i tillë të ekzistojë, pastaj të pushojë së ekzistuari duke u zëvendësuar me një grup tjetër. Kjo do të vazhdojë deri afër Ditës së Fundit, kur të gjitha grupimet do të shuhen me përjashtim të një grupi që do të gjindet në një qytet. Ky grup do të ikë nga kjo botë me erën që Allahu do ta sjellë për të marrë shpirtrat e tyre.”
Shoqërimi me këtë grup besimtarësh i mundëson ҫdo muslimani kuptimin dhe zbatimin e vërtetë të Islamit, larg shtrembërimeve dhe devijimeve. Duke qenë se besimtarë të këtillë ka në tokë edhe në këtë moment, secilit i del si detyrë t’i kërkojë dhe gjejë ata. Në pamundësi të shoqërimit me ta fizikisht, sekush t’i ndjekë të paktën virtualisht. Nëse edhe kjo nuk është e mundur, Allahu do ta stolisë atë që i ka kërkuar me cilësitë e tyre, në raport me sinqeritetin dhe aspiratën e zemrës për të qenë në shoqërinë e këtij grupi.
Përgatiti: Gerdi Demneri