Shkencëtarët nuk janë perëndi

Nga Simon Jenkis, Journal of scientific studies

 

Nuk jam mbipeshë ose nuk po vdes nga kanceri. As nuk jam i fiksuar pas shëndetit. Por s’kalon asnjë ditë pa dëgjuar lajme për shpëtim ose shkatërrim të shpejtë nga ndonjë degë e shkencës. Në qoftë se autoritetet e shkencës së madhe kanë ruajtur një aureolë objektivizmi të lartë ndërsa kërkonin vëmendjen dhe paratë tona, tani ato shfaqen gjithandej duke u grindur si minjtë në kafaz. Le të marrim mbipeshën (obezitetin). Unë jam i tronditur nga sherri në BBC muajin e kaluar mes dietistit Aseem Malhotra dhe mbretëreshës qeveritare të mbipeshës, Susan Jebb, rreth faktit nëse dhjami e shëndosh apo jo njeriun. Ndërsa ata vërtitën akuza mashtrimi dhe korrupsioni kundër njëri-tjetrit, një gjë doli qartë: Gjithçka që na është thënë më herët për këtë çështje nuk kishte më asnjë lidhje. Në fund më mbeti përshtypja e keqe që termi “shkencë” duhej lexuar “para”. Një javë më pas, një program televiziv më këshilloi të mos haja “mëngjes të shëndetshëm” dhe në vend të tij të vazhdoja me proshutë dhe vezë. Zhyta kokën në jastëk. Kur shkoj te mjeku shpresoj të përfitoj nga të mirat e një mendjeje shkencore, e trajnuar të grumbullojë dëshmi dhe të arrijë në konkluzione kuruese. Unë kam nevojë ta besoj këtë, përndryshe do të besoj Noel Edmonds-in – që tha se qëndrimet negative shkaktojnë kancerin – ose Google-in. Prej vitesh kam lexuar pretendime se përdorimi i shpeshtë i antibiotikëve krijon rezistencë dhe dobëson efektin e tyre dhe disa sëmundje i bën të pakurueshme. Dy vjet më parë, shefja e shërbimit mjekësor në Britani, Sally Davies, ishte aq e shqetësuar saqë deklaroi, me autoritetin e zyrës së saj, se “kërcënimi i njerëzimit nga infeksionet që u rezistojnë ilaçeve është më i madh sesa ndryshimet klimaterike.” Pastaj ajo deklaroi se jo vetëm qendrat shëndetësore, por gjithë zinxhiri ushqimor ishte i përmbytur nga antibiotikët. Rezultati do të ishte një masakër mjekësore. Shkenca fliste, por nuk dëgjonte kush. Pastaj qeveria tha se do t’u paguante mjekëve të familjes mijëra sterlina në vit, nëse pakësonin recetat vetëm 1 për qind. Rezultati ishte i menjëhershëm. Numri i recetave u ul me 7 për qind dhe qeveria tani kërkon dhe 20 për qind ulje. Sa janë të bazuara në shkencë këto shifra? Ndoshta nuk duhet të pyesim mjekun tonë, se sa e paguan qeveria që të sugjerojë një kurë të caktuar.

Sërish këtë javë qeveria më tha të heq qafe makinën time me benzinë që kam blerë para ca vitesh, edhe kjo bazuar në këshillim shkencor qeveritar. Mund të marr sërish një makinë me naftë. Bëhet fjalë për goxha para. Cili shkencëtar urdhëroi kalimin te makinat me benzinë e cili urdhëroi rikthimin te makinat me naftë? Çfarë po ndodh?

Shkenca gjithmonë i ka shitur mallrat e saj si të pastra, sipër ujërave të pista të politikës dhe tregtisë. Një instrument qeveritar i shkathët, kur gjendet ngushtë, aktivizohet t’i zhvendosë vendimet e diskutueshme nga përgjegjësia personale te “shkenca”. Nëse bëhet fjalë për prodhimet OMGJ, shqetësimet tuberkulare, përmbytjet ose shpimet për naftë, na thuhet: “dëgjoni shkencën”. Shkenca është Zoti.

Jam ende i befasuar për 6 miliardë sterlinat e harxhuara për studiuesit e veterinarisë gjatë epidemisë së gjedhëve më 2001 – para publike të harxhuara jo për sigurinë publike, por për të shpëtuar fitimet e industrisë së mishit të lopës. Dhe nuk kam dëgjuar për ndonjë hetim në lidhje me “epidemitë false” që përhapen në mënyrë periodike për sëmundjen e sarsit, gripin e zogjve dhe gripin e derrit, të cilat, sipas akuzave të Këshillit të Europës 2010, ishin përhapur me qëllim paniku nga “në ndikimin e industrisë farmaceutike.”

Më 2003, 2005 dhe 2009, shkencëtarët e Whitehall (e qeverisë) parashikuan 50 000 deri në 750 000 vdekje, gjë që i trembi ministrat dhe i shtyu të shpenzonin 500 milionë sterlina për vaksinën tamiflu të Roche-s (kompani ilaçesh), rezultatet e provave klinike të së cilës nuk u publikuan kurrë.

Shkenca ka një fuqi unike në mendjen publike. Në parim kjo është e drejtë. Shkenca ofron shpresë që progresi i botës mund të dekontaminohet nga mitet dhe interesi personal. Edhe aty ku faktet janë lumë – në lidhje me ngrohjen globale, energjinë e erës, vitaminat, rrezatimi, dhjami, karbohidratet – na duhet të kalojmë një rrugë mbushur me barërat e këqija të paragjykimeve në tokat me diell të objektivitetit.

Por kush duhet ta mbrojë këtë objektivitet? Java e kaluar ishte hapja e sezonit vjetor për “kurën e mrekullueshme të kancerit”. Kjo ndodh çdo vit me takimin në Çikago të Shoqërisë Amerikane për Onkologjinë Klinike, një panair botëror për ekspertët e kancerit që të kërkojnë para nga industria farmaceutike dhe qeveritë.

Çdo vit shfaqen çuna të rinj në lagje. Vitin e kaluar imunologjistët u hakmorën ndaj kimioterapistëve arrogantë. Këtë vit ishte radha e gjenetistëve dhe “trajtimit preciz” të tyre. Gjithçka prezantohet si “shpikje e mahnitshme” dhe “kurë e jashtëzakonshme”. Por njerëzit e thjeshtë i marrin këto lajme. Ne dimë vetë se atyre që vuajnë u rriten shpresat, pastaj zhgënjehen. Dhe gjithmonë klinika e dikujt fiton një kontratë për kërkime shkencore.

Roli i shkencëtarëve në vendosjen e mrekullive të Tokës në shërbimin tonë nuk mund të vihet në dyshim. Është një formë unike e sipërmarrjes njerëzore. Por unë habitem për statusin e ulët që iu jepet arritjeve nga kërkimet ekonomike ose sociale.

A i vlerëson dikush shumat marramendëse që jepen për politikat financiare, ose shpenzimet dhe përfitimet nga politikat kundër krimit? Kanceri fluturon triumfues, ndërsa shkencat “e ulëta” rropaten për para në moçalishten e debateve politike.

Kur shkencëtarët debatojnë në publik kjo na shqetëson. S’duhet. Njerëzit inteligjentë luftojnë të zgjidhin probleme reale me debat të hapur. Më mirë që ky debat është hapur, e kështu mund të sfidohen konventat dhe interesat e dyshimta. Por shkencëtarët do ndihmonin nëse heqin dorë nga prezantimi si perëndi.

Shkencëtari i lartë britanik, Venki Ramakrishnan, president i Royal Society, duhet të disiplinojë sherret e anëtarëve të saj, në vend që të kërkojë akoma më shumë para e status. Në vitet 60, rusët bënë të njëjtën gjë dhe kjo nuk i çoi gjëkundi.

Ramakrishnan pretendon që Britania është vendi më i suksesshëm në aktivitetin shkencor, megjithatë ankohet që qeveria nuk nxit shumë fëmijë në këtë fushë ose nuk i trajton shkencëtarët me shumë respekt.

Një përgjigje shkencore mund të vërtetojë që qeveria kësaj radhe bën gjënë e duhur.

Artikulli paraprakPartitë në Maqedoni, afër marrëveshjes finale në “Përzhinë”
Artikulli vijuesE vërteta e interpretimit të Kushtetutës mbi martesat “gay”