"Shkencëtari i parë" i planetit, muslimani që jetoi 700 vjet para Newtonit

BBC/

Në fund të fundit, Newtoni është i ati i padiskutueshëm i optikës moderne ose të paktën këtë kemi mësuar në shkollë përmes teksteve të mbushura me eksperimentet e tij me lentet e prizmat, studimet për natyrën e dritës dhe reflektimin e saj, apo shpërbërjen e dritës në shtatë ngjyrat e ylberit. Megjithatë, e vërteta është në këtë rast në ngjyrën gri dhe, sipas disa zbulimeve të fundit, sigurisht që Newtoni në fushën e optikës është i famshëm, por dijen ai e ka bazuar në atë të një gjiganti të shkencës që ka jetuar 700 vjet para tij. Bëhet fjalë për një shkencëtar të madh e të denjë që renditet përkrah Newtonit. Ai ka lindur në vitin 965 në Irakun e sotëm dhe mbante emrin al-Hassan Ibn al-Haytham. Pjesa më e madhe e atyre që jetojnë në Perëndim nuk ia kanë dëgjuar as emrin, por për specialistët e fushës së fizikës ai është një emër i rëndësishëm, që së fundi ka marrë një vlerësim të veçantë mes shkencëtarëve dhe mendimtarëve të mëdhenj arabë. Sipas asaj çka na mëson historiografia zyrtare, sigurisht ajo që merret me shkencën, në periudhën kohore nga fundi i Greqisë së Lashtë deri në Epokën e Rilindjes nuk pati asnjë lloj zhvillimi të veçantë në shkencë apo ndonjë përparim të dukshëm të fushave të saj. Por, fakti që Evropa Perëndimore po përjetonte Epokën e Errësirës nuk do të thotë se një situatë e tillë ishte edhe gjetkë.

Në fakt, periudha mes shekullit të 9-të dhe 13-të përbën për shkencën e vendeve arabe të ashtuquajturën Epoka e Artë. Përparime të mëdha e të dukshme u bënë në shkencën e matematikës, astronomisë, mjekësisë, fizikës, kimisë e filozofisë. 
Mes emrave të shquar të asaj periudhe është edhe ai i Ibn al-Haytham. Ai konsiderohet ati i metodave moderne shkencore.
Ato kanë të bëjnë me mënyrat e reja të vrojtimit të fenomeneve, marrjes së dijes, apo edhe ballafaqimit e krahasimit të së vjetrës me të renë bazuar në mbledhjen e informacioneve më të fundit përmes vëzhgimit dhe matjes, që pasohen nga formulime e testime të hipotezave që dalin si pasojë. Pikërisht këto janë edhe mënyrat që ne përdorim sot, ndërsa merremi me shkencë. Ajo çka kemi mësuar deri më tani është fakti se metoda të tilla shkencore që përdoren edhe në ditët tona, u konceptuan dhe u vendosën në shekullin e 17-të nga Rene Descartes dhe Francis Bacon. Për disa shkencëtarë e studiues të tjerë nuk ka pikë dyshimi se ato, për së pari, u krijuan dhe u formësuan nga vetë Ibn al-Haytham. 
Në fakt, duke u nisur nga premisat e tij, shpesh ai konsiderohet si “shkencëtari i parë në botë”. Ai ishte i pari që na ka dhënë një përshkrim të qartë të mënyrës së të parit. Provoi eksperimentalisht, për shembull, se e ashtuquajtura teori e emetimit (sipas së cilës drita del nga sytë tanë dhe ndriçon objektet që ne shohim) që mendohej si e saktë nga mendimtarë të shquar si Platoni, Euklidi dhe Ptolemeu, ishte një teori e gabuar dhe se ajo e sakta do të ishte që ne shohim për shkak të dritës që hyn nga jashtë në sytë tanë. Kjo është një teori që ka vlerë edhe sot. Ai bëri edhe diçka që shkencëtarët para tij ishin përpjekur ta arrinin, por pa rezultat dhe kjo ishte përdorimi i matematikës për të përshkruar dhe provuar procesin e sipërpërmendur.
Kështu, ai mund të konsiderohet me plotë gojën si shkencëtari i parë i fizikës teorike.
Ai është, ndoshta, më i njohuri për zbulimin e ligjeve të përthyerjes së dritës. Ibn al-Haytham kreu edhe eksperimentet e para për shpërbërjen e dritës në ngjyra të ndryshme dhe u mor me studimin e hijeve, ylberit e eklipseve, si dhe vëzhgoi mënyrën e përthyerjes së rrezeve të diellit në atmosferën tonë. Ai bëri edhe një vlerësim shumë të saktë për dendësinë e atmosferës dhe lartësinë e saj. 
Sipas tij, ajo ishte 100 kilometra.
Sikurse edhe pjesa më e madhe e shkencëtarëve, edhe Ibn al-Haytham kishte nevojë që të përqendrohej, për shumë kohë, në dispozicion dhe izolim, pasi ndryshe nuk mund të punonte me traktatet dhe eksperimentet, përfshirë edhe punën e tij të madhe për optikën. 
Gjatë jetës së tij ai u burgos në Egjipt, pasi dështoi në përpjekjen e zgjidhjes së një problemi për përballimin e shpërthimit të ujërave të lumit Nil në sezonin e prurjeve të mëdha. Kjo detyrë i ishte vënë nga kalifi i Kajros, i cili në përfundim e burgosi për mosmarrjen e rezultateve të duhura. Kur ishte ende në Basra, Ibn al-Haytham u shpreh se e dinte zgjidhjen e problemit të përmbytjes së Nilit, por me të mbërritur në Kajro, ai e kuptoi menjëherë që skema që kishte konceptuar, pa e parë vetë situatën, ishte jo e përshtatshme nga ana praktike. Por në vend që të pranonte gabimin për pakorrektësinë e llogaritjeve para kalifit të egër e gjakatar, ai vendosi që të shtirej si i çmendur për të shmangur dënimin, gjë që nuk funksionoi dhe atë e dënuan me arrest shtëpie, çka në vetvete përbënte edhe rastin e artë për të qenë i qetë dhe i vetëm mes librave e eksperimenteve të tij. Lirimi i tij u bë vetëm pas vdekjes së kalifit. Pas kësaj u kthye në Irak, ku hartoi edhe 100 punime të tjera në lidhje me tema të ndryshme të matematikës e fizikës. 
Punët e këtijshkencëtari janë të shumta dhe së fundi janë zbuluar edhe dorëshkrime të vyera të tij, që duhen studiuar e përpunuar, por që padyshim e bëjnë një nga shkencëtarët e parë dhe më të famshëm të shkencës së fizikës së të gjitha kohërave. Ndër to është edhe një material, të cilin duket se shkencëtari ka zbuluar të ashtuquajturën mekanika qiellore, që merret me shpjegimin e orbitave të planetëve.
Pikërisht përmes kësaj metode dolën në dritë edhe zbulimet e shkencëtarëve të famshëm evropianë, duke filluar që nga Galileo Galilei, Koperniku, Kepleri apo Newtoni. 
Me pak fjalë, fizika aktuale perëndimore i ka një borxh jashtëzakonisht të madh arabit që jetoi 1000 vjet më parë.
Artikulli paraprak10 këshilla për ditën e parë të punës
Artikulli vijuesPsikologu Van der Hoven: shqiptimi i fjalës "ALLAH" mbron nga sëmundjet shpirtërore