Zbulohet telegrami i dorëheqjes së Ismail Qemalit

0
810

Studiuesi Niko Kotherja mundi të gjente ditën e sotme një telegram, i cili bën bën fjalë për dorëheqjen e Qeverisë së Ismail Qemalit, dokument i cili nuk ka qenë i njohur deri më sot.

Gjetja e telegramit nuk ishte e rastësishme, pasi, siç na shpjegoi z. Kotherja, ai kishte pasur dijeni se një dokument i tillë ndodhej në arkivin e tij, por për shkak të vendosjes së tij në një vend tjetër, e kishte bërë të vështirë rigjetjen.
“Tashmë sapo e gjeta telegramin – na bëri të ditur Kotherja – dhe për këtë gjë ndihem tejet i lumtur. Ekspozimin e materialit e kam vendosur për ditë më pas. Mendoj se materiali që disponoj është mjaft i rëndësishëm.”
Kotherja shpjegoi gjithashtu se, ajo çka e bën të rëndësishëm këtë dokument, ka të bëjë me faktin se telegrami është shkruar me dorën e vetë Ismail Qemalit. “Veç kësaj, telegrami që disponoj është telegrami i fundit i dërguar nga kabineti i Ismaili Qemalit”.
Telegrami në fjalë, vijoi më tej Kotherja, njofton dorëheqjen e qeverisë së parë shqiptare në janar të vitit 1914 për t’ia kaluar pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK). “Siç e theksova edhe në fillim, telegrami është shkruar në turqisht nga dora e Ismail Qemalit dhe është i panjohur deri më sot. Fatmirësisht, kemi edhe përkthimin e këtij dokumenti, të fundit, i dalë nga qeveria e Vlorës. Telegrami është i fotografuar.”
Studiuesi Niko Kotherja është gjithashtu dhe autori i gjetjes së aktit të Shpalljes së Pavarësisë, por edhe i mjaft dokumenteve me rëndësi historike dhe kombëtare dhe i shumë fotografive, që deri më sot kishin mbetur të panjohura.(Shekulli)/kohaislame