Myftinia Shkodër dhe Fondacioni “Mirësia”, organizuan ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së re në fshatin Mjedë.
Xhami e re e Mjedës u realizua falë bashkëpunimit me Fondacionin “Mercy International” dhe sponsorizimit të znj. Fatima Salimin nga Kuvajti.
Shiritin e inaugurimit e preu vetë donatorja së bashku me familjarët e saj, duke dhuruar emocione të bukura dhe kënaqësi për të pranishmit.
Në ceremoninë morën pjesë edhe drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, nën drejtimin e nënkryetarit H. Bujar Spahiu, familjarët e donatores nga Kuvajti, përfaqësues të Ambasadës së Kuvajtit në vendin tonë, drejtues të fondacioneve dhe shoqatave të ndryshme bamirëse islame, Myftiu i Malësisë së Madhe, si dhe besimtarë të shumtë të zonës.
Ceremoninë e përshëndeti edhe nënkryetari i KMSh-së, H. Bujar Spahiu, i cili mes të tjerash theksoi se, kjo xhami e re në fshatin Mjedë është një derë e re drejt adhurimit të Zotit, si dhe një vatër e edukimit me vlerat e larta të Islamit. Ai falënderoi donatoren dhe tha se ky veprim i saj dëshmon në vetvete madhështinë e Islamit, që i bën myslimanët anembanë botës vëllezër besimi.
Në fjalën e tij të rastit, Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari pasi falënderoi znj. Fatima Salimin, e pranishme në xhami, si dhe z. Korab Kaja, për bashkëpunimin e frytshëm me Fondacionin “Mirësia”, u shpreh se xhamia e re e Mjedës është një shenjë nga Zoti i gjithësisë, që dëshmon nëpërmjet shtëpisë së Tij, dashurinë dhe mëshirën e madhe për banorët e kësaj zone.
Myftiu shtoi më tej se përtej trysnisë së të shkuarës ateiste, afetarizmit dhe islamofobisë të së sotmes, Islami lulëzon edhe nëpërmjet afrimit të rinisë dhe brezit të ri me fenë dhe mësimet e saj.
Ndërsa z. Korab Kaja, drejtor i Fondacionit “Mirësia”, pasi uroi të pranishmit për këtë mirësi të madhe, u lut që kjo xhami të jetë një simbol i rimëkëmbjes së vlerave të Islamit në këtë zonë. Ai falënderoi donatorin e këtij vakëfi, të ndjerin Ragip Rrema dhe dhuruesen e fondit për ndërtimin e xhamisë, e cila e ndërtoi këtë xhami për shpirtin e të shoqit Abdurrahim Es-Suvejdi.
Në emër të Fondacionit “Mercy International”, përshëndeti përfaqësuesi i saj, z. Omar el-Kenderi, që vlerësoi kontributin e Shtetit të Kuvajtit dhe fondacioneve të ndryshme për zbatimin e projekteve bamirëse në Shqipëri. Ai e cilësoi popullin shqiptar si bujar, mikpritës dhe bashkëpunues në rrugën e veprave të dobishme komunitare.
Ceremonia u pasua nga falja e namazit të xhumasë së parë, pas hytbes së mbajtur nga H. Bujar Spahiu. /dritaislame/