Paralelisht me përfundimin e vitit shkollor, kanë filluar përgatitjet për vitin e ri shkollor.
Hapi i parë është regjistrimi i nxënësve në klasën e parë.
Por, në disa shkolla në kryeqytet ka probleme me numrin e madh të nxënësve në njërën anë dhe hapësirën e vogël në anën tjetër.
Interesimi i madh i prindërve për t’i regjistruar fëmijët e tyre në klasën e parë në shkollën fillore “Elena Gjika” dhe “Ismail Qemali” në kryeqytet, mund ta bëjë të parespektueshëm nga shkollat, udhëzimin administrativ që përcakton numrin maksimal të nxënësve nga 35 në një klasë.
Shkolla “Elena Gjika”, këtë vit për klasat e para ka gjithsej 5 mësimdhënëse, ndërsa deri më tani janë regjistruar rreth 120 fëmijë kurse ajo “Ismail Qemali”, ka 8 mësimdhënës të klasave të para, me rreth 290 fëmijë të regjistruar vetëm në dhjetë ditë.
Drejtues të këtyre shkollave thonë se për të zbatuar ligjin, duhet të formohet edhe një paralele. Por edhe nëse këtë e lejon komuna, atëherë kanë problem me hapësirat në shkollë.
“Është e vërtetë që është numër i madh, dhe në numrin e madh mungon cilësia dhe ne bëjmë përpjekje që asnjë nxënës të mos e lëmë jashtë bankave shkollore, sepse shkolla është obligative”, ka thënë për televizionin publik, Osman Vitia, drejtor në Sh.F. “Elena Gjika”.
“Nuk besoj që 8 mësuese kanë mundësi me i mbulu gjithë këtë interesim të fëmijëve dhe gjithë ky regjistrim që po bëhet i fëmijëve, duhet patjetër me formu edhe një klasë por problemi është se hapësirën nuk ka”, ka thënë Drita Cenaj, drejtoreshë në Sh.F. “Ismail Qemali”.
Në anën tjetër, në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Prishtinë, thonë se kjo çështje do të jetë sfiduese edhe këtë vit shkollor.
“Janë disa shkolla që kanë numër të madh të nxënësve, sfida është në këto klasë sepse formula e financimit e parasheh që numri i mësimdhënësve duhet të jetë në proporcion me numrin e nxënësve dhe metrat katrore shkollore. Dhe nëse e shohim në total numri mesatar i nxënësve në një paralele në komunën e Prishtinës është 24 nxënës. Pra financimi bëhet nga totali. Por ne kemi në zonat rurale klasë p.sh me 10 nxënës besa me 4 nxënës, derisa kemi në qendër që në një klasë është numri 40 nxënës”, ka thënë Arbërie Nagavci, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.
Procesi për regjistrimin e fëmijëve për në klasën e parë ka filluar më 20 maj dhe do të jetë i hapur deri më 10 qershor./rtk