Shkon PSG

Paris Saint-Germaini e ka bërë të pamundurën duke u kualifikuar në çerekfinale të Ligës së Kampionëve në dëm të Chelseat, pas rezultatit prej 2-2 në ndeshjen kthyese të të tetës së finales që u zhvillua në Stamford Bridge.
Përballja e parë e zhvilluar në Parc de Princes përfundoi me rezultat 1-1 dhe pas ndeshjes kthyese, kampioni francez vazhdon tutje me rezultat të përgjithshëm prej 3-3, por falë një goli më shumë në terren mysafir.
 
Kampioni francez e filloi më mirë takimin me dy aksione të rrezikshme që nuk dhanë rezultat. Mysafirët bënë paraqitje më të mirë në minutat e para duke krijuar aksione dhe duke zhvilluar lojë sulmuese, duke qenë se ata duhej të shënon.
 
Ekipi vendas priste gabimet e kundërshtarit dhe sa herë e merrte topin, prodhonte rrezik.
 
Momenti më i rëndësishëm i fraksionit të parë ishte përjashtimi i Zlatan Ibrahimovic me karton të kuq. Suedezi dhe Oscar u përplasën për top, porse ndërhyrja e Ibras ishte paksa e ashpër, gjithsesi për karton, por ndoshta gjyqtari e gaboi ngjyrën (?!).
 
 
Në gjysmën e dytë nuk kuptohej se cila skuadër kishte më pak lojtarë në fushë, pasi parisienët luanin më mirë se kundërshtari i tyre.
 
Një rast fantastik e pati Edinson Cavani, i cili e kaloi portierin, porse goditja e tij u përplas në shtyllë dhe topi doli jashtë.
 
Një moment rrëmuje në zonë e shfrytëzuan lojtarët vendas, të cilët kaluan në epërsi me anë të Gary Cahill (81’).
 
Mirëpo, reagimi i ekipit francez ishte shumë i shpejtë. Lavezzi harkoi dhe David Luiz i shënoi me kokë ish-skuadrës së tij (86’).
 
 
Rezultati 1-1, e dërgoi ndeshjen në vazhdime. Në pjesën e parë të vazhdimeve, Thiago Silva bëri një gafë duke e prekur pa nevojë topin me dorë në zonë dhe Eden Hazard realizoi nga penaltia (96’).
 
Mirëpo, ishte kapiteni i parisienëve ai që e përmirësoi gabimin e tij dhe për më shumë e dërgoi skuadrën në çerekfinale. Motta harkoi nga këndi dhe braziliani realizoi për mrekulli me kokë (114’). /Telegrafi/
Artikulli paraprakNë Sarajevë kryhet transplantimi i qelizave hematopoetike, në mesin e tyre edhe vëllau musliman nga Kosova
Artikulli vijuesRreth 16 mijë nxënës e studentë në Austri flasin shqip