Shkup, hapet Panairi i ndërtimtarisë dhe patundshmërive

Në panairin për ndërtimtari ofrohen dhe shiten prodhime dhe shërbime për punë, mirëmbajtje, modernizim, rinovim dhe pajisje të objekteve dhe pronave

Në Shkup sot është hapur Panairi i 14-të ndërkombëtar për ndërtimtari, materiale ndërtimore dhe mekanizëm ndërtimor dhe Panairi i 7-të ndërkombëtar për patundshmëri “RealExpo”, raporton Anadolu Agency (AA).

Në panairin për ndërtimtari ofrohen dhe shiten prodhime dhe shërbime për punë, mirëmbajtje, modernizim, renovim dhe pajisje të objekteve dhe pronave.

Në panairin për patundshmëri “RealExpo” marrin pjesë një numër i madh i kompanive të cilat do t’i ekspozojnë ofertat e tyre për objektet banesore. Panairin e hapi ambasadorja e Zvicrës në Shkup, Sibil Zuter Taheda, e cila në fjalimin e saj shprehu kënaqësinë për faktin se në panairin e sivjemë gjendet efikasiteti energjetik.

“Sektori ndërtimor është shumë i rëndësishëm për efikasitetin energjetik dhe efikasitetin për resurset, objektet ndërtimore shpenzojnë pothuajse 40 përqind të energjisë së prodhuar në nivel global dhe 40 përqind të resurseve globale, por njëkohësisht, ato janë një nga prodhuesit më të mëdhenj të emisioneve të gazrave serrë”, u shpreh Taheda.

Nga ana tjetër Aleksandar Dukovski, drejtor i Agjencisë për energjetikë, tha se shfrytëzimi optimal i resurseve dhe energjisë në shtëpi më nuk janë luks dhe privilegj por kusht që duhet të sigurojë një të ardhme më të mirë.

“Nga treguesit energjetik mund të vërejmë se 40 përqind e nevojave energjetike në Maqedoni janë për përmbushjen e nevojave të amvisërive dhe kjo neve na tregon se ka shumë potencial për uljen e konsumit. Për këto arsye, efikasiteti energjetik është lënda e parë djegëse për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë”, tha ai.

Kryetari i Odës Ndërtimore, Robert Hot u shpreh se në panair marrin pjesë shumë kompani nga sektori i ndërtimtarisë, dhe se ky sektor mbetet shtytësi kryesor i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në këtë panair marrin pjesë 100 ekspozues të drejtpërdrejtë si dhe 200 të tjerë në mënyrë indirekte.

Artikulli paraprak“Për tre dekada në botë do të dominojnë robotët”
Artikulli vijuesMali i Zi, paga mesatare neto në janar 511 euro