Shkup, nënshkruhet marrëveshja për katër lokomotiva të reja elektrike

0
278

Ky është projekti i dytë që realizojnë Qeveria e Maqedonisë dhe kompania “Xhuxhou” pas atij të parit për furnizimin e gjashtë trenave të rinj transportues

Sot në Shkup SH.A. Hekurudhat e Maqedonisë Transport – Shkup nënshkruan marrëveshje me kompaninë kineze “CRRC Xhuxhou” për furnizimin e katër lokomotivave elektrike në kuadër të Projektit për ripërtëritje të parkut vozitës të Hekurudhës së Maqedonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Marrëveshjen për furnizim e nënshkruan sot HM Transport dhe përfaqësuesit e kompanisë. Ky është projekti i dytë që realizojnë Qeveria e Maqedonisë dhe kompania “Xhuxhou” pas atij të parit për furnizimin e gjashtë trenave të rinj transportues. Investimi në vlerë prej tetë milionë euro është siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), ndërsa realizohet në kuadër të Projektit për ripërtëritje të parkut vozitës.

Drejtori i përgjithshëm i Hekurudhave të Maqedonisë “Transport” Nikolla Kostov pas nënshkrimit të marrëveshjes theksoi se furnizimi i katër lokomotivave të reja elektrike praktikisht do të thotë ripërtëritje e parkut vozitës pas 40 viteve.

“Për Hekurudhat e Maqedonisë kjo nuk do të thotë vetëm ripërtëritje e parkut vozitës të lokomotivave, por kjo do të thotë edhe afrimin me standardet evropiane dhe botërore. Kjo do të thotë siguri më të madhe në komunikacionin hekurudhor. Për ne do të thotë shpejtësi më të madhe në binarët e Hekurudhave të Maqedonisë, kursim më të madh energjetik dhe mbrojtje të mjedisit njerëzor”, deklaroi Kostov.

Nga ana tjetër kryetari i “CRRC” Xho Shin tha se Maqedonia është zonë e rëndësishme juglindore hekurudhore. Ai theksoi se kompania do të sigurojë resurse dhe ekspertizë. Xho Shin tha se Maqedonia do të fitojë prodhime të sigurta me performansa kulmore dhe dukje të shkëlqyer.

“CRRC” është themeluar në vitin 1936 dhe ka tetë dekada përvojë në prodhimin dhe servisimin e lokomotivave. Prodhon super trena modern për transport hekurudhor.

Në nënshkrimin e marrëveshjes morën pjesë edhe sekretarët shtetërorë në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve dhe të Financave, Bozhidar Petrovski dhe Igor Dimitrov, si dhe ambasadori dhe konsulli i RP të Kinës në Maqedoni.