Shpend Ahmeti i reagon Molliqajt:Me mish e me shpirt kam kontribuar në Lëvizje, s’kam pasur ambicie për tu bërë kryetar i VV-së

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Shpend Ahmeti ka reaguar sot pas deklaratave të një dite më parë të Dardan Molliqajt, i cili në një emision televiziv deklaroi se kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka thënë atij se Shpend Ahmeti ka marrëveshje të shkruar me ambasadat për ta rrëzuar Kurtin.

Ahmeti në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se atij askush nuk ia ka thënë brengat e tilla, ndërsa sipas tij nëse këto deklarata janë të Dardani edhe të vërteta, atëherë është e dhimbshme.

 

Nënkryetari i VV-së, thekson se mish e me shpirt ka kontribuar në realizimin e koncepteve programore e statutore të Lëvizjes, ndërsa deklaratat për ambasadat e ‘marrëveshjet’ as që ia vlen të thotë diçka.

Ky është postimi i plotë i Shpend Ahmetit në Facebook:

“Mbrëmë në Rubikon, Dardan Molliqaj i tha dy gjëra që kanë të bëjnë me mua:

“Albini i paska thënë atij dhe plotë të tjerëve vazhdimisht që nga viti 2011 e së fundmi në 2016 (siç e mora vesh mbrëmë) se unë kam marrëveshje të shkruar me ambasadat për ta rrëzuar Albinin” – rifrazim nga unë.

Në vitin 2015 paska qenë një diskutim i gjatë në mes të Albinit, Dardanit, Visarit dhe të tjerëve për ta bërë Visarin kryetar pas tërheqjes së Albinit, por paska qenë një frikë që mund të kandidohem unë, që sipas diskutimit kuptova se do të ishte gjë e keqe sepse unë pasna qenë ‘I butë’.

Për të parën, dua të them që nuk e di a ka thënë apo jo Albini këtë, por tashmë e dëgjova disa here këto ditë nga njerëz të ndryshëm. Mua, askush në këtë periudhë nuk ma ka thënë e as që e ka shpreh këtë brengë. Në qoftë se vërtetë paskan menduar kështu edhe Albini, Dardani edhe të tjerët, atëherë është e dhimbshme. Me mish e me shpirt kam kontribuar në realizimin e koncepteve programore e statutore të Lëvizjes. E për ambasadat e ‘marrëveshjet’ as që ja vlen të them diçka.

Jam ithtar i diskutimeve të sinqerta dhe besimit të ndërsjellë në një subjekt politik. Prandaj edhe nuk e kuptoj diskutimin e frikës nga kandidimi im për kryetar të Lëvizjes në vitin 2015. As këtë gjë askush nuk e ka diskutuar me mua direkt atë vit. Po të më pyeste dikush në vitin 2015, për dy minuta do i tregoja se nuk kam pas kurrfarë ambicie e as dëshire me u bo kryetar i LVV. Këtë e kam përsëritur disa herë në forumet e Lëvizjes gjatë gjithë kësaj periudhe. Po e them edhe njëherë edhe sot; nuk kam interesim, ambicie e as dëshirë për të kandiduar për kryetar të LVV. As në vitin 2015, as në vitin 2018 e as në vitin 2021 e as më vonë”.

Ndoshta edhe jam “I butë” edhe pse nuk e di saktë se cka duhesh me bo me qenë “i fortë” karshi këtij klasifikimi, por qëndroj prapa kësaj “butësie” si qëndrim e parim. Në qoftë se kjo nuk mjafton është në rregull, sepse edhe diskutimet për atë se kush duhet të udhëheq dhe cfare karakteri duhet të ketë janë normale në një subjekt politik. Qëndrimet e mia “të buta” i kam shpreh hapur në të gjitha forumet e Lëvizjes dhe në publik kam prezantuar dhe përfaqësuar qëndrimet e Lëvizjes pa marr parasysh se a jam pajtuar me to a jo. Nuk jam pishman për asnjërën prej tyre”.

Artikulli paraprakÇfarë duhet të përfshijë Plani i Biznesit?
Artikulli vijuesLiburn Aliu: Molliqaj ka tendencë të përçarjes, Kurti s’ka thënë diçka për Ahmetin