Shpërdoroi 620 mijë euro, lihet i lirë me detyrim paraqitje

Gjykata ka vendosur që Haziz Tafa, pronar I QMI, të paraqitet në Polici, megjith akuzën nga Prokuroria për përfitim të shumave të mëdha nga paraja publike, rreth 623 mijë euro.
 
I njejti person është duke hetuar nga policia e krimeve në Prizren për shpërdorimin e qindra mijra eurove të tjera nga paraja publike, për shkak se ka paraqitur qindra hektarë më shumë vreshta për të përfituar subvencione, nga ato që ekzistonin realisht.
 
Gjykata Themelor në Prishtinë, vendosi masën Detyrim Paraqitje në polici’, për pronarin e QMI Group, Haziz Tafaj, i cili akuzohet nga Prokuroria për përfitimin e shumave të mëdhaja nga paraja publike, në vlerë prej 623 mijë euro.
 
Vendimi është marrë gjatë ditës së sotshme, pasi i akuzuar Haziz Tafa, u arrestua dy ditë më parë .
 
‘ Personi me inicialet A.T, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është arrestuar dhe po i njëjti është mbajtur në ndalim prej 48 orëve. Seanca e parë gjyqësore është mbajtur sot dhe gjykata ka vendosur për paraqitjen në stacionin Policor”, tha Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
 
Policia e Kosovës, i tha RTK-së se Haziz Tafaj u arrestu për shkak të legalizimit të përmbajtjes së rreme.
 
`Pas një pune hetimore, është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti dyshohet se ka falsifikuar dokumente të ndryshme, me qëllim të përfitimit material, duke përfituar shuma të mëdha parash në vlerë 623.000.00 euro. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje’, thanë zyrtarë nga zyra për Informim e Policisë së Kosovës.
 
Rasti u inicua pasi privatizuesi i AgroKosova, Gianfranko Fantinel, pronë e e së cilës janë edhe tokat dhe vreshtat nga ka kaluar autostrada, në komunën e Suharekës, kërkoi informacione nga ministria e Ambientit për pagesën e shpronësimeve.
 
Nga verifikimi i fakteve, doli që Ministria e Ambientit, nuk e ka paguar AgroKosovën për shpronësime, por Qmi-në, e cila nuk ka asnjë lidhje juridike me AgroKosova.
 
Prokuroria e Kosovës, nuk i është përgjigjur pyetjeve nësë është duke u hetuar apo dyshohet se është i implikuar edhe ndonjë zyrtarë nga qeveria e Kosovës, konkretisht ministria e Ambientit dhe ajo e Financave, të cilët kanë pranuar të bëjnë pagesën në kontot e Qmi Group dhe jo në kontot e ndërmarrjes, e cila u shpronësua për shkak të ndërtimit të autostradës.
 
“ Ju kemi dërguar pyetjet tuaja prokurorëve të rastit dhe gjatë ditëve në vijim do të keni përgjigje më konkrete dhe që lidhen me rastin”, tha tutje Ekrem Lutfiu, zëdhënës i Këshillit Prokurorial të Kosovës.
 
Akuza për shpërdorimin e parave publike për shpronësimet, është vetëm njëra prej akuzve të shumtave që rëndojnë mbi pronarin e QMI-së, Haziz Tafaj.
 
Ai është duke u hetuar nga policia e krimeve në Prizren për shpërdorimin e qindra-mijëra eurove të tjera, të cilat i ka përfituar nga buxheti i Kosovës në emër të subvencioneve për zhvillimin e bujqësisë.
 
Qindra hektarë janë të paraqitur si të mbjellura me vreshta dhe për ato është përfituar subvencione, ndërkohë që në terren në këto toka nuk ekziston prej vitesh asnjë hardhi e rrushit.
 
Tokat e mbjellura me hardhi rrushi u shkatërruan veçmas pas vitit 2008, kur Haziz Tafaj, sipas pronarit italian të Agro Kosovës, Gianfranko Fantinel, falsifikoi nënshkrimin e tij dhe ndryshoi statutin e kompanisë.
 
Përmes këtij ndryshimi të paligjshëm, ai arriti të marrë një vendim të Gjykatës Ekonomike, e cila e njihte atë si pronarë të mbi 80 për qind të aksioneve, ndërsa italiani Gianfranko Fantinel u përjashtua nga ndërmarrja, duke u kërcënuar edhe fizikisht.
 
Për 7-8 vite, ai nuk e lejua të hyjë fizikisht në ndërmarrje, megjithëse pagoi gati 4 milionë euro për privatizimin e ndërmarrjes, dhe miliona euro të tjerë investoi për rivitalizimin e saj.
 
Ai u kthye në administrim të AgroKosova, pasi Gjykata Apelit, nuk pranoi ndryshimet e kryera përmes falsifikimit, duke vendosur kthimin në gjendje fillestare, ku Fantinel përfaqëson 70 për qind të aksioneve, ndërsa QMI ka në pronësi vetëm 30 përqind të ndërmarrjes.
 
Vendimi i Gjykatës së Apelit u jetësua përmes përmbarimit, vendim që u kontestua ligjërisht nga QMI në dy nivele të gjykatës, por pa sukses, sepse u vlerësua si i ligjshëm.
 
Që nga ky vendim, në muajt gusht-shtator, Haziz Tafaj, nuk ka reshtur së provuari për të hyrë në mënyrë të dhunshme në ndërmarrje dhe për këto veprime është arrestuar nga Policia e Kosovës.
 
Gianfranko Fantinel, i cili prodhon dhe shet një grup të verërave më të mira italiane,- Fantinel, verëra që shiten në qindra vende të botës, duke përfshirë edhe Kosovën, për shkak të kësaj dhune dhe kërcënimeve të tjera, publikoi një letër të hapur për institucionet e Kosovës, ku kërkoi nga ato që ta marrin në mbrojtje.
 
Sipas letrës, pronari i QMI ka sulmuar mbi 16 herë ndërmarrjen brenda një periudhe tre mujore dhe po përdorë prokurorët lokale të Prizrenit për të shantazhuar atë personalisht dhe përfaqësuesit e kompanisë.
 
Pronari i QMI, Hazis Tafaj ka mohuar qe ka shperdoruar 620 mije euro.
 
“Edhe pse kishte kërkesë që unë të mbahen në paraburgim, kjo nuk u arrit, pasi që nuk u provua asnjë fakt për ato që pretendohej”, ka thënë Tafaj per Indeksonline. Ai ka hedhur poshtë pretendimet që ka përfituar në mënyrë korruptive 623 mijë euro, para publike, siç ka pretenduar Prokuroria.
 
“Asnjë shmangie, e as keqpërdorim të atyre parave nuk e kam bërë. Kjo u dëshmua edhe me lirimin tim. Kjo çka po ndodh me mua është mjerim i drejtësisë në Kosovë. Është më shumë shou që bëhet me njerëzit si unë që t’i realizojnë qëllimet e dikujt tjetër dhe urdhrat që u jepen. Kjo është më shumë hakmarrje ndaj meje”, thotë tutje Tafaj.
 
Fantinel ka sqaruar se gjatë këtyre viteve që nuk është lejuar të hyjë në ndërmarrje, Haziz Tafaj dhe grupi i tij, kanë shkatërruar qindra hektarë me vreshta, makineri bujqësore, e kanë futur ndërmarrjen në borxh reale dhe fiktive, kanë kryer shpëlarje parash etj, etj.
 
Për shkak të këtyre veprimeve, Fantinel, i ka kërkuar prokurorisë zgjerim të hetimeve.
 
`Është zbuluar edhe një vepër tjetër penale të mashtrimit duke realizuar një kredi nga Banka Ekonomik me seli në Prishtinë në vlerë prej 230 mijë eurove. Kjo kredi, është realizuar duke ofruar poashtu dokumente të falsifikuara dhe duke e përdorur identitetin e rrejshëm në emër të “ Agrokosova Holding. Paratë më pas janë transferuar në xhirollogari të QMI-së, që është faktikisht dhe juridikisht xhirollogari e rrejshme”, thuhet në shkresën e dërguar Prokurorisë nga Gianfranko Fantinel.
 
Haziz Tafaj, akuzohet se ka mashtruar ajkën e biznesit dhe industrialistëve italianë, veprime për të cilat është arrestuar edhe më parë.
 
Mashtrimi kryesorë i atribuohet Giuseppe Doimon, një kompani gjigante italiane, Doimon Group, e cila ishte edhe pronarë i QMI. Pas shumë vitesh gjyqe, akuza, kjo kompani ka arritur të rimarrë pronat tek rrethi i Lipjanit, duke e larger Haziz Tafajn nga pronat, megjithëse proceset gjyqësore vazhdojnë ende.
 
Edhe kompania tjetër italiane Gortani , akuzon
Hazis Tafajn se e ka dëmtuar mbi 2 milion Euro dhe ka një proces të hapur gjyqësorë.
 
Ndërsa rasti më I rëndë është më kompanin Beneton, e cila për shkak të mashtrimeve, la prezencë minimale në Kosovë dhe zhvendosi investimet në Serbi. Në këtë vend ka investuar rreth 400 milionë euro.
Artikulli paraprakGjurmët e Islamit paraotoman, Kosova kishte xhami që në vitin 1289
Artikulli vijuesTë premten Kuvendi diskuton për Gjykatën Speciale