Darkë Bajrami e Veselit për krerë fetarë e përfaqësues institucionesh

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, për nder të festës së Bajramit të Madh, ka shtruar sonte darkë.

Aty morën pjesë drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe të bashkësive të tjera fetare në Kosovë, përfaqësues të institucioneve shtetërore, qendrore dhe lokale, të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të dëshmorëve dhe të ftuar të tjerë.

Duke i uruar të pranishmit për festën e Bajramit të madh, kryetari Veseli tha se qëllimi i kësaj darke modeste është përcjellja e mesazhit se Kosova është vend i tolerancës, brenda të cilës bashkëjetojnë në mënyrën më të mirë të gjitha besimet fetare.

“Kjo është Kosova jonë, e cila respekton të gjitha besimet fetare. Populli i Kosovës është krenarë për besimet e tij, duke i respektuar dhe kultivuar ato”, theksoi kryetari i Kuvendit.

Veseli kërkoi nga klerikët e të gjitha besimeve fetare që të vazhdojnë të përçojnë mesazhin e besimit te Zoti, mesazhin e respektit e të dashurisë ndaj njëri-tjetrit, në veçanti ndaj vendit tonë.

“Ne jemi krenarë se asnjëherë nuk kemi lejuar që feja të keqpërdoret për qëllime johumane. Adhurimi për Zotin dhe respekti për njeriun janë të pandashëm. Ne si popull asnjëherë nuk e kemi ndarë fenë nga përkushtimi atdhetar. Sot, kur ne jemi të lirë, kemi obligim që për hir të të gjithë atyre që dhanë jetën dhe sakrifikuan për këtë ditë dhe për hir të gjeneratave pas nesh, të jemi të bashkuar në ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit tonë”, theksoi ai.

Kryetari i Kuvendit më tej theksoi se qytetarët e vendit tonë, kanë nevojë të kenë një jetë më të mirë dhe më të dinjitetshme, në mënyrë që fëmijët e tyre të kenë perspektivë edhe më të mirë në Kosovën e tyre të dashur.

Më pas, fjalën e mori kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava, i cili falënderoi kryetarin Veseli për këtë darkë, duke uruar të gjithë qytetarët për mirëqenie, shëndet e begati.

Artikulli paraprakPër një ditë, Italia ka shpëtuar rreth 4,500 migrantë
Artikulli vijuesNga përplasja e dy autobusëve në Tanzani, 30 të vdekur e 50 të plagosur