Në një vizitë në Qendrën e Forcave Speciale në Gëlbashë (Gölbaşı), në Ankara, presidenti turk ka mbajtur një fjalë, ku ka kritikuar një sërë vendesh që janë vënë në krah të puçistëve. Një kritikë të posaçme në fjalën e tij ka patur për një gjeneral amerikan, Joseph Votel, i cili është në detyrën e komandantit të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara.
Erdogani u ka dhënë përgjigje kritikave nga jashtë për ndalimet e arrestimet pas puçit ushtarak, duke thënë se këto shqetësime janë absurde, e se ndalimet do të vazhdojnë nëse gjenden më tej fajtorë.
“Kush je ti?”, i është drejtuar Erdogani gjeneralit amerikan që kishte shprehur shqetësimin se disa ushtarakë turq me të cilët SHBA-të kanë lidhje janë burgosur për rolin e tyre gjatë puçit.
“Mbaj vendin tënd,” kanë qenë fjalët e kryeshtetarit turk për Joseph Votel-in. “Po merrni anën e puçistëve në vend që ta falënderoni këtë shtet për mposhtjen e përpjekjes për puç.”
“Ata zbulojnë fytyrën e tyre të fshehtë me këto lloj deklaratash. Ata po i mbrojnë në vendin e tyre komplotuesit e puçit. Por populli turk e di se kush është pas kësaj përpjekje të përgjakshme, e se kush janë aktorët kryesorë,” ka vijuar Erdogani. /tesheshi.com/