Shpërthim në veriun e Kosovës

Policia e Kosovës bëri të ditur se një shpërthim ka ndodhur gjatë natës që lamë pas në komunën e Zveçanit në pjesën veriore të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Policia tha se shpërthimi kaloi pa dëme në njerëz, ndërsa la pas vetes dëme materiale në një ndërtesë dhe dy makina. Sipas hetimeve paraprake të policisë, “shpërthimi kishte ndodhur nga aktivizimi i një granate dore, e tipit “M-75” e prodhimit jugosllav”.

Rasti është regjistruar si vepër penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” ndërsa, ende nuk dihet për shkaqet, motivet apo autorët e mundshëm të këtij incidenti.

Mediet serbe thanë se në shënjestër të incidentit ishte shtëpia e Caslav Milisavleviçit, ndaj të cilës edhe më parë kanë ndodhur sulme të ngjashme.

Caslav Milisavleviç, është kryeredaktor i një radioje lokale në Zveçan, ndërsa pas një sulmi që kishte ndodhur në vitin 2010, i biri kishte deklaruar se motiv i sulmit është “angazhimi i tij në institucionet e Kosovës”.

Veriu i Kosovës i banuar me shumicë serbe vazhdon të jetë jashtë kontrollit të institucioneve të Prishtinës.

Artikulli paraprakRoli i Kosovës në krijimin e shtetit shqiptar
Artikulli vijuesBeograd: Dy vjet burg për shtetasin e Kosovës