Liberalizimi i vizave, jashtë prioritetit qeveritar

Nëse Qeveria e Kosovës nuk e rrit dinamikën e plotësimit të kritereve të paraqitura nga Bashkimi Evropian, procesi i liberalizimit të vizave do të zgjatet edhe më shumë.

Kështu u vlerësua të shtunën në analizën me temën “Një matricë vlerësimi mbi të arriturat dhe sfidat e Kosovës në përmbushjen e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave”, të cilën e publikoi të shtunën Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

Siç u tha në një konferencë për medie të kësaj organizate, kjo matricë është rezultat i një monitorimi disamujor të performancës së institucioneve të Kosovës në përmbushjen e detyrimeve nga udhërrëfyesi.

Fisnik Korenica nga ky grup, bëri të ditur se analiza ka treguar se procesi i liberalizimit të vizave në Kosovë duhet të jetë prioritet themelor i Qeverisë dhe se Qeveria duhet të rrisë dinamikën në zbatimin e kushteve, përndryshe siç u shpreh ai, “Kosovës do t’i zgjatet edhe më shumë ky proces kaq i rëndësishëm për qytetarët e vendit”.

Sipas këtij studimi, del se plotësimi i objektivave nga institucionet e Kosovës varion nga blloku në bllok.

Dren Doli, ndërkaq, tha se objektivat që kanë të bëjnë me parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, janë renditur shumë ulët.

“Ndërsa sfidat për të cilat duhet të merren masa sa më të shpejta që të përmbushen kriteret e paraqitura në udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave janë siguria e dokumenteve, kufiri shtetëror dhe menaxhimi i migracionit, rendi dhe siguria publike dhe të drejtat themelore të lirisë së lëvizjes”, tha ai.

Në anën tjetër, zyrtarë qeveritarë janë shprehur optimistë në përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave. Besfort Rrecaj, këshilltar i ministres për integrime Vlora Çitakut, ka thënë se presin që nga studimi i fizibilitetit të shënojnë rezultate pozitive.

“Ne presim që Studimi i Fizibilitetit të shënojë rezultatet pozitive të cilat i ka arritur Kosova në vazhdimësi dhe në veçanti gjatë vitit të fundit”, citohet të ketë thënë, Besfort Rrecaj, këshilltari i lartë politikë në Ministrinë e Integrimeve Evropiane.

Por, sipas njohësit të çështjeve integruese, Shenoll Muharremi, situata që ky raport të dalë pozitiv nuk është aspak e pritshme.

Ai sqaron se Qeveria e Kosovës nuk ka përmbushur reformat në fushat e paraqitura vitin e kaluar nga ana a komisionerit evropian për zgjerim, Stefan Fyle.

“Ka munguar përkushtimi dhe aktivitetet që shpien te reformat në administratë publike, pastaj në sundim të ligjit, në reforma zgjedhore e cila nuk është përfunduar për interesa personale dhe partiake. Pastaj mungon plani i Prishtinës për ta integruar veriun e Mitrovicës, ndërsa nuk ka transparencë rreth zbatimit të rekomandimeve për reforma tregtare e në shumë fusha tjera”, tha Muharremi.kohaislame

Artikulli paraprak100 mijë dollarë për kokën e regjisorit
Artikulli vijuesGjakova më shumë votues se banorë