Shqipëri, reagime të ashpra nga politika në lidhje me rastin e deputetit Tom Doshi

Vendimi për përjashtimin e Doshit është marrë ditën e djeshme gjatë mbledhjes së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste
 
 
Deputeti i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Tom Doshi, pas kritikave që bëri disa ditë më parë ndaj kryeministrit Edi Rama, u përjashtua ditën e djeshme nga grupi parlamentar i kësaj partie. Ndërkohë sot kanë ardhur edhe reagimet e politikës së ketij vendi ndaj këtij largimi, raporton Anadolu Agency (AA).
 
Vendimi për përjashtimin e Doshit është marrë ditën e djeshme gjatë mbledhjes së grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, parti e cila është në pushtet dhe udhëheq koalicionin qeverisë së bashku me Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim.
 
Deputeti Tom Doshi pas përfundimit të mbledhjes ai përveçse është prononcuar për mediat duke akuzuar Kryetarin e parlamentit Ilir Meta se ka paguar persona për vrasjen e tij, deputeti Doshi gjithashtu ka reaguar më pas edhe në faqen e tij zyrtare në rrjetin social Facebook ku ka shprehur: “Për mua nuk ishte e papritur kjo që ndodhi. Ka kohë që unë jam në pritje të zbardhjes të organizimit të atentatit ndaj meje dhe askush nuk lëvizi për plot 5 muaj.Ku na çon ky fakt? Në mbrojtjen e krimit.Kjo është Rilindja? Unë bëj pjesë në grupin e njerëzve që e besuan Rilindjen por si ta besoj më kur unë kam 5 muaj që kam informuar  prokurorin e përgjithshëm, Ministrin e Brëndshëm, Kryeministrin dhe vete Ilir Meten për faktin dhe përgjigja ishte vetëm heshtje dhe mbulim. E thërrita vetë Ilir Meten dhe ia thashë në sy sepse une nuk kam asgjë që mund të më heqi guximin të përballem me këdo”.
 
Doshi ka shtuar më tej “Sot, me kërkoi Edi Rama prova, në fakt mesa duket kryeministri nuk e njeh rendin e punëve, provat duhet ti gjejë shteti jo unë edhe pse unë i kam ofruar çdo informacion që kisha dhe prova (i porosituri për të kryer krimin) i ka shkuar në zyrë vetë Ministrit të Brendshëm dhe drejtorit të policisë të shtetit dhe i ka treguar për porosinë dhe porositësin. Këto jane të vërtetat e mija të nderuar miq, dhe me gjithë këtë problem mbi kry pata durimin për të prit në heshtje”.
 
Ndërsa edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar në faqen e tij zyrtare në rrjetin social facebook duke publikuar  fjalët e mbajtura ditën e djeshme përpara Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ku thuhet se “Në këtë grup gjithkush mund të jetë vetvetja, por askush nuk mund t’i imponojë këtij grupi daljen nga vetja.
 
Për të gjitha ato që në këtë grup janë të papranueshme, unë kam detyrimin të shpreh qartë dhe prerë, edhe pse me keqardhje, pikëpamjen time si kryeministër dhe si kryetar i Partisë Socialiste, se deputeti Tom Doshi na e ka bërë të pamundur ta pranojmë në vazhdim si pjesë të grupit tonë parlamentar.
Nëse qëndrimi i deputetit do të kishte prekur thjesht personin dhe dinjitetin e personit tim, unë sot do të kisha kërkuar mirëkuptimin tuaj për të mos mbajtur qëndrim të prerë ndaj tij. Por me akuzat e tij deputeti ka shkuar përtej personit tim dhe ka cënuar rëndë dinjitetin e këtij grupi e të kësaj qeverie.
 
Prandaj, unë kam bindjen se sot ne duhet t’i japim Tomës mundësinë të lirohet nga barra e kontratës që ka me grupin e me Partinë Socialiste, dhe të shkojë të provojë në rrugë ligjore vërtetësinë e akuzave të tij të papranueshme në adresë të qeverisë e të shumicës sonë parlamentare”.
 
Vendimin e grupit parlamentar të partisë Socialiste për përjashtimin e deputetit Tom Doshi e ka mbështetur edhe ambasada e SHBA në Tiranë ku në një deklaratë të saj ajo ka theksuar se “Shtetet e Bashkuara mirëpresin vendimin e Partisë Socialiste të Shqipërisë për të përjashtuar Z. Tom Doshi, i cili pretendohet se është përfshirë në veprimtari kriminale. Shtetet e Bashkuara e marrin seriozisht kanosjen e krimit dhe korrupsionit ndaj shoqërive të lira dhe demokratike. Nxisim të gjitha partitë politike në Shqipëri të largojnë individët e përfshirë në veprimtari kriminale apo korruptive. Mbështesim me forcë punën e kuvendit për të hartuar legjislacion në përputhje me Rezolutën e 24 dhjetorit 2014. Më tej, i bëjmë thirrje Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë të hetojë dhe ndjekë penalisht kriminelë dhe zyrtarë të korruptuar në të gjitha nivelet”.
 
Gjithashtu pjesë e reagimeve ka qenë dhe ish-Kryeministri Sali Berisha i cili ka bërë disa reagime në lidhje me këtë çështje dhe në reagimin e tij të fundit në facebook ish-kryeministri Sali Berisha ka theksuar se “Ne kupolen e mazhorances, si ne shpellen e mafies, vendimin per vrasjen e dyfishte e morën së bashku!!
 
“Të dashur miq, dëshmia e djeshme e Tom Doshit është ndër më tronditëset që mund të dëgjojë njeriu, akuza publike më e rëndë në 25 vitet e fundit. Në këtë dëshmi dy janë aspektet më të sheëmtuara më kriminale. E para, kryetari i parlamentit, Ilir Meta, porosit dhe paguan në emër të mazhorancës vrasjen e një deputeti të PS dhe një deputeti të PD. E dyta për skenarin e vrasjes së dyfishtë u informua menjëherë Rama dhe Tahiri, dhe ata në vend që të ndërhynin urgjentisht për zbardhjen e akuzës publike me të rëndë në 25 vitet e fundit e fshehen apo heshten, pra zbatuan kodin heshtjes të mafies për skenarin e krimit monstruoz, sikur në këtë vend të mos ekzistonte shtet por shpellë mafieje dhe vetëm shpellë mafieje, çka tregon se ata ishin ose porositesit ose së paku miratuesit e skenarit”.
 
Ndaj kësaj të fundit ka reaguar sot edhe Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Spartak Braho i cili pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha ka shprehur: “Sali Berisha ka detyrim ligjor të dëshmojë në Prokurori, në lidhje me  çështjen “Doshi” dhe jo të lëshojë akuza shkallëve të selisë së PD-së. Spartak Braho i kujton Berishës se fshehja e informacioneve përbën një vepër penale.
 
“Sali Berisha ka detyrim ligjor të dëshmojë në Prokurori, jo shkallëve. Berisha duhet ta dijë që pasja dijeni dhe fshehja dënohen”, theksoi Braho.
 
Kryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare i kërkoi Prokurorisë që të administrojë deklaratat e bëra nga Berisha dhe të punojë për zbardhjen e çështjes.
 
“Prokuroria menjëherë të administrojë deklaratat e Sali Berishës për zbardhjen e çështjes. Doktori të ruajë qetësinë, pasi të enjten kam surpriza për të në Kuvend”, tha Spartak Braho, Kryetar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare.
Artikulli paraprakMinistri i Arsimit dhe Shkencës, Abdilaqim Ademi, viziton BFI-në
Artikulli vijuesMbreti saudian do të pres Unionin e Dijetarëve Muslimanë