Shqipëri: TopMedia zgjedh Personazhin e Vitit 2012

“Në emër të Top Channel kam kënaqësinë t’iu ofroj cmimin për anketën Personazhi i Vitit 2012”. Këto ishin fjalët e Igli Gjelishtit, webmaster-it të Top Channel në momentin e dorëzimit të cmimit për grupin e alpinistëve që ngritën flamurin shqiptar në “çatinë e botës” në maj të 2012-ës.

“Falenderojmë televizionin Top Channel dhe gjithë publikun që na mbështeti për Personazhin e Vitit”, tha Fatjon Plaku, alpinist.

Ata morën numrin më të madh të votave në anketën e përvitshme që Top Channel organizon në faqen e tij të internetit për të përzgjedhur personazhin më të spikatur të vitit.

Gerti Pishtari, alpinist: Është një kënaqësi e vecantë që vlerësohemi me këtë cmimin. Në një farë mënyre tregon që puna dhe mundi ynë, përvoja që kaluam, që ishte goxha e vështirë për atë ngjitje u shpërblyen. Dua të falenderoj ata që na votuan.

Gjergj Bojaxhi, alpinist: Duke marrë parasysh që kjo është një nga ngjitjet më të vështira në sportin e alpinizmit do të doja të falenderoja publikun shqiptar që ka vlerësuar këtë përpjekje dhe dedikim të jashtëzakonshëm që gjithë ekipi i Everestit ka dhënë në kapjen e majës për 100-vjetorin e Pavarësisë.

Erli Rrudho, alpinist: Falenderoj Top Channel për cmimin Personazhi 2012 si dhe njerëzit që na votuan dhe përkrahën në nismën tonë për Everestin.

Pas ekspeditës dy-mujore në Everest dhe ngjitjes për pesë ditë në majën më të lartë të botës në kushte ekstreme, alpinistët vazhdojnë stërvitjen për t’u përballur me sfida të tjera.

Artikulli paraprakSony’s Xperia Tablet Z, tepër i hollë dhe i lehtë
Artikulli vijuesKatari ndihmon opozitën siriane me 20 milion dollarë