Shtigjet drejt lumturisë

1) Adhuroje Allahun ashtu siç kërkon prej teje dhe mbështetu vetëm tek Ai. 
2) Perceptoje jetën e kësaj bote në mënyrë reale. Kjo dynja është vendi i sprovave, fatkeqësive dhe vështirësive. Mos prit se në të do të kesh mundësi të realizosh lumturinë e përhershme të zhveshur nga të gjithë penguesit e saj. Realizimi i plotë i saj do të arrihet vetëm në botën tjetër, në xhenetin e amshuar. 
3) Dhuroja vetes hisen e merituar të kënaqësive brenda kornizave të së lejuarës, duke mos e tepruar. Nefsi është krijuar i tillë që të vrapojë pas kënaqësive dhe është vënë në provim që ta vërë epshin nën kontroll. Ai që e privon veten plotësisht prej këtyre kënaqësive ka kundërshtuar natyrën njerëzore dhe ka hedhur poshtë udhëzimin e të Dërguarit të Allahut, Muhamedit alejhi selam, i cili martohej, hante ushqimin më të mirë të mundshëm dhe përdorte parfumet me aromën më të këndshme. Abstenimi nga kënaqësitë që të takojnë shkakton çrregullim psikik dhe veprimi i tillë është pasojë e ndonjë defekti psikik. 
4) Pajtohu dhe kënaqu me caktimin hyjnor të Allahut të Madhërishëm. 
5) Nxito për t’i zbutur fatkeqësitë dhe sprovat që të godasin dhe dobësoje ndikimin e tyre në shpirtin tënd. 
a) Paramendoje fatkeqësinë si të ishte me pasoja më fatale. 
b) Shikoji para vetes begatitë e shumta që ke, ndërsa shumica e njerëzve janë të privuar prej tyre. 
c) Mos u dëshpëro dhe mos u dorëzo para fatkeqësisë që të ka kapluar dhe dije se pas çdo vështirësie pason lehtësimi. 
 
6) Shpeshtoje të përmendurit e Allahut. 
Lexoje me përkushtim dhe përqendrim të plotë Kuranin Famëlartë, bëj dua dhe dhikër me frikërespekt sepse këto të sigurojnë lumturi absolute. Allahu Fuqiplotë thotë: “Vetëm me përmendjen e Allahu qetësohen (relaksohen) zemrat.” 
7) Rregulloje nijetin dhe mbikëqyre atë. 
Ata që frekuentojnë më tepër ordinancat psikiatrike për t’u shëruar nga depresioni, stresi dhe ankthi kanë probleme me nijetin e tyre. Ata kriter kryesor të arritjes së lumturisë kanë bërë kënaqësinë e njerëzve dhe tërheqjen e vëmendjes së tyre. Kjo ndodh posaçërisht në kohët e sotme, kur rivaliteti dhe garat mes njerëzve kanë arritur kulmin, qoftë edhe në gjëra të vogla dhe të pavlera. 
8) Pajisu me moral të lartë. Morali i lartë ngre vetëbesimin dhe vetërespektin, ndërsa sjellja e mirë lë gjurmë dhe mbresa pozitive në shpirtin tonë. 
9) Bëhu i vendosur dhe jepi përparësi vetes, realizoje veten tënde. 
Mos iu nënshtro dëshirave, qejfeve dhe mendimeve negative që të tjerët thurin kundër teje.
10) Në çështjet e kësaj bote kënaqu dhe pranoji begatitë që t’i ka dhuruar Allahu. 
Falënderimi dhe përkujtimi i vetes për këto begati, pa marrë parasysh se në çfarë gjendjeje të vështirë gjendesh, të siguron jetë të rehatshme. Shumica e njerëzve gabojnë në kuptimin e kënaqjes me atë që të ka caktuar Allahu. Ata e kuptojnë se kjo do të thotë dorëzim dhe sigurim i rehatisë nga zelli, përpjekja dhe mundi. Në të kundërtën, ka njerëz që kanë synime të larta dhe japin mundin maksimal për t’i arritur ato, mirëpo nuk janë të kënaqur me rezultatet që Allahu u dhuron në fund, pastaj i godet dëshpërimi. 

Bekir Halimi

Artikulli paraprakRëndësia e Elegancës në jetën e Myslimanit
Artikulli vijuesSi ta shërojmë mvarshmërinë e fëmijëve nga TV dhe PC-ja