Si arriti Islami deri në Ugandë?

Sipas vlerësimeve të historianëve, konstatohet se Feja Islame në Uganda ka arritur përmes rrugëve të tregtarëve muslimanë, të cilët vinin nga qendrat islame të Afrikës Lindore. Qendrat tregtare, nga të cilat depërtonte Feja Islame drejt rajoneve të Ugandës, kryesisht ishin keniane, si p.sh. këto qytete: Mombasa, Malindi dhe Lamu, të tri këto qytete të Kenias së sotme.

Kurse, koha e shtrirjes së Fesë Islame nëpër rajonet e Ugandës së sotme ishte përgjatë gjysmës së parë të shekullit XIII hixhri, lunar (në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX-të miladi, gregorian).

Gjithashtu, rreth përhapjes së Fesë Islame në zonat e Ugandës, kanë merita edhe ushtarët egjiptianë, të cilët i kishte dërguar Ismail pasha (mbreti i Egjiptit, që sundoi në periudhën prej 18 janar 1863 deri më 26 qershor 1879, e që ishte nipi i Mehmet Ali pashës,) për të zbuluar rajone të sipërme të lumit Nil dhe të burimeve të tij. Ushtarët e sipërpërmendur, gjatë asaj fushate, kishin arritur të kontaktonin edhe me popullatën e këtyre zonave dhe t›u ofronin atyre Islamin.

Mandej, kur Uganda iu nënshtrua sundimit anglez, grupe muslimanësh nga India migruan në Ugandë, ku filluan të punonin në ara të pambukut, të kallamit të sheqerit dhe në shtrirjen e hekurudhës nëpër zonat përkatëse të vendit.

Pra, ata muslimanë emigrantë luajtën një rol të rëndësishëm në paraqitjen dhe përhapjen e Islamit tek popullata e këtyre rajoneve.

Tani, vendbanimet e muslimanëve në Uganda shtrihen në zona të ndryshme të vendit, pa ndonjë përqendrim banimi vetëm në një zonë. Përveç kryeqytetit të vendit, ku muslimanët vendës marrin pjesë me një numër të madh dhe kanë një prani të konsiderueshme aty, ata i gjejmë edhe  nëpër zona të tjera të vendit, si në Bugunda dhe në rajone të tjera lindore dhe veriore të vendit.

(Islampress)

Artikulli paraprakPërhapja e Islamit në Surinami
Artikulli vijuesUjgurët, muslimanët që shpesh i harrojmë