Një ushtarak amerikan, i quajtur Thomas Mangelin, i lindur në ShBA, me origjinë shqiptare, ka qenë dhe personi i caktuar për trajnimin ushtarak të qindra trupave shqiptare në vitin 1948, për të krijuar një trupë ushtarake të gatshme për ndërhyrje.
Një ushtarak amerikan, i quajtur Thomas Mangelin, i lindur në ShBA, me origjinë shqiptare, ka qenë dhe personi i caktuar për trajnimin ushtarak të qindra trupave shqiptare në vitin 1948, për të krijuar një trupë ushtarake të gatshme për ndërhyrje. Në një intervistë, të cilën e transmetoi INA, ish-ushtaraku amerikan ka treguar detaje të punës së tij në bazën gjermane ku përgatiteshin trupat shqiptare.
-Kur erdhi familja juaj nga Dardha në Amerikë?
Përgjigje: Babai im ka ardhur në Amerikë në vitin 1905. Në fillim ai u largua nga Dardha dhe shkoi në Turqi për pesë vjet. Më 1905 vendosi të vinte emigrant në Amerikë. Në atë kohë nuk kishte problem për të ardhur emigrant në Amerikë dhe as të duhej vizë. Babai erdhi në Masachuset dhe ndenji këtu. Ishte djalë i ri atëherë, gjeti një punë, punoi, kurseu ca para dhe më 1910 u kthye përsëri në Shqipëri që të gjente një nuse të martohej dhe të krijonte familje. Kështu që në maj të 1910 ai u martua me nënën time. Një ditë vjen koxhabashi apo komunari si i thonë sot dhe i thotë babit ik prej këtej se do të të marrin në ushtri. Babai në atë kohë ishte 28 vjeç, por e rregulloi që në dokumente të bëhej si 31, kështu që turqit të mos e merrnin dot në ushtri. Kështu që me dokumente të reja mori një leje kalimi dhe erdhi përsëri në Amerikë. Pas pak kohe erdhi edhe mamaja ime në New York, por ajo nuk u fut në New York nga ishulli Elis, siç bënin të gjithë emigrantët. Babai nuk donte që mamaja të udhëtonte në klasin e tretë në anije si emigrante. Kështu që e solli mamanë dhe vjehrrën e tij si turiste në klasin e dytë. Mamaja e kujtonte gjithnjë udhëtimin e saj me anije për në Amerike. Gjithsesi, familja u vendos në Masachuset, ku nëna jetoi gjithë jetën e saj deri sa ndërroi jetë në vitet ‘80. Unë u rrita me shumë dardharë të tjerë
-Pra, ju u rritët në Boston me shumë shqiptarë të tjerë, flisnit shqip, pra ishit pjesë e komunitetit shqiptar?
Komuniteti ku u rrita unë kishte shqiptarë, irlandezë, grekë, italianë, por shqiptarët në një farë mënyre rrinin bashkë. Më shumë edhe nga gjuha, po kishim edhe Kishën tonë, kishim një vëllazëri, i ruajtëm zakonet, traditat e Kishës Ortodokse, të cilën babai im e ndihmonte shumë me dhurata. Kështu që ishim shumë të lidhur. Kur u futa në ushtri dhe më vonë në Misionet e CIA-s, në shkollën ku mësoja profesorin e kishim shqiptar. Ai quhej Nelo Drizari, një mik i babait tim. Nelo Drizari ishte profesori im.
-Ku shërbyet gjatë Luftës së Dytë Botërore?
Shkollën e Oficerëve e bëra në Virginia, por gjatë luftës shërbeja në Filipine në Manila. Të them të vërtetën nuk pashë ndonjë japonez. Unë shërbeja në korpusin e ndërlidhjes. Fluturonin shumë me avion, por nuk shkova në luftime të drejtpërdrejta.
-A e dini se më 1943 një grup shqiptaro-amerikanësh nga Bostoni ishin të përfshirë në Operacione Klandestine të OSS, që operonin në Bari?
Jo, por më vonë mësova që në Malta ishin disa shqiptaro-amerikanë që stërvisnin grupe. Të gjithë këta më vonë erdhën në Gjermani.
-Pra, nuk dinit gjë mbi Operacionet e 1943-’44-s, ku shqiptaro-amerikanë ishin të përfshirë në ndihmat që u jepnin amerikanët partizanëve?
Jo, nuk dija asgjë.
-A e dinit ju në atë kohë që OSS amerikane dhe SOE britanike i ndihmuan partizanët gjatë luftës kundër gjermanëve dhe në njëfarë mënyre ndihmuan Enver Hoxhën të vinte në pushtet?
Duhet të dini diçka. Amerikanët gjatë luftës nuk është se kishin ndonjë rrjet inteligjence të rëndësishëm. Prandaj OSS ishte shumë e rëndësishme në atë kohë për ne dhe ne mbështeteshim shume tek ajo. Por OSS ishte një organizatë e re. CIA u zhvillua nga radhët e OSS dhe mësoi shumë nga operacionet e saj, por ne ishim shumë të rinj në punët e inteligjencës. OSS kishte operacione në të gjithë botën dhe sigurisht edhe në Shqipëri, por unë nuk është se dija ndonjë gjë të veçantë.
-Në një intervistë me ish-oficerin e OSS në Shqipëri, James Hudson, ai pranoi se gjatë luftës OSS kishte krijuar një rrjet agjenturor në Shqipëri, si një strategji për të pasur një rrjet informatorësh dhe simpatizantësh pas luftës. A keni takuar apo keni pasur dijeni mbi këtë rrjet informatorësh?
Jo, operacioni ynë ishte shumë i ndryshëm.
-Si u përfshitë ju në Operacionet e CIA-s kundër Shqipërisë?
Në dosjen time në ushtri ishte shkruar se unë flisja edhe shqip. Unë pas luftës kisha një detyrë shumë të mirë në Panama.
-Pra, ju më 1947-‘48 ishit në Panama?
Po, isha në Panama. Në fakt im bir kishte lindur në atë kohë. Isha shumë i lumtur e mbaj mend mirë atë kohë. Me sa duket, kur ata që interesoheshin kanë parë në dosjen time që flisja shqip, kanë vendosur për mua. Dhe kështu mora urdhër që urgjent të kthehesha në Amerikë. Më dhanë një avion personal, ku mora me vete gruan dhe djalin 6 muajsh. Avioni ishte C-47 dhe fluturuam nga Panamaja në Alabama. Vetëm pse flisja shqip dhe kështu papritmas e pashë veten në Shërbimin e Zbulimit Ushtarak. NgaAlabamashkova nëKansasdhe në Shkollën e Gjuhëve në Kaliforni. Unë gjithmonë e kisha koshiencën e Shqipërisë, po jo ndonjë gjë të madhe dhe ja papritmas po merresha me Shqipërinë. Në këtë kohë mësova që për Shqipërinë po interesohej ushtria.
-Sa kohë qëndruat në Shkollën e Gjuhëve të Huaja?
6 muaj
-Çfarë bënit atje?
Shkoja në shkollë. 8 orë në ditë mësoja gjuhën shqipe.
-Mësonit gjëra të tjera? Politikë etj.?
Jo, thjesht gjuhën në mënyrë gramatikore.
-Jam i interesuar t’ju pyes përse CIA në vitet ‘48-’49, në kohën që ju rekrutuan ju, nuk përdorte shqiptaro-amerikanët që kishin shërbyer në Shqipëri gjatë luftës, si Tom Stefani, Mike Ruci, Fil Adami? Si mendoni ju?
Ndoshta ata mund të jenë përdorur. Unë nuk e di. Operacioni im ishte për të trajnuar shqiptarë të rinj në mënyrat ushtarake, t’i përgatisja ata fizikisht, t’u rregullonim dhëmbët, t’i shëndoshnin.
-Çfarë problemi kishin ata me dhëmbët?
Ata vinin në kamp në Gjermani nga kampet e Greqisë, Barit etj. Ata vinin tek unë në gjendje jo shumë të mirë, nuk kishin pasur ndihmë mjekësore, ishin të pangrënë mirë. Ne i ushqenim mirë, i përgatisnim në teknikat ushtarake.
-Kishin kaluar vetëm pesë vjet dhe ja ku ishit ju tani, duke trajnuar të tjerë shqiptarë për të rrëzuar Qeverinë Shqiptare. A ishte pak e çuditshme?
Shikoni, ky mision ishte një vendim i ushtrisë, që ndoshta mendonte si kishte ardhur koha që të përgatiste një forcë ushtarake, dhe jo si britanikët që përgatisnin grupe të vogla infiltrimi.
-Britanikët dhe amerikanët po krijonin një forcë paraushtarake për një invazion të mundshëm?
Jo për një invazion, por për të parashutuar, për të krijuar një rebelim. Në përgjithësi anëtarët e kompanisë ishin në një farë mënyre të mësuar individualisht se si të luftonin me dëshira politike dhe mision të caktuar.
-Si ishte për ju ky mision? Si ndiheshit tani që ishit të përfshirë në një operacion kaq të rëndësishëm?
Unë isha i ri jo më shumë se 30 vjeç. Në ushtri ti nuk mund të pyesësh. Të thuhet të zbatosh një detyrë dhe ti e bën atë pa pyetur shumë. Më thanë, shko aty dhe bëj këtë detyrë!
-A ndjeheshit i rëndësishëm?
Patjetër, is
ha Kapiten në atë kohë dhe i lumtur që do të bëja diçka konkrete për vendin e babait tim. Megjithatë, çfarëdo që të më kërkohej nga ushtria unë isha i gatshëm ta bëja. Kurrë nuk refuzova një detyrë.
-A e dinit se disa nga njerëzit më të rëndësishëm të CIA-s ishin të përfshirë në këto operacione? Ua dije emrat?
Jo, nuk i dija. Unë, për shembull, kisha emrin David Xhelali. Jo Mangelli, por Xhelali.
-Pra, askush nuk jua dinte emrin e vërtetë?
Jo, nuk e dinin emrin e vërtetë.
-Kë mbani mend nga ajo kohë? Me kë punonit, kujt i raportonit?
Unë punoja me Abaz Kupin, për shembull.
-Në fakt, unë ju pyes për pjesën amerikane…
Shikoni, kur unë operoja në Gjermani me Kompaninë 4000, isha i varur nga një batalion i forcave amerikane. Nuk e di nëse komandanti i batalionit ishte i tillë me të vërtetë, apo mbulimi për aktivitetin e tij të vërtetë. Ne nuk flisnim për këto gjëra.
-Në njëfarë mënyre, ju mbanin të distancuar nga detajet e operacioneve?
Jo, unë nuk përfshihesha në detajet e operacioneve.
-Pra, ju nuk e njihni Carmel Offin nga Zyra OPC, e cila supervizonte operacionet shqiptare?
Nuk e di, mund edhe ta kem takuar, por çdo gjë ishte sekret në atë kohë dhe askush nuk tregonte gjë.
-A kishit dijeni ju që oficerët e CIA-s të seksionit X në Itali rekrutonin shqiptarë që në vitet 1946? A e dinit këtë fakt?
Unë mësova më vonë se kjo është e vërtetë. Në atë kohë nuk dija gjë. Për shembull, një shqiptar i quajtur Sami Bardha në Maltë së bashku me të tjerë trajnoheshin për t’u infiltruar në Shqipëri. E di që Sami Bardha u dërgua në Shqipëri, ku u kap nga komunistët. Unë kisha dijeni më vonë për këto operacione, por jo në atë kohë. Kur shkova në Gjermani gjeta në kamp rreth 120 shqiptarë që ishin aty. Ata ishin rekrutuar nga Abaz Kupi dhe Abaz Ermenji. Në kamp i takova për herë të parë. Mbaj mend që kampi ishte afër kampit shfarosës Dakuat, pasi shkuam një ditë dhe e pamë atë. Eprorët e mi më vonë na larguan prej andej dhe na dërguan në Hofenburg ku ishte një vend shumë i bukur dhe kampi ishte shumë i rregullt. Papritmas, shqiptarë të tjerë po vinin në kamp dhe unë kisha nën komandë rreth 300 vetë. Nuk e dija se kush i dërgonte, por unë kisha detyrë t’i trajnoja sa më mirë. Di që CIA, diku aty afër nesh kishte një kamp trajnimi, ku shqiptarët trajnoheshin në radio ndërlidhjeje dhe parashutim. Unë nuk kisha autorizim të ndërhyrja në këtë kamp. Detyra ime ishte përgatitja ushtarake. Pas përgatitjes në kampin tim, ata shkonin në kampin tjetër ku ishin forcat komando.
-Kush i trajnonte ata atje, shqiptarë apo amerikanë?
Mua më vinte urdhri të dërgoja në këtë kamp një grup, dhe unë i dërgoja. Unë nuk kisha mundësi të përzgjidhja ata që i konsideroja më të aftët, pasi më duhej të dërgoja tre apo katër vetë nga Balli, tre-katër nga Legaliteti, apo Agrarja. Në këtë mënyre ruhej balancimi politik. Shpesh më qëllonte të dërgoja njerëz jo të aftë, por nuk kisha se ç’të bëja. Nuk mundesha të ndërhyja.
-Duke e parë tashmë këtë mision pas kaq vitesh, si mendoni, pse kompania u vendos në Mynih? Ishte vend më i sigurt? Mos ndoshta vendosja në Mynih kishte të bënte me rrjetin e agjenturës së gjeneralit gjerman Gehlen, i cili tashmë punonte për CIA-n?
Shikoni, kompania duhet të kishte një mbulim dhe mbulimi ynë ishte që ne ishim një kompani që bënim shërbim ruajtje deposh. Nëse na vendosën në Mynih për këtë arsye që thoni ju apo jo, unë këtë nuk e di.
-Gjatë periudhës suaj në kompani, a kishit kontakte me Inteligjencën Gjermane apo ushtarake gjermane?
Jo, asnjë kontakt.
-Kush ishin shqiptarët që vinin në kamp nga pjesa politike? Kë mbani mend?
Kishte shumë shqiptarë të arratisur në atë kohë. Disa kishin shkuar në Lavrio në Greqi, disa të tjerë në Itali. Në Lavrio kishte me qindra shqiptarë. Atje ata kishin takuar liderët e tyre politikë apo njerëz të njohur nga krahinat e tyre. Ne i rekrutonim ata nga këto kampe.
-Kush i rekrutonte këta shqiptarë për operacionet sekrete të CIA-s?
Ata rekrutoheshin nga Abaz Kupi që ishte në Itali, dhe nga Abaz Ermenji. Këta të dy duhet të kishin bërë një marrëveshje me CIA-n për këto operacione. Kështu që kur u vendos se plani shqiptar do të vihej në veprim, ata duhet të ishin edhe njerëzit kryesorë. Abaz Kupi kur kishte dalë nga Shqipëria, ishte braktisur nga britanikët.
-Pra ju e dini që ai ishte braktisur në Shqipëri nga britanikët?
Po, e dija. Dija po kështu që kishte mundur të dilte vetë nga Shqipëria. Ndoshta britanikët nuk donin të tregoheshin të njëanshëm, prandaj e lanë atë në Shqipëri.
-Por, ai i ndihmoi britanikët për 4 vjet në Shqipëri, apo jo?
Po dhe është shumë e vështirë për t’i kuptuar këto gjëra. Gjithmonë ata duan të kenë një rrugëdalje për të thënë që nuk kanë të bëjnë fare me këtë apo atë çështje.
-Njerëzit që ishin në kamp çfarë të kaluare kishin? A ishin fshatarë të thjeshtë apo të shkolluar?
Nga të gjitha kishte, të shkolluar pa shkollë, kisha ca gegë për shembull, që m’u desh 6 muaj t’i kuptoja se çfarë gjuhe flisnin. Kishte fshatarë që nuk kishin asnjë zanat. Mua më duhej t’i ushqeja, t’i trajnoja, t’u rregulloja dhëmbët dhe pastaj i dërgoja diku, por që se ku shkonin nuk më thoshte njeri. Një dite unë po shkoja në Athinë për të marrë disa shqiptarë, njëri prej tyre, një i ri i quajtur Faik Dalipi, i cili ishte toskë dhe mund të flisja me të, një djalë i mirë. Ishte një prej atyre që unë e kisha dërguar për trajnim dhe pas 7-8 muajsh më vonë kur shkova në Lavrio për të marrë një grup tjetër, e pashë atje. Në atë kohë kishim pilotë polakë, një element tjetër ky që të fshihnim gjurmët për të thënë që ne nuk kishim të bënim me këto operacione. Megjithatë, kur hipëm në avion pashë këtë djalin, Faik Dalipin. Unë e njihja se e kisha në kompani dhe e kisha stërvitur vetë, por ne kishim urdhër që nuk duhej t’u jepnim njohje këtyre personave. Ai kishte qenë 7 muaj i infiltruar në Shqipëri, ishte hedhur me parashutë dhe nuk ishte kapur. Ne fluturuam në Gjermani. Punët e Inteligjencës janë të çuditshme. Kishim urdhër që të mos jepnim njohje dhe ja, ngjitur me mua ishte ky djalë që kishte qenë me mua në kompani dhe tani unë bëja sikur nuk e njihja.
-Njerëzit që vinin në kamp ishin refugjatë politikë. A mendoni se ndoshta disa prej tyre ishin njerëz të infiltruar nga Shërbimi Sekret Shqiptar?
Shumë e mundshme. Shikoni, unë e dija që ne kishim një mision sekret për operacione klandestine, megjithatë ne ishim në Gjermani, ku të gjithë pjesëtarët e kampit ishin të lirë të shkonin ku të donin, u paguanim një rrogë, kishim para. Uniformat për shembull, ua përshtata unë nga rrobat e ushtrisë. I leva të zeza.
-Pra ishit ju që i bëtë këto uniforma?
Po dhe iu vura simbole të kuqe, iu vura shqiponja, ishin tamam ushtarë. Ata ishin të lirë të lëviznin, të kishin të dashura gjermane, por mendoj që sigurimi ynë ishte shumë i mangët. Në atë kohë nuk e ndjeja që kampi ynë ishte i infiltruar, por tani mendoj se po.
-Shikoni këtë listën për shembull, që është nxjerrë nga Arkivi i Shërbimit Sekret Shqiptar. Është një listë e emrave të pjesëtarëve të kompanisë. Njihni ndokënd?
Po, po, më kujtohen disa prej tyre. Komandanti shqiptar në kamp ishte Caush Basho.
-Si shkonit me Caush Bashon?
Mire shkonim, por ai mendohej shumë. Ecte përqark kampit me duart prapa dhe mendohej shumë. Komandanti i Legaliteti ishte Xhemal Laci. Por ai dhe unë nuk kishim marrëdhënie të mira. Xhemali ishte
për Legalitetin, Caushi për Ballin. Kishte edhe një të Agrares. E kam harruar emrin. Në kamp unë nuk e dija që kishte problem midis grupeve. Xhemali një ditë po fliste dhe po lavdëronte Zogun. Unë i thashë “akoma ju me hajdutë si puna e Zogut, që vodhën Shqipërinë?” dhe që atëherë Xhemali më urrente.kohaislame