Si kurohet diarreja në mjeksinë profetike

Në dy Sahih-ët është hadithi i El Muteuekkilit, i cili përcjell prej Ebu Seid El Hudriut, që thotë: – Një burrë erdhi te Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te dhe i tha: – Vëllai im ankohet prej barkut. – Sipas një transmetimi tjetër, ai i tha: – Vëllai im ankohet se e ka zënë barku (diarreja). – Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te i tha: “Jepi të pijë mjaltë!” – Ai shkoi, pastaj, kur u kthye, i tha: – Ai nuk i bëri dobi. – Ndërsa sipas një transmetimi tjetër, i tha: – Ai veçse ia shtoi më tepër heqjen e barkut. – Këtë e përsëriti dy a tri herë. Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te, sa herë që ai kthehej, i thoshte: “Jepi të pijë mjaltë!” – Kur ai u kthye herën e tretë apo të katërt, Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te i tha: “Allahu i Lartësuar tha të vërtetën, ndërsa barku i vëllait tënd gënjen.” Në një transmetim të sjellë nga Muslimi citohet se ai i tha Profetit paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te: “Ai ka çrregullim të barkut”, pra: ka çrregullim në tretjen e ushqimit, ose e ka stomakun të sëmurë.

Mjalti është shumë i dobishëm. Ai përdoret si pastrues dhe kurues i mirë. Ai përmban veti pastruese dhe forcuese, sepse pastron arteriet dhe zorrët nga papastërtitë. Mjalti shmang bllokimin e mëlçisë, të veshkave dhe të fshikëzës urinare. Ai është, gjithashtu, konservues i përgjithshëm. Mjalti than lagështinë e tepërt, është i shëndetshëm si pije dhe si pomadë, është mjaft i vyer për të moshuarit dhe për ata që vuajnë nga këlbaza dhe nga pasojat e të ftohtit.
Mjalti është tepër ushqyes, zbut rrugët e jashtëqitjes dhe është konservues mjaft i mirë. Ai lehtëson pirjen e barnave të hidhura, pastron mëlçinë dhe brendësinë e kraharorit, nxit urinimin dhe shkrin këlbazën që shoqëron kollën.
Kur pihet i tretur në ujë të nxehtë dhe me vaj trëndafili, ai kuron kafshimet e kafshëve dhe efektet e opiumit. I tretur në ujë, ai vepron si kundërhelm ndaj ngrënies së helmarinës, kërpudhave helmuese dhe kundër plagëve të shkaktuara nga kafshimi i qenit të tërbuar.
Si konservues, mjalti mund të përdoret për ta ruajtur mishin deri në tre muaj. Ai është përdorur për ruajtjen në gjendje të freskët të kastravecëve, kungujve, patëllxhanëve dhe të frutave të ndryshme deri në gjashtë muaj. Mjalti është përdorur gjithashtu si përbërës kryesor në balsamimin e të vdekurve.
Kalimi i lehtë i dorës së lyer me mjaltë nëpër flokë, si krem, zhduk morrat dhe parazitët e tjerë. Ai mund të përdoret si zbutës dhe freskues i flokëve, madje përshpejton rritjen e tyre. Përdorimi i mjaltit si pomadë për syrin forcon të parët dhe largon errësimin e shikimit, ndërsa fërkimi i dhëmbëve me mjaltë i zbardh ata. Kur përdoret për shpëlarjen e gojës, forcon mishin e dhëmbëve dhe mënjanon sëmundjen e tyre.
Vetitë natyrore e bëjnë mjaltin mjet plotësues dhe tretës të shkëlqyer. Ai hap poret e enëve të gjakut, lehtëson rrjedhjen e gjakut menstrual, liron sekrecionet, ndihmon kundra problemeve të mëlçisë, të veshkave dhe të fshikëzës së urinës.
Gjithashtu, mjalti nuk ka efekte anësore dhe nuk ka asnjë pasojë negative, përveç tek ata njerëz që vuajnë nga vreri, të cilët duhet ta konsumojnë atë të shoqëruar me uthull, për të neutralizuar ndonjë dëmtim që mund t’i sjellë.
Mjalti vërtet ka vlera të mëdha ushqyese: ai është ushqim, pije, ëmbëlsirë, ilaç dhe freskues. Nuk ka ushqim tjetër që Allahu e ka krijuar për ne e që mund të barazohet me vlerat e mjaltit. Ja përse njerëzit e kanë përdorur mjaltin që në kohët më të lashta, ndërsa sheqerin nuk e kanë përmendur në librat e tyre, pasi ai është zbuluar kohët e fundit.
Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te e pinte shpesh mjaltin të tretur në ujë dhe esëll. Këtu mund të zbulojmë një të fshehtë shumë të veçantë dhe të rëndësishme, që mund ta kuptojë çdo i ditur dhe i zgjuar. Por këtë do ta shtjellojmë më tej, kur të flasim për masat mbrojtëse të shëndetit.
Në Sunen-in e Ibn Maxhes është një hadith merfu, të cilin e ka treguar Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sipas të cilit, i Dërguari i Allahut paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te ka thënë: “Kush ha mjaltë së paku tri herë në muaj, nuk do të vuajë nga sëmundje të rënda.”
Në një hadith tjetër, i Dërguari i Allahut paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te ka thënë: “Përdorni dy shëruesit: mjaltin dhe Kuranin.” Në këtë fjalë të tij, ai paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te e ka lidhur ngushtë mjekësinë njerëzore me mjekësinë hyjnore, ilaçet për shërimin e trupit me ilaçet për shërimin e shpirtit. Ai ka lidhur mjekësinë trupore me atë shpirtërore, mjekësinë tokësore me atë qiellore.
Pasi e kuptuam këtë, le t’i kthehemi ngjarjes së mësipërme, me njeriun e interesuar për ilaçin kundër shqetësimeve të lukthit të vëllait të vet dhe ilaçit të përshkruar nga i Dërguari i Allahut paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te. Në atë rast, më konkretisht, shkak i sëmundjes dhe i dhembjeve të barkut ishte ngrënia e tepruar e ushqimit. I Dërguari i Allahut paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te i tha se personi duhet t’i jepte vëllait për të pirë mjaltë të tretur, sepse ai ndihmon zorrët që të hapen dhe lehtëson jashtëqitjen. Prej ushqimit të tepërt, muret e stomakut, të cilat janë si peshqir, vishen me substanca të dëmshme, duke ndotur kështu edhe ushqimin, edhe vetë stomakun. Për këtë arsye, duhet të përdorim “pastruesin” natyror ose laksativin, siç është mjalti, më i miri ndër ilaçet e tjera, sidomos kur përzihet me ujë të nxehtë.
Përsëritja e urdhrit nga ana e Profetit paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te u bë për një qëllim të mirë. Ilaç i vërtetë është ai që, përveç cilësisë, ka edhe dozën e përcaktuar mirë, për të qenë sa më efikas. Në të kundërt, ilaçi nuk e kuron sëmundjen. Kur është në sasi më të madhe sesa duhet, ai e dobëson trupin dhe jep efekte anësore të padëshiruara. Kur Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te e urdhëroi për herë të parë, i vëllai nuk i dha të sëmurit sasinë e mjaftueshme për shërim. Kur personi i tha se i vëllai nuk ishte shëruar, Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te e kuptoi se ai nuk kishte marrë sasinë e nevojshme të ilaçit. Për këtë arsye, i tha disa herë rresht që ai t’i jepte mjaltë të vëllait, derisa doza të arrinte masën e duhur. Kur i sëmuri merr disa doza me mjaltë, me sasinë e nevojshme për të luftuar sëmundjen, ai do të shërohet, me lejen e Allahut. Përcaktimi i ilaçit të duhur me dozën e saktë është çelësi i shkencës së mjekësisë.
Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te tha: “Allahu ka thënë të vërtetën, ndërsa barku i vëllait tënd gënjen!” Ky është tregues i garancisë së efektit që jep mjalti. Hadithi tregon gjithashtu se sëmundja nuk u shërua, jo sepse mjalti nuk ndikoi, por sepse stomaku përmbante mjaft substancë të prishur. Pejgamberi paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te porositi që i sëmuri të hante më tepër mjaltë, pasi substanca e prishur në barkun e tij ishte me sasi të madhe.
Mjekësia e të Dërguarit të Allahut paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te nuk është si ajo e njerëzve të tjerë. Ajo është kura efikase që erdhi nga Shpallja hyjnore (vahj) dhe nga udhëzimi i tij paqa dhe meshira e Zotit qofte mbi te, e pashkëputur nga mendja dhe gjykimi i përsosur. Ndërsa shumica e diagnozave mjekësore të tjera bazohen në hipoteza, vëzhgime dhe eksperimente.
Është fakt se shumë njerëz nuk përfitojnë nga mjekësia profetike, pasi ajo ndihmon vetëm ata që e njohin atë dhe që besojnë në të. Kush e beson atë, më pas edhe i nënshtrohet asaj.
Nëse Kurani, i cili është shërim për çdo gjë që zemra fsheh, nuk njihet dhe besohet, ai nuk bëhet kurrsesi shërim për zemrën. E vërteta është që Kurani ua shton edhe më tepër të keqen dhe sëmundjet zemrave të hipokritëve.
Mjekësia e Pejgamberit (s.a.u.s.) është e dobishme për trupat (njerëzit) e mirë dhe të pastër, ashtu si Kurani është i dobishëm vetëm për shpirtrat e udhëzuar dhe zemrat e gjalla. Për këtë arsye, kur njerëzit shpërfillin dhe nënvleftësojnë mjekësinë e Pejgamberit (s.a.u.s.), është njëlloj si të shpërfillin dhe nënvleftësojnë ndihmën dhe udhëzimin e Kuranit, i cili është ilaçi më i mirë. Thënë ndryshe, kur kjo mjekësi nuk jep rezultat, shkaku është natyra e keqe e trupit dhe e shpirtit, të cilët nuk janë të përshtatshëm për të përfituar dhe për të pranuar veprimin e ilaçit, dhe jo ndonjë mangësi e ilaçit.
Pa dyshim, është Allahu ai që dhuron suksesin. Ai është Zoti i Gjithëdijshëm!

Allahu i Gjithëfuqishëm thotë në Kuran: “Nga barqet e tyre (të bletëve) del pije me ngjyra të ndryshme. Në të ka shërim për njerëz. Edhe në këtë ka arsye për atë popull që mendon thellë.” (Nahl, 69) Për këtë ajet ka patur shpjegime të ndryshme. Cilit i referohet fjalia “Në të ka shërim për njerëz…”? Kuranit apo pijes që del nga bletët, pra mjaltit? Dy janë mendimet e dijetarëve për këtë çështje dhe mendimi më i saktë tregon se këtu është fjala për mjaltin. Ky ka qenë mendimi i Ibn Mesudit, Ibn Abasit, Hasanit, Katades dhe shumicës së dijetarëve. Arsyeja është që ajeti, në tërësi, flet për mjaltin dhe jo për Kuranin. Po kështu edhe hadithi i saktë i lartpërmendur tregon qartë se mjalti është ilaç.
Allahu i Lartësuar është më i ditur për gjithçka.

Zead el Mead

Ibn Kajim el Xheuzije

Artikulli paraprakPejgamberi alejhi selam përdorte tri lloje barnash për të kuruar sëmundjet
Artikulli vijuesSi mjekohen plagët në mjeksinë profetike