Një ngjarje nga jeta e Umerit (radijAllahu anhu)
Ibën Kethiri (Allahu e mëshiroftë) gjatë shpjegimit të ajetit të tretë të sures El-Gafir përcjellë: “Ishte një njeri i fuqishëm nga banorët e Shamit që vinte shpesh nëpër ndejat e Umerit (radijAllahu anhu). Mirëpo pas një kohe Umeri nuk e shihte, andaj pyeti: “Ku është filani i biri i filanit?” I thanë: “O prijës i besimtarëve, ka filluar të pijë alkool.” Pa humbur kohë, Umeri e thirri qatipin dhe i tha: “Shkruaj! Nga Umer bin Hattabi drejtuar filanit birit të filanit! Selamun alejke! Më tej: “Falëndero Allahun, përveç të Cilit s’ka të adhuruar të vërtetë; Falësin e gjynaheve dhe Pranuesin e pendimit, që dënon ashpër, si dhe Zotëruesin e të mirave. Nuk ka të adhuruar tjetër të vërtetë përveç Tij dhe tek Ai është kthimi.” Pastaj iu drejtua të pranishmëve: “Luteni Allahun që ta ndryshojë zemrën e vëllait tuaj dhe t’ia pranojë pendimin.”
Kur i arriti letra, njeriu filloi ta lexonte dha ta përsëriste: “Falësin e gjynaheve dhe Pranuesin e pendimit, që dënon ashpër.” Më paralajmëroi nga ndëshkimi i Tij dhe më premtoi se do të më falë.” Vazhdimisht ia përsëriste vetes ato fjalë, derisa filloi të qante. Më tej u pendua dhe u bë musliman i mirë. Kur Umerit i arriti lajmi i tij tha: ” Kështu veproni; kur të shihni vëllanë tuaj se ka bërë një gabim, atëherë drejtojeni kah rruga e drejtë dhe kah suksesi, dhe luteni Allahun që t’ia pranojë pendimin, e mos u bëni ndihmës të shejtanit kundër tij.”