Si të kujdeseni për gjumin e fëmijës suaj

Çdo qenie e gjallë ka nevojë për gjumë. Ai është aktiviteti parësor i trurit gjatë zhvillimit të hershëm. Cikli gjumë-zgjim është i rregulluar nga drita dhe errësira. Rutina e gjumit te të porsalindurit fillon të krijohet kur bebet janë në javën e gjashtë dhe mbaron përfundimisht në muajin e gjashtë, kohë kur shumica e bebeve e kanë krijuar këtë rutinë. Në moshën 2-vjeçare shumica e fëmijëve kalojnë më shumë kohë duke fjetur sesa zgjuar dhe përgjithësisht një fëmijë kalon 40 për qind të fëmijërisë së tij në gjumë. Gjumi ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë në shkallën e zhvillimit fizik dhe mendor të një fëmije.

Ka dy lloje gjendjesh gjumi:

Gjumi i qetë ose lëvizja e ngadalshme e syve. Gjatë kësaj gjendjeje furnizimi i muskujve me gjak rritet, energjia rikthehet, indet zhvillohen dhe hormonet e rëndësishme lëshohen për të ndikuar rritjen dhe zhvillimin.

Gjumi aktiv ose lëvizja e shpejtë e syve. Gjatë këtij gjumi truri ynë është akoma aktiv dhe ëndërron. Trupi ynë bëhet i palëvizshëm, frymëmarrja dhe rrahjet e zemrës janë të çrregullta. Bebet shpenzojnë 50 për qind të kohës së tyre në çdonjërën prej këtyre gjendjeve, ndërsa cikli i kalimit nga një gjendje në tjetrën është 50 minuta. Në moshën 6 muajsh gjumi aktiv përbën 30 për qind të gjumit në përgjithësi. Në kohën kur fëmijët mbushin moshën parashkollore, cikli i gjumit tek ata ndërrohet çdo 90 minuta.

Gjumi dhe të porsalindurit 1-2 muajsh

Për të porsalindurit, gjumi gjatë muajit të parë varion në orare të ndryshme të ditës e natës dhe cikli gjumë-zgjim ka nevojë të përshtatet dhe natyralizohet. Të sapolindurit flenë gjithsej 10.5-18 orë gjumë me ndërprerje tre orëshe zgjimi. Gjumi i tyre mund të zgjasë nga pak minuta deri në disa orë. Gjatë kohës që flenë, fëmijët janë zakonisht aktivë, ata lëvizin duart dhe këmbët, buzëqeshin, thithin gishtërinjtë dhe duken të paqetë. Të porsalindurit e shprehin nevojën e tyre për gjumë në shumë mënyra: disa nervozohen, qajnë, fërkojnë sytë ose e shprehin në mënyra të tjera individuale. Është më mirë t’i vini fëmijët në shtrat kur janë të përgjumur, por jo duke fjetur. Në këtë mënyrë do t’i zërë gjumi më shpejt dhe të mësojnë si të bëhen gati për të fjetur. Të sapolindurit mund të inkurajohen të flenë më pak gjatë ditës, duke i ekspozuar në dritë e zhurmë dhe duke luajtur më shumë me ta. Teksa mbrëmja afrohet, mjedisi do të jetë më i qetë dhe më me pak aktivitet. Këshilla gjumi për të porsalindurit:

* Vëzhgoni format e gjumit të bebes tuaj dhe gjeni shenjat që ai jep teksa do të flejë.

* Vëreni fëmijën në shtrat kur është i përgjumur dhe jo teksa po fle.

* Pozicioni ideal për ta vënë në gjumë është me kurriz, me kokën të pambuluar me batanije.

* Nxisni gjumin gjatë natës.

Gjumi dhe foshnjat 3-11 muajsh

Në muajin e gjashtë ushqimi gjatë natës nuk është më i nevojshëm dhe shumica e foshnjave flenë të qetë gjithë mbrëmjen. 70-80 për qind e foshnjave do të sillen me siguri kështu deri në muajin e tyre të nëntë. Fëmijët e vegjël zakonisht flenë nga 9 deri në 12 orë gjumë gjatë natës dhe nga 30 minuta deri në 2 orë gjatë ditës. Kur foshnjat shtrihen në shtrat të përgjumur, por jo në gjumë, atëherë ata kanë më shumë gjasa të qetësohen gradualisht, duke mos fjetur në kohën që duhet, por të zgjedhin të flenë vetë në orare të ndryshme të natës. Ata fëmijë që janë mësuar të kenë prindërit pranë kur flenë, fillojnë të qajnë duke u kërkuar atyre që t’i ndihmojnë të flenë përsëri gjatë natës. Çështjet sociale dhe zhvillimi mund të ndikojnë gjumin. Foshnjat që janë të lidhur me kujdestarët e tyre kanë më pak probleme me gjumin, por disa prej tyre mund të mos jenë të gatshëm të heqin dorë nga kjo lidhje e ngushtë dhe të flenë. Gjatë gjysmës së dytë të vitit, foshnjat mund të ndiejnë akthin e ndarjes. Sëmundjet dhe zhvillimi i nivelit të rritjes mund të ndërpresë gjumin.

Këshilla gjumi për foshnjat:

– Krijoni orare të rregullta gjumi gjatë ditës dhe natës.

– Krijoni një rutinë të qëndrueshme dhe të kënaqshme gjumi.

– Rregulloni një mjedis miqësor dhe të përshtatshëm për gjumë.

– Nxiteni foshnjën tuaj të flejë vetë.

Gjumi dhe të vegjlit 1-3 vjeçarë

Të vegjlit duan nga 12-14 orë gjumë. Kur janë 18 muajsh gjumi i shkurtër që bëjnë gjatë ditës zvogëlohet në vetëm një herë që zgjat nga 1-3 orë. Gjumi i shkurtër nuk duhet të bëhet pranë orarit të fjetjes, pasi mund të vonojë gjumin e natës. Shumë të vegjël kanë probleme me gjumin duke përfshirë këtu edhe rezistencën, që bëjnë për të mos fjetur apo të qëndruarit zgjuar natën. Kanë frikë nga errësira dhe makthe gjatë gjumit. Shumë faktorë mund të sjellin problemet e gjumit. Të vegjlit kërkojnë pavarësi dhe një rritje e zhvillimit të tyre mund të dalë kundër gjumit. Përveç kësaj, aftësia e tyre për të dalë nga shtrati, ankthi i ndarjes, nevoja për autonomi dhe zhvillimi i imagjinatës së fëmijës mund të çojë në probleme të të fjeturit. Këto probleme me gjumin mund t’i kuptoni në sjelljen e fëmijës gjatë ditës. Këshilla për të vegjlit:

– Ruani një orar dhe rutinë të saktë gjumi për fëmijën tuaj.

– Mjedisi i dhomës të së voglit nuk duhet të ndryshojë.

– Vini kufij të qëndrueshëm dhe zbatojini ato rregullisht.

– Mbani rreth fëmijës sende të sigurta, që të mos e dëmtojnë atë.

Gjumi dhe parashkollorët 3-5 vjeçarë

Fëmijët parashkollorë flenë zakonisht nga 11 deri në 13 orë çdo natë dhe shumica e tyre, porsa mbushin moshën 5-vjeçare nuk flenë më gjatë ditës. Ashtu sikurse me të vegjlit hasen probleme me vënien në gjumë dhe zgjimin gjatë natës. Me zhvillimin e imagjinatës, parashkollorët zakonisht përjetojnë makthe dhe frikë nga errësira. Përveç kësaj duhet të dini se mosha parashkollore preket shumë nga ecja e përgjumur. Këshilla për parashkollorët:

• Përmbajuni rutinës së gjumit dhe orarit të tij.

• Fëmijët duhet të flenë në të njëjtin mjedis çdo natë, në një dhomë të ftohtë, të qetë, të errët dhe pa televizor.

Gjumi dhe fëmijët 5-12 vjeç

Fëmijët e moshës 5 deri në 12 vjeç kanë nevojë për 10-11 orë gjumë. Koha e tyre ndërkohë është mbushur me veprimtari të ndryshme si për shembull detyrat e shtëpisë, aktiviteti sportiv dhe social. Nga ana tjetër fëmijët që ndjekin shkollën fillore janë më të interesuar për televizorin, kompjuterin dhe internetin, aspekte këto që mund t’i afrojnë më shumë me problemet e gjumit dhe ankthet. Të shikuarit televizor pak kohë para gjumit shkakton largim të tij, stres dhe më pak orë për të fjetur. Problemet me gjumin dhe çrregullimet e tjera janë të pranishme në këtë moshë. Gjumi i pamjaftueshëm shkakton lëkundje të humorit, probleme me sjelljen dhe probleme me të mësuarit në shkollë. Këshilla për fëmijët e shkollës fillore:

– Mësojini fëmijët tuaj për zakonet e gjumit të shëndetshëm.

– Përsëritni vazhdimisht nevojën për orare të rregullta gjumi.

– Sigurohuni që dhoma e gjumit të fëmijës të jetë e errët, e ftohtë dhe e qetë.

– Mbani larg televizorin dhe kompjuterin nga dhoma e fëmijëve./gsh/kohaislame.com

Artikulli paraprakAmerika: Nuk ka më luftëra të lehta
Artikulli vijuesTë pa diplomuar dhe miliarderë