Amerika: Nuk ka më luftëra të lehta

 

Pse miti i luftërave të lehta është kaq joshës për strategjistët e Amerikës? Vendi po ringjall të njëjtën strategji që dështoi në Irak dhe trupat tokësore do të paguajnë çmimin

Scott Gerber, Foreign Policy

Gjatë dekadës së fundit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shpenzuan më shumë se një triliard dollarë dhe jetën e mijëra ushtarëve pa mësuar nga gabimet e luftës të përqendruara te rrjeti, besimi i viteve 1990 se sulmet me precizion të koordinuara dhe forcat me teknologji të lartë mund ta ndihmojnë vendin të shkatërrojë nyjet më të rëndësishme të mbrojtjes së armikut.

Forcat armiqësore do të rrënohen përballë ndëshkimeve të tilla, dhe kundërshtarët mund të përkulen me shpejtësi përballë dëshirave amerikane, duke e bërë të panevojshme mbajtjen e kapacitetit për luftëra të gjata në terren. Kjo qe së paku teoria.

Nga viti 2003, ndërsa SHBA po përgatiteshin për të pushtuar Irakun, një flluskë intelektuale dhe ushtarake u ndërtua përreth këtyre ideve, të manifestuara në Doktrinën Trondit dhe Frikëso. Dhe për pak javë gjatë asaj pranvere, ndërsa forcat amerikane kryen sulmet e para kundër Sadam Huseinit dhe vrapuan drejt Bagdadit, ky plan dukej se po funksiononte – deri sa dështoi në mënyrë katastrofike. Askush nuk kishte planifikuar se çfarë do të ndodhte pasi forcat amerikane të jepnin grushtin e parë spektakolar, ndërsa armiqtë tanë vendosnin të mos dorëzoheshin.

Gjatë tetë viteve që pasuan, historia e Irakut u bë një histori e estabilishmentit strategjik të SHBA-së në përpjekje për të kapërcyer atë që kishte mohuar, duke luftuar me pasojat natyrore të “luftës së lehtë”. Në fund, u mësua se lufta nuk është për një listë shënjestrash dhe rrjetesh. Ajo mbetet një përpjekje e paparashikueshme dhe dinamike njerëzore.

Tashmë, papritur, këto leksione të rëndësishme janë zhdukur si tym. Megjithëse idetë e tyre dështuan, askush nuk ka pyetur mbështetësit e Doktrinës Trondit dhe Frikëso për çfarë ndodhi më pas. Askush nuk ka pyetur se pse idetë e tyre dështuan në mposhtjen e opozitës në Irak.

Ndërsa ata që pretendonin se Iraku do të ishte një “shëtitje” morën një dajak, askush nuk ka pyetur se si mund të fitohet në përplasjen e dëshirave nga distanca, pasi bombardimet të mos mjaftojnë. Teoricienët e luftës së lehtë janë falur nga pyetjet e rënda – në fakt, ata po lavdërohen sot.

Problemi është se sot po rigjallërohen ekzaktësisht të njëjtat strategji – më e dukshmja është koncepti i Betejës Detare dhe Ajrore të mbrojtur nga shumë ekspertë në Pentagon – dhe ne po veprojmë në mënyrë të tillë sikur ato qenë zgjidhje për problemet që ne hasëm në Irak dhe jo shkaku i problemeve.

Një koalicion pensionistësh mendjengushtë, institutesh kërkimore dhe interesash po përdorin erërat aktuale politike për të ndërtuar një strategji defektoze mbrojtjeje. Plani i tyre garanton që Shtetet e Bashkuara do të jenë të papërgatitura për luftën tjetër për tre arsye kryesore.

E para, ata po bëjnë sërish supozimin e pambrojtshëm mbi përdorimin në të ardhmen të forcave tokësore. E dyta, ata po përparojnë në zgjidhjet e luftës teknologjike për të gjitha nevojat e sigurisë së SHBA-së, zgjidhje që nuk mjaftojnë as për sfidat e së tashmes. Në fund, ata po ndërtojnë strategjinë e tyre në mjete që po bëhen gjithnjë e më të dobëta.

Në fund, ky grup thjesht po prezanton Doktrinën Trondit dhe Frikëso, por me një gjuhë tjetër. Shumë prej nesh e kanë parë këtë edhe më herët. Ajo përfundoi keq.

***

Narrativa e re Trondit dhe Frikëson shmang dukshëm përgjegjësinë për dështimin e vet: ajo na thotë se ne mund të zgjedhim të shmangim konfliktet e gjata tokësore nga njëra anë dhe nga ana tjetër e paraqet këtë shmangie si një zgjidhje për problemin e vërtetë, strategjinë e mohimit të aksesit në një zonë, strategjia e përdorur nga armiqtë tanë që po punojnë për të dominuar ushtarakisht një rajon duke mbajtur forcat amerikane jashtë.

Sipas këtyre strategëve, kapërcimi i problemit anti-akses mund të kryhet vetëm nga shërbimet teknike – pra, Forcat Ajrore dhe Marina – duke luftuar përmes mbrojtjeve të sofistikuara, të cilat kërkojnë investime masive. Pastaj ata mënjanojnë çdo mundësi për operacione tokësore. Sipas tyre, bombardimet me precizion dhe bllokadat në distancë do të na kursejnë nga telashet e luftimeve.

Konkluzioni i gjithë kësaj është zvogëlimi i ushtrisë për të çliruar paratë për një Marinë të madhe dhe për forca ajrore. Rreziku është minimal për shkak se Ushtria Tokësore zgjerohet me lehtësi.

Historia është e thjeshtë dhe e marketizueshme por ka vetëm një problem: ajo nuk funksionon. Godit dhe Frikëso zëvendëson probleme që mund të zgjidhen vetëm nga një listë objektivash për pyetjet plot gjemba që ngrihen në mënyrë të natyrshme nga interesat amerikane për siguri botërore. Ajo është joshëse për dëshirën tonë natyrore për të gjetur zgjidhje të lehta dhe që na mban larg ngatërresave strategjike. Na bën të ndihemi mirë, edhe nëse ajo është tërësisht e papërshtatshme apo e papërballueshme në terma afatgjatë.

Nëse dëshiron të shohësh të gjithë këtë ndjenjë mohimi, thjesht shih te një raport i kohëve të fundit nga Instituti Hoover me bashkautorë Kori Sheik (Kori Schake) dhe admirali në pension Geri (Gary) Roughead, ish-shefi i operacioneve detare.

Aty thuhet: “Strategjia aktuale me të drejtë i konsideron luftimet me intensitet ushtarësh dhe luftimet e zgjatura tokësore apo operacionet kundërkryengritëse të pagjasa dhe ne zgjedhim të pranojmë rrezikun në këtë element të dizenjos së forcës sonë, për shkak se është e pagjasë që udhëheqësit politikë të zgjedhin një rrugë të tillë”.

Por prit. Ky serum i luftës së lehtë nuk mund të kurojë as sfidat në politikën e jashtme me të cilat përballen udhëheqësit politikë në të ardhmen e afërt. Çfarë mendon lufta e lehtë për rënien potenciale të Koresë së Veriut? Si i zgjidh ajo interesat amerikane të sigurisë në konfliktin e Sirisë? Dhe unë guxoj të pyes: a mund ta ndalojë kjo strategji Iranin nga prodhimi i armëve bërthamore?

Perspektiva e rënies së Koresë së Veriut me lehtësi demaskon besimi e gabuar se ne mund të shmangim apo shtyjmë për më vonë operacionet tokësore. Parandalimi i përhapjes së armëve kimike dhe teknologjisë së tyre kërkon identifikimin, kontrollimin dhe ekzaminimin e mijëra objekteve, shumë tonëve materiale dhe një numri të panjohur shkencëtarësh.

Problemi është jashtëzakonisht kompleks dhe kërkon një përpjekje gjithëpërfshirëse. Megjithatë ne jemi duke i thënë vetes se armët në distancë dhe sulmet kibernetike mund të mjaftojnë. Dhe dështimi në përgatitje për kolaps nënkupton pranimin e një rreziku të madh: humbjen e armëve bërthamore në tregun botëror të armëve.

Debati i fundit mbi bombardimet në Siri vuri në dukje dy dështime të mëdha të doktrinës së Tronditjes dhe Frikësimit. E para, sulmet ajrore nuk mund të shkatërrojnë në mënyrë të besueshme stoqet e armëve kimike. E dyta, nëse ato dështojnë në ndalimin e sulmeve me armë kimike, ne do të përballemi me një pyetje tjetër të madhe: çfarë ndodh pas kësaj? Për më tepër, debati i armatimit të rebelëve tregon se ne thjesht nuk e kuptojmë dinamikën vendore mjaftueshëm mirë për të ditur se kë mund të mbështesim me besim.

Në fund, ne po krijojmë idenë e ndërhyrjes “nëse gjërat shkojnë keq”. Ky problem i botës reale është shumë më tepër domethënës për të ardhmen se sa fantazitë madhështore për një luftë në Detin e Kinës së Jugut.

Ndërkohë, Irani ka mësuar se si të mposhtë operacionet e bombardimeve duke mësuar nga eksperienca e Irakut. Fabrikat e saj gjenden thellë nën tokë, ndoshta përtej kapacitetit goditës të armëve konvencionale. Çdo opsion ushtarak për të ndaluar prodhimin e armëve bërthamore në Iran do të kërkojë shumë më tepër se sa bombardime me precizion. E ku do të jemi ne pas kësaj? Duke kërkuar një zgjidhje iluzive të një lufte me një shtet bërthamor që kërkon hakmarrje.

Leksioni është i gjatë: Narrativa e përqendruar te goditjet, një doktrinë që na është rishfaqur sot nuk mund të zgjidhë problemet reale me të cilat ne përballemi. Armiku ka fjalën e vet dhe ne jo gjithmonë jemi në gjendje të zgjedhim se me kë luftojmë.

Është shumë tronditës dhe praktikisht frikësues, që njerëzit po propagandojnë një teori të tillë pas një dekade eksperience në luftë. Supozimi se ne nuk do të kemi nevojë të bëjmë luftë tokësore është i pavlefshëm.

***

Edhe diçka tjetër duhet të na frikësojë ne në lidhje me luftën e lehtë: Strategjitë kohore bazohen në platforma kohore, koha e të cilave me të vërtetë po kalon. Këto janë aeroplanmbajtëset dhe avionët e sulmit me pilot. Këto armë nuk janë një zgjidhje ndaj kërcënimit kinez që synon të na ndalojë aksesin dhe që aktualisht përbën thelbin e mendimit të tyre strategjik.

Diskutimet aktuale të hapura flasin se si kinezët po zhvillojnë një rrjet mbrojtës kompleks dhe të ndërlidhur. Beteja detare-ajrore është krijuar për të penetruar këto mbrojtje duke përdorur një grup goditës me aeroplanmbajtëse, grup që përfaqëson një fuqi të pandalueshme pothuajse gjithkund në botë – me përjashtim të një zone prej 1500 kilometrash përreth Kinës, ku 500 raketa të komanduara dhe 2 mijë avionë mbrojnë tokën kineze.

Rishiko këtë ekuacion. Raketat antianije kineze DF-21D mund të arrijnë objektiva deri në 1,600 kilometra larg, ndërsa avionët problematikë F-35 kanë një rreze lufte vetëm 1200 kilometra.

Platforma e ofruar nga beteja detare-ajrore bazohet në një ide të dështuar nga e shkuara që ka edhe më pak kuptim sot. Kur plane të ngjashme po raportoheshin në kohën e Reganit (Reagan), admirali Stenfild Tërner (Stansfield Turner) komentoi:

“Marina jonë do të bëhet e aftë të dërgojë luftë drejtpërsëdrejti në bazat apo aeroportet sovjetike në territorin sovjetik. Kjo tingëllon e fuqishme dhe patriotike. Problemi i vetëm është se ne duhet ende të gjejmë një admiral të vetëm që beson se marina amerikane do të tentojë diçka të tillë”.

Ky është një koment i vlefshëm edhe sot. Si mund të parandalojmë ne një rrebesh raketash që kushtojnë një milion dollarë copa dhe që synojnë të mbytin anije që kushtojnë 1 miliard dollarë copa?

Edhe sistemet e mbrojtjes kundër avionëve me pilot po lëvizin në të njëjtin drejtim. Akoma më keq, ndërsa kostot ulen, numri i vendeve të afta për të mbajtur sisteme goditëse antiajrore dhe antifetare thjesht sa do të rritet. Konkluzioni është i qartë si kristali. Shumica e investimeve detare dhe ajrore të SHBA-së po zhyten në platforma që po i bashkohen anijeve të luftës dhe kalorësisë së rëndë si relike. Nëse ne nuk e ndryshojmë këtë, thjesht sa po blejnë nostalgji.

Strategjitë e bazuara te sulmet duken infektive në sytë e armiqve, agresive ndaj palëve neutrale dhe të pabesueshme tek aleatët. Nuk ka asnjë dyshim që Kinës i pëlqen shumë kjo skemë. Shtetet e Bashkuara po mbysin miliarda dollarë në një strategji që ndikon në mënyrë minimale objektivat e saj.

E para, frika se Kina do të përdorë kapacitetet e veta të mohimit të aksesit për të ndërprerë rrugët e tregtisë është e dyshimtë. Kina është një fuqi tregtare që ka shumë pak interes në mbylljen e kanaleve detare të tregtisë.

E dyta, zgjidhjet e luftës së lehtë ndaj një agresioni kinez nuk janë të besueshme. A beson ndokush që një goditje me gjilpërë do të ndalojë Pekinin? A mundet që një forcë me bazë aeroplanmbajtëset do të dominojë zona kritike të një vendi më të madh se sa Shtetet e Bashkuara? A mundet që një “bllokadë në distancë” të vihet re nga një vend i rrethuar nga partnerë tregtarë? Një plan parandalues goditës kundër Kinës injoron historinë e gjatë të këtij lloji lufte: Popullatat në kohë lufte dhe në ekonomi moderne janë jashtëzakonisht rezistuese dhe të përshtatshme. Kina pëlqen gjithashtu Strategjinë e Tronditjes dhe Frikësimit për shkak se ajo sulmon pikat e forta të mbrojtjes së saj.

E ku ka mënyrë më të mirë për ta nxjerrë Xhaxha Semin nga sfera jote e influencës se sa detyrimin e tij për të sulmuar një mbrojtje të shekullit të 21 me një sulm të shekullit të 20? Veçanërisht kur ndërtimi i një armate të tillë do ta falimentojë Amerikën?

Kina pëlqen shumë betejat detare-ajrore.

Edhe fqinjët e Kinës duhet të shqetësohen mbi obsesionin e SHBA-së me luftën e lehtë. Koreja e Jugut është një humbës i madh i kësaj strategjie për shkak se tërheqja e forcave tokësore amerikane është konkluzioni logjik i reduktimeve masive të forcave tokësore amerikane. Shumica e vendeve të rajonit kanë frikë nga pushtimi nga Ushtria Çlirimtare Popullore me 1.25 milionë ushtarë se sa nga pushtimi nga marina e Kinës.

Një strategji me bazë sulmin nuk u ofron atyre ndonjë mbështetje domethënëse kundër ushtrisë kineze. Duke qenë se iluzionet për t’i dhënë fund luftës tokësore janë vënë mënjanë, ata dëshirojnë një marrëdhënie mbështetëse me fuqi të gamës së gjerë që t’i mundësojë atyre të ruajnë pavarësinë e vet. Nëse ata nuk mund të konkurrojnë me fuqitë kineze, çfarë zgjidhje do të kenë përveç nënshtrimit? Edhe një herë lufta e lehtë nuk na ofron një zgjidhje.

Historia na tregon se luftërat tokësore nuk mundet të zhduken. Kini parasysh: SHBA zvogëluan ushtrinë e vet para Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Koresë dhe bllokadës së Berlinit. Në të tria rastet, shtetet autokratike mbushën hendekun e krijuar. Në dy raste, kostot strategjike qenë të rënda. Në rastin e tretë situata për pak sa nuk përfundoi në luftë bërthamore. Dëshira për të prodhuar një “shekull detar” prodhon edhe rreziqe të jashtëzakonshme strategjike; jo vetëm kaq, por mundet të shkaktojë edhe humbje të tmerrshme njerëzore.

[Disfatat] në Kalimin Kaserine, në Perimetrin Pusan dhe në luftën e Irakut të gjitha ishin pasojë e dritëshkurtësisë të kësaj natyre.

Është gjithashtu një fakt i thjeshtë se kur forcat tokësore janë të pakta, lufta joshet. Rigjallërimi i fuqive tokësore kërkon shumë vite. Një mobilizim i parashikuar i rezervistëve kërkon shumë muaj ndërsa mobilizimi i papritur kërkon shumë më tepër. Gjatë kësaj kohe ne ia lëmë iniciativën armikut.

Kundërshtarët potencialë e dinë këtë dhe e shfrytëzojnë me ngulm këtë mundësi. Nëse ne duam të shmangim luftën tokësore, atëherë bëjmë mirë të ndërtojmë një ushtri të aftë për ta fituar atë.

***

Pra çfarë alternative kemi ndaj Betejës Detare-Ajrore? Një strategji e mirë ka nevojë ta bëjë agresionin më të kushtueshëm për kundërshtarët nga sa është mbrojtja e tyre e kushtueshme për ne.

Ne na duhet ta rifreskojmë paradigmën e sulmit. Në vend që të mbysim miliarda dollarë nëpër aeroplanmbajtëse dhe avionë, të cilët kanë një përdorim në pakësim, ne kemi nevojë të ecim përpara drejt gjeneratës së ardhshme të artit të luftës: shërbimet teknike duhet të investojnë në anije avionë dhe nëndetëse pa pilotë (me përjashtim të nëndetëseve me raketa balistike).

Nëse ne posedojmë shumë anije që mbajnë avionë me mijëra avionë sulmues në vend që të kemi disa grupime aeroplanmbajtësesh masive, Marina do të jetë në gjendje të mbrojë botën me më shumë eficencë.

Reduktimet shoqëruese në trajnimin e pilotëve dhe ndërtimin e anijeve do të ulin edhe presionin buxhetor. Në këtë pikë ne mund të heqim dorë nga supozimi utopik se operacionet tokësore janë optimale.

Ne duhet të bazohemi gjithnjë e më shumë te kontaktet me ushtritë e vendeve aleate. Shiko shembullin e Arabisë Saudite. Për shumë dekada, Shtetet e Bashkuara mbajtën marrëdhënie ushtarake dhe diplomatike. Kur Iraku pushtoi Kuvajtin, interesat u puqën dhe Arabia Saudite u bë një aeroplanmbajtëse që nuk mbytet dhe një bazë nisjeje.

Natyrisht strategji të tilla duhet të përdoren edhe në Azinë Juglindore ose kundër Iranit. Këto marrëdhënie që kthehen në aleanca strategjike, janë pothuajse gjithmonë të bazuara mbi vlera, siç e kemi parë, shumica e vendeve në zonat e interesit të SHBA-së dëshirojnë të ndërtojnë forca tokësore.

Ajo që nuk duhet të bëjmë është të iluzionojmë veten. Teoritë e bazuara te goditjet ajrore janë tërheqëse për shkak se ofrojnë zgjidhje të thjeshta dhe mashtruese. Ato përjashtojnë si mundësi çdo problem të ngatërruar dhe fokusohen në sfida për të cilat ne kemi zgjidhje të pastra. Ato na bëjnë të ndihemi mirë. Ato prehen në dëshirën tonë për kurim të lirë dhe të mrekullueshëm. Për fat të keq, ato nuk janë me të vërtetë të mira për të filluar luftëra, as për t’i fituar apo për t’i parandaluar ato.

Nëse teoria e falimentuar Godit dhe Frikëso paraqitet te ne si një strategji sërish, dikush do të na konsiderojë se po luajmë blofin. Pasi kanë injoruar zgjidhjet e vështira, udhëheqësit e SHBA-së do ta gjejnë veten përballë dy zgjedhjeve të këqija: të pranojnë një situatë të papranueshme ose të hyjnë në një luftë për të cilën ne nuk jemi të përgatitur. Kjo është ekzaktësisht ajo që ndodhi në Irak. Dhe nëse ne vijojmë të besojmë te të njëjtat gabime, duhet të jemi të sigurt se kjo do të ndodhë sërish. Nuk ekzistojnë luftërat e lehta./GSH/kohaislame.com

Artikulli paraprakGoogle prezanton robotët ushtarakë
Artikulli vijuesSi të kujdeseni për gjumin e fëmijës suaj