Si të nxjerrim dobi nga portalet dhe gazetat

Si të nxjerrim dobi nga portalet

«Ai që nuk lexon kurrë gazeta, është i marrë; por ai që beson çdo gjë që lexon, vetëm se thuhet në gazetë, është edhe më i marrë.»—August fon Shlëcer, historian dhe gazetar gjerman në fundin e shekullit të 18-të.

Në një anketë të bërë në Britani dhe në Francë, mijëra njerëz u pyetën se sa besim kishin në 13 institucione të shoqërisë. Shtypi u radhit i fundit, madje pas politikës dhe shoqërive të mëdha të biznesit. Në Shtetet e Bashkuara, shumica e lexuesve ende u besojnë gazetave.

Shpesh ka një arsye për të dyshuar në vërtetësinë e asaj që thuhet në gazetë apo portale, sidomos kur tema e trajtuar prek interesat kombëtare të vendit. Ç’ndodh në një rast si ky? Shpesh sakrifikohet e vërteta. Siç tha dikur edhe Artur Ponsonbi, një burrë shteti anglez i shekullit të 20-të: «Kur shpallet luftë, viktima e parë është e vërteta.»

Edhe kur nuk shpallet ndonjë luftë, mirë është t’i shohim lajmet me një sy deri diku dyshues.

Nëse jeni të kujdesshëm sa duhet, në përgjithësi gazetat mund t’ua plotësojnë dëshirën që keni për informacionet që ju duhen.

 

Rëndësia e lajmeve

Media është e rëndësishme sot, sepse na mban në dijeni të asaj që po ndodh në botë. Dhe kjo është jetësore. Përse? Sepse fundi i këtij sistemi dhe kësaj periudhe do të dallohej nga luftërat, rritja e paligjshmërisë, mungesa e ushqimeve, sëmundjet, tërmetet dhe ngjarje të tjera që lidhen me to.

A do të thotë kjo që të besojmë çdo gjë që lexojmë në gazetë? Jo, madje edhe ata që i janë përkushtuar gazetarisë, thonë se duhet kujdes.

 

Të kuptojmë vështirësitë

Çdokush bën gabime, edhe profesionistët më të ndershëm e më të zotë. «Gjatë karrierës sime trevjeçare si bashkëpunëtore e jashtme për verifikimin e fakteve,—shkroi Ariela Harti në gazetën Columbia Journalism Review,—kurrë nuk më ka rënë në dorë ndonjë artikull pa gabime, qoftë me pesë faqe, qoftë vetëm me dy paragrafë.» Për shembull, ajo përmend raste si «një vit i pasaktë, informacione të vjetra, gabime drejtshkrimore, informacione të përhapura gjerësisht, por që nuk ishin marrë nga burimi i vërtetë dhe ishin të gabuara».

Gazetarëve u duhet të kenë kujdes me burime lajmesh që nuk janë të besueshme. Ndonjëherë shtypin e mashtrojnë. Në vitin 1999, një mashtrues sajoi një lajm të rremë për një «kënd lojërash në formë varreze». Që të dukej si e vërtetë, hapi një faqe interneti që binte në sy, për një kompani e cila gjoja do të merrej me ndërtimin e këndit. Gjithashtu, duke u hequr si zëdhënës i kompanisë, vuri në dispozicion një linjë telefonike për të dhënë intervista. Agjencia e informacionit nuk arriti ta zbulonte rrengun, ndaj kjo histori përfundoi në faqet e shumë gazetave të përditshme të Shteteve të Bashkuara. Thuhet se i gjithë sekreti që një mashtrim të ketë sukses, është të sajohet «një histori ngacmuese e shoqëruar me efekte pamore, që është tronditëse, por megjithatë e besueshme».

Edhe gazetarët që nisen nga motive të mira, ndonjëherë nuk informohen sa duhet për lajmin. «Gazetarët zakonisht kanë një ritëm pune të shpejtë,—thotë një gazetare në Poloni.—Gazetat bëjnë garë me njëra-tjetrën. Secila do që ta botojë lajmin e para. Prandaj, shumë prej nesh, edhe pse duan, nuk arrijnë të shkruajnë një artikull të bazuar në kërkime të bëra me kujdes.»

 

Presione për t’u përshtatur

Liria e shtypit 2003—Studim botëror i pavarësisë së medias, nga 193 vende, 115 i kategorizoi si vende ku liria e shtypit nuk ekziston ose është e pjesshme. Megjithatë, edhe në vendet që gëzojnë lirinë e shtypit, lajmet mund të manipulohen me marifet.

Ndonjëherë, disa gazetarëve thjesht nuk u jepet e drejta të marrin lajme të rëndësishme, kurse disa të tjerë që i dinë mirë rregullat e lojës, marrin intervista ekskluzive dhe ftesa për të shoqëruar politikanët gjatë udhëtimeve. Në lajme mund të ndikojnë edhe të ardhurat nga gazetat. «Reklamuesi mund të kërcënojë që do t’i tërheqë reklamat fitimprurëse, nëse redaktori boton diçka negative për të»,—tha një gazetar polak. Një redaktor në një gazetë japoneze, paralajmëroi: «Mbani parasysh se është shumë e vështirë të japësh një lajm në mënyrë objektive.»

Ju mund të pyetni: ‘Po mirë atëherë, kur gazetarët profesionistë hasin vështirësi të tilla për të nxjerrë artikuj të besueshëm, nga ta dijë lexuesi se çfarë të besojë?’

 

Duhet një pikëpamje e ekuilibruar

Është e qartë se nevojitet gjykim i shëndoshë. Lexuesi duhet të shqyrtojë me kujdes për të kuptuar nëse ajo çka thuhet, tingëllon e vërtetë. Me mençuri, ai, si të thuash, provon dhe zgjedh atë që është e vërtetë.

Po kështu, një lexues mund t’i bëjë vetes pyetje të tilla si: ‘Çfarë formimi kulturor ka gazetari? Ç’paragjykime ka? A bazohet kjo histori në fakte të pamohueshme që mund të verifikohen nga të tjerët? A mund të ketë qenë dikush i interesuar që e vërteta të shtrembërohej?’ Me mençuri, një lexues mund të kontrollojë burime të ndryshme për verifikim. Gjithashtu, ai mund ta diskutojë me të tjerët atë që lexon. «Kush ecën me të mençurit, do të bëhet i mençur»,—thotë një proverb.

Në të njëjtën kohë, mos pritni përsosmëri. Siç e pamë, ka disa arsye që i pengojnë gazetat të jenë plotësisht objektive. Megjithatë, ato mund t’ju informojnë për atë që po ndodh në botë. Është e rëndësishme të jesh në dijeni të asaj që ndodh. Gazetat mund t’ju ndihmojnë për këtë, por ndërkohë mbani parasysh edhe kufizimet e tyre.

 

KUR SHTYPI PASQYRON PARAGJYKIMET

Shpesh, shtrembërimi i fakteve në lajme vjen si rrjedhojë e informimit të nxituar ose keqinformimit. Sidoqoftë, histori të tilla që shkruhen me motive të mira, shpejt mund të përhapin gënjeshtra serioze. Nga ana tjetër, ndonjëherë njerëzit përpiqen qëllimisht të përhapin lajme të rreme, siç ndodhi në Gjermaninë naziste kur u përhapën gënjeshtra për njerëzit e disa racave e feve.

Si pasojë, shumë njerëz të keqinformuar e mbase edhe të frikësuar, mendonin se Dëshmitarët e Jehovait ishin ose një kult vetëvrasës, ose bashkëpunëtorë të nazistëve.

 

Artikulli paraprakAssange: Interneti është i rrezikshëm dhe di më shumë për ne se nënat tona
Artikulli vijuesLumturia bashkëshortore, shkak për ruajtjen nga sëmundjet