Si vendosën të fitojnë pensionistët amerikanë tek Hashim Thaçi

Në Ballkan ka qenë prej kohësh e njohur se ish-Sekretarja amerikane e Shtetit Madeleine Albright dhe shoqja e vjetër e gjeneralit Wesley Clark, ish-komandant i forcave të NATO-s gjatë fushatës së bombardimeve të Jugosllavisë, janë miq të hershëm të Hashim Thaçit. Ata edhe sot e kësaj dite nuk janë bërë fare pishman që, për hir të “shpëtimit të shqiptarëve të Kosovës”, dhanë urdhër për të bombarduar Jugosllavinë.
Madeleine Albright e pyesin shpesh herë në lidhje me atë, se çfarë ndjesish pat provuar ajo kur në NATO po merrej vendimi për fillimin e operacionit të bombardimeve. Në një intervistë me botimin “The Huffington Post” ajo u tregua maksimalisht e sinqertë: “Mua më vjen keq vetëm për një gjë, dhe pikërisht, se nuk e filluam që më parë operacionin ajror kundër Jugosllavisë”. Gjenerali në pension (në lirim) Wesley Clark gjithashtu përsërit kudo: “Ne gjithçka e bëmë ashtu siç duhet, në mënyrë plotësisht të drejtë”. Prej tyre, sigurisht, që nuk mund të pritej ndonjë reagim tjetër. Para fillimit të çdo operacioni ushtarak në Pentagon dhe CIA llogarisin gjithmonë se çfarë fitimi mund të pritet pas përfundimit të tij. E rëndësishme është për ta që në pushtet të jenë njerëzit e duhur.

Për pasuritë dhe investimet e Kosovës Hashim Thaçi dhe njerëzit e rrethit të tij të ngushtë po përvetësojnë me mjaft sukses frytet e tyre. “Kjo është e jona, ne jemi zotër në tokën e Kosovës sonë” – ja cila është teza kryesore e tyre.

Thaçi dhe ekipi i tij ftojnë tani nga e gjithë bota ata që janë të gatshëm me pak para të marrin nën kontroll objektet më të rëndësishme industriale të Kosovës.

Kryeministri i tanishëm i Kosovës e ka kuptuar me kohë se duhet nxituar me privatizimin. Sepse Beogradi mund të kërkojë në çdo moment të paktën një pjesë të pasurisë së vet. Po sikur në Bruksel të mbështesin papritmas kërkesat e Serbisë?

Prandaj dhe po nxitojnë tani pensionistët e pasur dhe me shumë ndikim amerikanë si Madeleine Albright e Wesley Clark (Uesli Klark) për të shtënë në dorë copat më të mira të kulaçit të privatizimit kosovar. Clark që në pranverën e vitit të kaluar ka aplikuar për një licencë për eksplorimin dhe përvetësimin e depozitave të qymyrit në Kosovë. Ndërsa rezervat e qymyrit atje vlerësohen në 16 miliardë tonë. Askush tjetër në Europë nuk ka të tilla. Gjenerali amerikan në lirim ka ndërmend të nxjerrë nga ky qymyr deri në 100.000 fuçi naftë sintetike në ditë – ndërsa këto janë miliarda dollarë.

Nuk mbetet pas tij edhe zonja Albright. Duke zotëruar tashmë operatorin më të madh të telefonisë celulare në Kosovë – firmën IPKONET, ajo ka menduar të blejë edhe Shoqërinë e korporatizuar aksionare “Posta dhe Telekomunikacioni i Kosovës”. Ndërsa këta janë gati një milion konsumatorë të telefonisë mobile dhe njëqind mijë abonentë fiksë.

Kështu që dashuria e pakushtëzuar, pra pa interes, nuk ekziston. Amerikanët e ndihmuan Hashim Thaçin për t’u bërë zot i Kosovës dhe tani mund të marrin me meritë të plotë shpërblimet e tyre. Nuk ka gjasa që Albright dhe Clark të humbasin tenderat përkatës. Sigurisht, në Prishtinë do të përpiqen të inskenojnë konkurrencën e drejtë, do të ftojnë edhe ndokënd tjetër që gjithashtu dëshiron të fitojë para. Por fituesit e tenderave janë paraprakisht të njohur. Pikërisht për hir të biznesit dhe fillojnë luftërat. Sot shumica e ekonomistëve të autoritetshëm të botës konfirmojnë unanimisht – me qëllim që dollari amerikan të vazhdojë të drejtojë edhe më tej botën, duhet të mbështeten në mënyrë të pandërprerë konfliktet ushtarake. Pa këtë anija jashtëzakonisht e madhe aeroplanmbajtëse (angl. airplane carrier) e quajtur SHBA, thjesht, do të shkojë në fund të detit./ruvr

 

*Permbajtja e paraqitur ne kete artikull nuk reflekton domosdoshmerisht qendrimet e redaksise se kohaislame.com, ato jane qendrime te redaksise nga eshte marre artikulli. 

 

Artikulli paraprakSiri – Mbi 100 të vdekur nga sulmet e forcave të regjimit gjatë 24 orëve të fundit
Artikulli vijuesMedia izraelite: Me votën PRO ndaj palestinës në OKB humbëm Evropën