Siri, 46 viktima nga dy sulme me autobomba në Homs

Dy sulme me autobomba u kanë marrë jetën 46 personave në qytetin sirian të Homsit. Pjesa më e madh e viktimave janë civilë, sipas grupit monitorues “Observatori sirian i të drejtave të njeriut”, me seli në Londër.

Nuk është ende e qartë, për momentin, se kush qëndron pas dy shpërthimeve, por zonën e goditur këtë herë, e ka shënjestruar më parë në disa raste Shteti Islamik.

Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry njoftoi arritjen e një marrëveshjeje provizore me Rusinë për një armëpushim të pjesshëm, çfarë përbën – sipas tij, – afrimin më të madh deri tani me një pushimzjarri të vërtetë, transmeton TCH.

Më herët gjatë këtij muaji, fuqitë botërore të përfshira në krizën e Sirisë ranë dakord të kërkonin ndaljen e menjëhershme të luftimeve, por afati i vendosur për të premten, u afrua dhe kaloi pa asnjë risi.

Kerry deklaroi të dielën se, së bashku me homologun e tij rus, Lavrov, kanë arritur kushtet e armëpushimit, por theksoi se mbeten ende detaje për t’u shikuar e zgjidhur.

Artikulli paraprakTifozi i kërkon fanellën Mehës me ndihmën e “Google Translate”
Artikulli vijuesTë rinjtë janë shndërruar në mjet për realizimin e qëllimeve të partive politike