Siri: Kthesë e papritur, do të ndalohet sulmi?

Kthesë në krizën e Sirisë: Barack Obama ndoshta nuk do të sulmojë regjimin në Damask. Presidenti i SHBA-së tha se do ta pezullojë sulmin nëse Assad do të lejojë kontrollet e armëve kimike, nga autoritetet ndërkombëtare.

Christiane Amanpour është korrespondente me përvojë e CNN-it. Por as ajo nuk është e sigurt se si duhet ta vlerësojë Amerika propozimin e papritur nga Moska dhe çfarë fshihet pas tij: “Kemi të bëjmë ose me një propozim serioz ose me një taktikë të re vonese.”

Skepticizëm tek amerikanët
Ngjashëm skeptike ishin edhe reagimet e para zyrtare të qeverisë së SHBA-së. Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Marie Harf tha se nuk është rastësi që qeveria ruse bëhet aktive pikërisht tani që kërcënon një sulm ushtarak: “Ne do ta shqyrtojmë me hollësi pozicionimin rus. Por tek ne mbizotëron shumë skepticizëm.”

Pak kohë më vonë doli para shtypit zv/këshilltari për sigurinë i Presidentit Obama, Tony Blinken. Edhe Blinken u shpreh me tone të kujdesshme por disi më i hapur: “Natyrisht ne do të përshëndesmin dorëzimin e armëve kimike nga Assadi në mënyrë që të mund t’i shkatërrojmë. Ky është qëllimi ynë, pra që ai të mos të mundë t’i përdorë më kurrë.”

“A u përpoq ministri i Jashtëm Kerry t’i japë një shans të ri diplomacisë me propozimin e tij në Londër?”. John Kerry të hënën (09.09.2013) në Londër tha se Assadi mund të shmangte sulmin nëse do t’i dorëzonte armët e tij kimike brenda një jave bashkësisë ndërkombëtare.
Si zëdhënësja e Ministrisë së jashtme Harf ashtu edhe këshilltari për sigurinë Bliken iu shmangën këtyre pyetjeve të gazetarëve. Duket se prapa deklaratës së Kerry-t nuk fshihej asnjë strategji dhe krejt rastësisht u hap një dritare për një zgjidhje diplomatike të minutës së fundit.

Siria gjithashtu pranon propozimin rus për armët kimike

Siria ka deklaruar se pranon propozimin e Rusisë për të vendosur arsenalin e armëve kimike në dispozicion të komunitetit ndërkombëtar.
“Ne patëm një bisedë shumë të frytshme me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov ditën e hënë dhe ai propozoi një iniciativë që ka të bëjë me armët kimike. Dhe në mbrëmje ne e pranuam atë”, ka deklaruar ministri i Jashtëm sirian Walid Muallim, që ndodhet në Moskë.
Ai ka shtuar se kjo do të zhbëjë themelet për një agresion ushtarak nga ana e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më herët gjatë ditës, qeveria franceze deklaroi se do të çojë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për të vendosur armët kimike të Sirisë nën kontroll ndërkombëtar, në mënyrë që ato të shkatërrohen.
Ministri i Jashtëm Laurent Fabius deklaroi në një konferencë për shtyp se rezoluta parashikon pasoja “jashtëzakonisht serioze” nëse Siria shkel kushtet e saj.
Zoti Fabius nënvizoi se rezoluta, e bazuar në pesë pika, do të kërkojë që Siria “të nxjerrë tërësisht në dritë” programin e saj të armëve kimike, si dhe të lejojë inspektimet ndërkombëtare për shkatërrimin e tyre.
Rezoluta do të parashtrohet në bazë të Kapitullit 7 të kartës së Kombeve të Bashkuara për aksione të mundshme ushtarake dhe jo ushtarake për vendosjen e paqes, tha zoti Fabius.
Ai shtoi se plani ishte diskutuar më parë, por është avancuar për shkak të presioneve të ushtruara në javët e fundit. Më herët gjatë vitit Rusia ka bllokuar të gjitha përpjekjet e udhëhequra nga Franca në Këshillin e Sigurimit për një rezolutë kundër sirisë.
Si Franca ashtu dhe Shtetet e Bashkuara janë të matura përsa i përket një loje me stil iraken, të tipit “macja me miun”, por ato janë të gatshme t’i japin një shans propozimit të Moskës.
Ajo që Franca dëshiron të shmanget, tha më tej shefi i diplomacisë së Parisit zyrtar, është një plan që shërben si taktikë për të vonuar proceset, prandaj dhe të gjitha opsionet, përfshirë kërcënimin me një sulm, do të mbeten mbi tryezë, transmeton Top Channel.

Trysnia ndaj regjimit sirian duhet të vazhdojë
Ish ministrja e Jashtme amerikane Hillary Clinton, e di mirë se si e vlerëson propozimin e fundit rus Presidenti Obama. Pas një takimi me Obamën në Shtëpinë e Bardhë, Clinton tha: “Nëse regjimi sirian i vendos menjëherë nën kontroll ndërkombëtar armët kimike, ky do të ishte një hap i rëndësishëm.” Në asnjë mënyrë nuk duhet të kemi një taktikë të re shtyrjeje. Qeveria ruse duhet më në fund të mbështesë seriozisht përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare.
Për këtë arsye është e rëndësishme që të vazhdojë trysnia mbi regjimin sirian, tha Hillary Clinton. Ajo u shpreh se mbështet Presidentin Obama dhe është pro një sulmi ushtarak kundër regjimit sirian.
Ekspertët nuk presin që Obama t’i shtyjë sërish planet e tij të deritanishme për sulm. Edhe pse në sfond vazhdojnë përpjekjet për të kuptuar sa serioz është propozimi rus, Presidenti amerikan ditët e ardhshme do të përpiqet të bindë qytetarët dhe deputetët për domosdoshmërinë e një përgjigje ushtarake. Pas gjashtë intervistash televizive të martën në mbrëmje (10.09.2013) pason fjalimi i Obamës drejtuar kombit. Trysnia ndaj regjimit sirian dhe Moskës nuk duhet të zvogëlohet. Por Senati e ka shtyrë votimin e planifikuar për të mërkurën(11.09.2013). Sipas sondazheve të fundit 60 për qind e amerikanëve dëshirojnë që Kongresi të refuzojë një mision ushtarak në Siri.

*Thënë më qartë nga momenti kur Parlamenti Britanik në fillet e këtij procesi votoi kundër ndërhyrjes dhe orëvatjet e SHBA-ve për të zgjeruar aleancën, ishin shenja të qarta se ky është vetëm veprim i shteruar politik, por i qëllimshëm që të ul turpin para publikut ndërkombëtar dhe në anën tjetër t’i jepet kohë Basharit dhe t’i lejohen ndihma dhe mundësi nga jashtë që ndoshta ai do ta dominoi luftën kundër opozitës. Si duket mesazhi i dhënë qoftë para kësaj iniciative qoftë në rrethanat e reja është: nuk është problem të vriten 300 000 njerëz të pafajshëm, vetëm mos të vriten 1000 nga armët kimike, të gjitha armët tjera mund të përdoren për shfarosjen e muslimanëve./kohaislame.com

Artikulli paraprakTelevizioni i bën të palumtur fëmijët
Artikulli vijuesZyrtare: Apple prezanton iPhone 5S