Mbi 60 persona besohen të kenë vdekur pas plot 7 shpërthimesh që kanë shënjestruar disa vendndodhje të qyteteve bregdetare të Jablehut dhe Tartusit, të dyja në provincën e Latakias në Siri, sipas raportimeve më të fundit mediatike ruse. Këto vendndodhje ndodhen shumë pranë bazave ushtarake ruse, konkretisht bazës ajrore Khmeimim si dhe bazës detare në Tartus, transmeton Top Channel.
Raportime të pakonfirmuara bëjnë të ditur se numri i viktimave nga sulmet në seri në të dy qytetet mund të shkojë deri të paktën 110 persona. Grupi islamik Ahrar ash-Sham al-Islamiyya ka marrë përsipër përgjegjësinë për shpërthimet në Jableh dhe Tartus.
Sipas medias “Ikhbariya TV”, ka pasur të paktën 3 shpërthime në Jableh, pranë terminalit lokal hekurudhor. “Ria Novosti” raporton për një shpërthim të katërt në një njësi emergjencash pranë një spitali lokal. Shpërthimet kanë lënë të paktën 45 viktima sipas burimeve policore në këtë qytet.
Jableh duket se është vënë nën objektivin e bombardimeve me zjarr murtajash, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “SANA”. Pamje që qarkullojnë nëpër media sociale tregojnë shtëllunga tymi mbi Jableh, si dhe disa automjete të shkatërruara e të djegura.
Ndërkohë, 3 shpërthime të tjera janë raportuar në zonën rezidenciale të qytetit tjetër bregdetar, Tartus, sipas dëshmitarëve të “Ria Novosti”. Atje besohet të kenë vdekur të paktën 20 persona, sipas burimeve policore.
Sipas televizionit shtetëror sirian, njëri prej shpërthimeve në Tartus ka qenë një autobombë, ndërsa tjetra është shkaktuar nga një kamikaz që ka hedhur veten në erë.
Të dy qytetet e shënjestruara nga sulmet e së hënës janë shumë pranë ambienteve të përdorura nga “task forca” ruse në Siri.