Siria dhe Turqia duan të shmangin konfliktin ndërkufitar

Në kufirin turko-sirian ka pasur sërish shkëmbime zjarri. Ankaraja e kërcënon Sirinë me hakmarrje. Ekspertët nuk shohin ndonjë rrezik të menjëhershëm, por as nuk e përjashtojnë mundësinë e përshkallëzimit të gjendjes.
Kur qëllohet nga pala siriane atëherë ushtria turke nuk heziton gjatë. Kështu ndodhi edhe nga mesi i tetorit, kur jo për herë të parë një raketë siriane fluturoi përtej kufirit turk, ushtria turke u kundërpërgjigj menjëherë me mortaja. Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka paralajmëruar se kushdo që dëshiron të testojë fuqinë mbrojtëse të vendit të tij, do të bëjë një gabim fatal. Shefi i shtabit të tij Nexhdet Ozel kërcënoi me sulme hakmarrëse masive. Parlamenti në Ankara i hapi rrugën një ndërhyrjeje të mundshme në vendin fqinj. Situata e tensionuar ngjall frikën e luftës tek bashkësia ndërkombëtare. Nga ana tjetër ekspertët edhe pse nuk shohin ndonjë rrezik të menjëhershëm të luftës nuk e përjashtojnë mundësinë e përshkallëzimit të konfliktit.

Drejtori shkencor i Institutit për Hulumtime të Paqes dhe të Sigurisë në Universitetin e Hamburgut, Michael Brzoska aktualisht e sheh si joreal një përshkallëzim të mëtejshëm. Te aktorët kryesorë mbisundon interesi në mospërshkallëzimin e situatës. Siria nuk dëshiron luftë. ” As në Turqi, unë nuk shoh tani ndonjë interes për përfshirje në konfliktin ndër-sirian”, thotë Brzoska.
Edhe eksperti sirian në Institutin Giga në Hamburg, André Bank nuk pret që aktualisht disa shkëmbime të izoluara zjarri të kthehen në një luftë të vërtetë. Erdogan duhet të ketë parasysh se shumica e përkrahësve të partisë së tij në pushtet është kundër një ndërhyrjeje të mundshme ushtarake.
Gjendje e paqartë në rajonin kufitar
Sidoqoftë, situata në rajonin kufitar është e koklavitur. Nuk është gjithnjë e qartë se cila palë e armatosur nga pala siriane qëllon në drejtim të Turqisë. Gjithashtu nuk mund të thuhet se a bëhet fjalë për të shtëna aksidentale apo të qëllimshme. Një goditje shkatërruese me shumë të vdekur në një shkollë apo në një spital turk mund të detyrojë politikanët dhe ushtarakët në Ankara për të vepruar. “Kjo mund të ndodhë vetëm nëse pala turke ballafaqohet me një dimension të ri të dhunës”, thotë Bank.

Që nga shpërthimi i luftës civile në Siri, marrëdhëniet e mira midis dy vendeve fqinje kanë vazhduar të përkeqësohen. Erdogan e cilësoi Asadd-in si diktator duart e të cilit janë përlyer me gjak. Që prillin e kaluar, trupat siriane kishin qëlluar përtej kufirit në një kamp refugjatësh në provincën turke Kilis. Si pasojë u patën plagosur disa njerëz. Dy muaj më vonë ushtria siriane goditi një avion ushtarak turk. Të dy pilotët u vranë. Pastaj vendi anëtar i Nato-s, Turqia filloi të dërgojë trupa dhe tanke në provincën e saj juglindore.
Kulmi i konfliktit u arrit në 3 Tetor. Gjatë një beteje mes ushtrisë dhe rebelëve sirian disa granata ranë në fshatin kufitar turk Akcakale. Si pasojë humbën jetën pesë turqë. Atëherë artilieria turke u kundërpërgjigj duke qëlluar në territorin sirian. Ndërkohë të dyja vendet kanë bllokuar hapësirat e tyre ajrore për avionët nga ana tjetër./dw

Artikulli paraprakFSK do të parakalojë në Tiranë
Artikulli vijuesIrak: Nga sulmet me të shtëna dhe bomba – 17 të vrarë