Nga mëngjesi i sotëm është ndaluar hyrja e këshilltarëve të Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) për të gjithë punësuarit nga ministri Oliver Spasovski, – raporton portali “Dokaz”.
Këtyre të punësuarve u janë bllokuar kartelat elektronike me të cilat hapen dyert e zyrave të kësaj drejtorie, transmeton “Lajm”. Para ndërtesës së DSK-së qëndron një polic dhe nuk lejon të futet asnjëri nga të ashtuquajturit “njerëzit e Oliverit në MPB”. Ky polic thotë se vetëm është duke respektuar urdhrin e drejtorit të DSK-së, i cili u përmend si një nga kryeshefat e policisë që nuk njeh vendimet e ministrit që është nga radhët e LSDM-së.
Ky rast paraqet vazhdim të ri të “puçit” që ja bëjnë kuadrot e MPB-së ministrit të punëve të brendshme dhe që reflektohet negativisht në situatën e sigurisë në vend, – shkruan “Dokaz”.