Papa Françeskume sot pritet të nënshkruajë dekretin për kanonizimin e shenjtores shqiptare Nënë Tereza.
Papa pritet të bëjë edhe shpalljen e datës për shenjtërimin e Nënës Terezë. Ndër datat e mundshme, mendohet të jetë 5 shtatori, dita e vdekjes së shenjtores, transmeton KP.
Papa Francesku miratoi në dhjetor të 2015 një dekret për njohjen e një mrekullie që i atribuohet ndërmjetësimit të saj me Perëndinë.
Nënë Tereza, e cila vdiq në shtator të vitit 1997, u shpall e lume në vitin 2003 nga Papa Gjon Pali i Dytë. Lumnimi është hapi i fundit para shenjtërimit.
Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, që u bë më pastaj në gjithë botën e njohur si Nënë Tereza, u lind në Shkup më 26 gusht të vitit 1910 në një familje me prejardhje nga Prizreni.
Më 1979 ajo mori çmimin Nobël për Paqe. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta të Indisë, ku kishte kaluar pjesën më të madhe të jetës duke ndihmuar të varfrit.