Me rastin e 22 nëntorit, Kongresit të Manastirit dhe Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe do të organizohen një sërë aktivitetesh për të përkujtuar këtë ditë të veçantë në historinë e popullit shqiptar, ditë e cila është edhe festë për shqiptarët në Maqedoni.
Aktivitetet organizohen nën patronazhin e zëvendëskryeministrit Hazbi Lika. Ditën e sotme do të vizitohet Muzeu i Alfabetit në Manastir, ndërsa aktivitetet do të përmbyllen me koncertin solemn, që organizohet tradicionalisht në këtë vend, që sivjet do të mbahet në sallën e madhe të institucionit kombëtar, Qendra për kulturë. Në koncert parashikohet të marrin pjesë figura të shquara shqiptare, ministra dhe pjesëmarrës nga komuniteti ndërkombëtar. Gjithashtu, sot në qeverinë e Republikës së Maqedonisë do të priten dhe nderohen në mënyrë solemne figura të arsimit të gjuhës shqipe.
Me rastin e përkujtimit të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 10-vjetorin e themelimit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, ky institut në bashkëpunim me Postën e Maqedonisë, promovoi pullën postare me portretin e Faik Konicës, me rastin e 75 vjetorit të vdekjes, si dhe pullat postare me figurat e tjera kombëtare shqiptare të ekspozuara në sallën e Institutit.
Kongresi i Manastirit u zhvillua mes 14-22 nëntorit të vitit 1908. Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në këtë Kongres u miratua vendimi që të pranohet alfabeti latin me disa ndryshime të shkronjave duke i adaptuar ato për gjuhën shqipe. Në Manastir, morën pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Kryetar i Kongresit u zgjodh Mit’hat Frashëri, kurse nënkryetarë ishin Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi, ndërsa motra e tij Parashqevi Qiriazi, ishte gruaja e vetme në këtë Kongres.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.
Në Manastir funksionon Muzeu i Alfabetit të Gjuhës Shqipe, në të cilin gjenden rreth 56 fotografi të pjesëmarrësve dhe 230 dokumente në formë digjitale dhe në letër.