Shkruan: Mubekir Palloshi
Qeveria e Republikës së Maqedonisë për vite me rradhë është duke i bërë goditje serioze ekonomisë së vendit duke i gjymtuar seriozisht ndërmarrjet e vendit.
Ministria e Financave me politikat e saja të gabuara për çdo ditë është duke e fundosur ekonominë e vendit, duke thithur nga ajo kapital të freskët pa të cilën kjo qeveri e përfshirë në afera të ndryshme të korrupsionit nuk mund të ekzistojë.
Në vitin 2008 borxhi publik i vendit ishte 1.5 miliardë euro, nga te cilat vetëm 466 milionë euro ishin nga burimet e brendshme. Sot, borxhi publik është 4.2 miliardë euro prej të cilave mbi 1.5 miliardë euro janë nga burimet e brendshme. Pra, nga viti 2008 deri në vitin 2016 kemi thuajse trefishim të borxhit publik, ndërkohë që kjo nuk ka reflektuar pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien e banorëve të këtij vendi. Përkundrrazi, gjatë periudhës së rritje së borxhit publik, vendi është varfëruar më shumë, numri i njerëzve që e braktisin vendin në mungesë të prespektivës është rritur, sikundërse është rritur edhe numri i përmendoreve të cilat portretizojnë më së miri megalomaninë e një qeverie që varfërinë dhe mjerimin politik përpiqet ta fsheh pas historive të sajuara si rezultat i problemit të një populli me identitetin dhe të kaluarën e tyre.
Duke iu referuar këtyre të dhënave, konkludojmë se Qeveria e Maqedonisë për 7 vite nga ekonomia e vendit ka thithur 1.2 miliard euro të cilat de fakto më nuk janë në dispozicion të ndërmarrjeve vendore. Me këto politika të gabuara Qeveria e Republikës së Maqedonisë ka penguar rritjen e kapaciteteve ekonomike vendore duke u bërë faktori kryesor që ekonomia e vendit të qalojë.
Trendi i huamarrjes, i aplikuar nga kjo qeveri, ndikon jo vetëm në moszhvillimin ekonomik, por njëkohësisht e pengon edhe prespektivën e Maqedonisë, pasi që me vite të tëra nga buxheti i shtetit do të paguhen hua për projekte të cilat nuk ndikojnë thuajse fare në zhvillimin ekonomik dhe në të njëjtën kohë, do të bëhen pengesë që të zhvillohen bizneset në vend.
(Autori është anëtarë i Këshillit Qendror në Lëvizjen BESA)