Ç’prej ditësh, një deklarim i mitropolitit malazez, Mihajlo, ka bërë bujë të madhe. Ai, përkundër pozitës së tij teologjike, ka deklaruar atë që në njëfarë mënyrë e shndërron në mysliman: se Zoti është një i vetëm dhe se Muhamedi është i dërguari i tij. Por ky deklarim nuk është dhe aq befasues për studiuesin e feve nga Mali i Zi, Senad Maku, për të cilin Mihajlo ka mbajtur qëndrime të pëlqyeshme karshi të vërtetave, siç në rastin e masakrës së Sebrenicës. Por mbi të gjitha, Maku sheh tek deklarimet e kreut të ortodoksëve malazezë, dhe një “arsye biblike” të sinqertë për të pohuar një të vërtetë mbi Islamin dhe myslimanët…
Ju jeni studiues i shkencave komparative, ose ndryshe krahasuese mes feve. Çdo të thotë kur një klerik i lartë i krishterë pohon me gojën e tij pikërisht atë çka e ndan Krishtërimin nga Islami, statusin e Muhamedit si i dërguari i Zotit?
Është e vërtetë se Islami dhe Krishterimi dallohen nga njëra tjetra në shumë pikëpamje, e njëra ndër to është edhe nga fakti se Muhamedi a.s. a është pejgamberi i fundit apo jo, gjë që Krishterimi këtë nuk e pranon, që Muhamedi a.s. është i dërguari i Zotit. Gjithashtu, kemi parë edhe disa nga klerikët ortodoksë që kur flasin për Islamin përdorin terma fyes dhe nënçmues, etiketues, etj, ndaj fesë por edhe muslimanëve në përgjithësi.
Sa i përket fjalëve të Kreut të kishës Ortodokse malazeze, mitropoliti Mihajlo, i cili nga mosha është shumë i vjetër, afër 78 vjet (në krye të Kishës Ortodokse malazeze vjen në vitin 1998), dhe njëherit edhe është një studiues dhe klerik shumë i zoti, duke pasur parasysh profilin e tij shumë të bujshëm në sferën teologjike dhe shkollimin e tij, ka bërë një bujë të madhe me deklaratën e tij dhënë para 2 ditëve në një intervistë për televizionin Face Tv, i cili foli shumë mirë dhe qartazi duke e quajtur gjenocid rastin e muslimanëve të vrarë në Srebrenicë, gjë që kisha ortodokse serbe e mohon nje gjë të tillë, pastaj foli shumë qartazi dhe shumë pozitive për fenë islame, ku mes tjerash tha: “Allahu është Një, Atij i lutemi dhe prej Tij ndihmë kërkojmë, dhe askush nuk mund ta mohojë faktin që Muhamedi është i dërguari i Tij”. Gjë që këtë të fundit e përsëriti disa herë me bindje të plotë se Muhamedi është i dërguar i Zotit, ku tek klerikët e tjerë vështirë të dal nga goja një deklarim i tillë.
Por, siç dihet, ose siç mund të mësohet nga ata që nuk kanë njohuri të mirëfillta teologjike, pohimi i faktit se Muhamedi është i dërguari i Zotit, e fut një individ në Islam. Në këtë rast, mitropoliti malazez, është dhe mysliman?
Në Islam, për t’u bërë muslimanë ka disa rregulla paraprake dhe një ndër to duhet të deklarosh Shehadetin e plotë, apo dëshminë: Dëshmoj se nuk ta të adhuruar tjetër pos Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij – atëherë kjo do të ishte më e mirë dhe më bindëse që ta kishim dëgjuar nga goja e tij, por pasiqë foli mirë dhe tregoi të vërtetën e asaj që shumë të tjerë e mohojë në postin e tij që është, atehërë mund të themi që ka një lloj simpatie ndaj fesë islame dhe të dërguarit Muhamed (paqa e Zotit qoftë mbi të), sidoqoftë do t’ia lëmë kohës se çka do të na tregojë.
Si mendoni, pse e ka bërë një pohim të tillë, aq më tepër kur e ka ditur se ajo çfarë po nxjerr nga goja do jetë e bujshme?
Mendoj që shumica e klerikëve të krishterë, qofshin ato katolikë apo ortodoksë, apo të sekteve tjera të krishtere, besoj që e njohin realitetin dhe të vërtetën hyjnore islame, dhe doktrinën e saj, edhe pse nuk e publikojnë haptazi apo para masës. Por unë mund të citoj nga ajo që Zoti i Plotfuqishëm e cek në librin e shenjtë, Kur’anin Famëlartë: …dhe do të vëresh se miqtë më të afërt të tyre (besimtarëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”. Kjo për shkak se ndër ta ka priftërinj (të dhënë mbas dijes) e murgj (të përkushtuar ndaj adhurimit) dhe se ata nuk janë kryelartë (ndaj së vërtetës). (El-Maide, 82) dhe citati tjetër: ”Atyre që ua kemi dhënë librin, ata e njohin atë (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet.”
Meqë jetoni në Mal të Zi, për çfarë njihet ai, çfarë e ka karakterizon si klerik? A ka ndodhur dhe më parë që të japë deklarime të tilla delickate nga aspekti fetar?
Aq sa e njoh dhe kam lexuar për të, ky njihet si njeri i cili ka bërë ndarjen e Kishës Ortodokse serbe ndaj Kishës Ortodokse malazeze, andaj në Malin e Zi kemi këto dy lloj kishash ortodokse, ku është edhe pengesa kryesore pse Mali i Zi ende nuk e ka lëndën fetare nëpër shkolla publike sikur shtetet tjera sllave, pikërisht nga kjo ndarje e kishës ortodokse. Gjithashtu, ky njihet edhe për deklaratat për rastin e Srebrenicës duke e quajtur genocid ndaj popullatës muslimane. Ndërsa deklarata e fundit e tij është e para e këtij lloji që flet për fenë Islame, Allahun dhe Muhamedin a.s..
Ekziston një ide sipas së cilës, shumë klerikë të krishterë e kanë të qartë të vërtetën Muhamedit dhe Islamit, porse kanë preferuar t’i qëndrojnë asaj ç’ka mund të kenë trashëguar nga një fat jetësor. Ka ndonjë të vërtetë në këtë?
Unë e ceka edhe më lartë citatet nga libri i shenjtë, Kur’ani ku thotë: …dhe do të vëresh se miqtë më të afërt të tyre (besimtarëve) janë ata që thonë: “Ne jemi të krishterë”. Kjo për shkak se ndër ta ka priftërinj (të dhënë mbas dijes) e murgj (të përkushtuar ndaj adhurimit) dhe se ata nuk janë kryelartë (ndaj së vërtetës). (El-Maide, 82) dhe citati tjetër: ”Atyre që ua kemi dhënë librin, ata e njohin atë (Muhammedin) siç i njohin bijtë e vet.” Po të analizojmë mirë Biblën e tyre, që njëherit edhe e kam studiuar këtë lëmi, kam parë që një pjesë e madhe e citateve të Biblës janë të përafërta me Kur’anin dhe me parimet e fesë islame, gjë që klerikët katolikë iu largohen këtyre vargjeve, apo thënë ndryshe iu ndryshojnë kuptimin për të cilën na flet një varg biblik apo një kaptinë në tërësi. Në Bibël, kam hasur dhe ritin e namazis, pra se si duhet ta adhurojmë Zotin Fuqiplotë, agjërimin, besimin në një Zot, dhe atë që në shumë vargje biblike, Jezusi nuk mund të quhet Zot apo bir i Zotit; pastaj në mohimin e kryqëzimit të tij, e deri tek ardhja e një të dërguari të fundit, siç është i dërguari Muhamed. Këtu mund të sjellim fakte të bollshme nga Bibla për këto që thashë. /tesheshi.com/
Bisedoi: Ermir Hoxha