Ndonëse disa nga sufijtë e sotëm e shajnë Ibn Tejmijen dhe e akuzojnë për gjëra nga më të ndryshme, e kjo për shkak të paragjykimeve që ata kanë ndaj tij dhe mësimeve të tij, ai vetë në fakt ka qenë krejt i paanshëm kur ka ardhur punë te gjykimi i tyre. Por, nga ana tjetër Ibn Tejmija nuk ka qenë as armiku i përbetuar i sufizmit në tërësi siç paraqitet nga disa.
Ibn Tejmije i ka shpjeguar praktikat dhe traditat e sufive në shumë fetva të tij, të cilat më pas i ka mbledhur në një libër të vetëm të quajtur “Kital At-Tasauf”, (Libri i Tesaufit). Ai ka lavdëruar disa nga sufijtë e kohës së tij, duke i konsideruar ata si njerëz që përpiqen me sinqeritet për të arritur dashurinë e Allahut. Për Ibn Tejmijen, sufiu ishte një njeri që mundohet ta pastrojë veten e tij (nesfin) nga çdo gjë që e shpërqendron nga përkujtimi i Allahut, aq sa për disa prej tyre ari dhe guri kishin të njëjtën vlerë. “Sufiu,” thotë Ibn Tejmije, “është njëfarë Siddiku (njeri i sinqertë), i specializuar në zuhd dhe adhurim.” (Volumi 11,”At-Tauassuf” në “Mexhmu’a Fataua Ibn Tejmije al-Kubra”).
Por, mendimi i Shejhul-Islamit, përmbante edhe anën kritike ndaj disave që pretendonin se ishin sufij, si Al-Hallaxhi dhe Ibn Arabiu, të cilët kritikoheshin edhe nga disa prej sufijve. Gjithashtu, ai i konsideronte disa sufi si ndjekës të bidatit (risimtarë në fe) dhe zindikë (njerëz të prishur që fshehin mosbesim në vetvete).
Kurse pretendimet e disave se Ibn Tejmije ka qenë krejtësisht anti-sufist dhe kundër Tesaufit nuk janë të vërteta. Të thuash se Ibn Tejmije e kundërshtonte Tesaufin në tërësi vetëm pse i konsideronte disa praktika të sufijve si të papranuara sheriatikisht, është njësoj si të thuash se ai e kundërshtonte shkencën e Fikhut, vetëm pse ka kritikuar disa pikëpamje dhe praktika të disa fukahave (juristëve islam). Jo vetëm kaq, por disa prej sufijve kanë pretenduar si ai vetë ka qënë sufij. Në një dorëshkrim të zbuluar në librarinë e Universitetit të Princeton-it, Ibn Tejmija rënditet në një gjenealogji sufiste bashkë me disa dijetarë të tjerë të njohur hanbeli. Por ky është i vetmi rasti ku përmendet se Ibn Tejmije ishte prej sufijve. Asnjë nga biografët apo nxënësit e Ibn Tejmijes nuk e ka përmendur gjëkundi këtë.
Megjithatë, përtej pretendimeve të tilla, apo përtej fakti se Ibn Tejmije kishte njëfarë pranueshmërie për disa nga sufijtë e kohës së tij, këtu vlen të theksohet se ai i ka pranuar vetëm ato praktika sufiste që nuk dilnin nga Kurani dhe Suneti. Po ashtu, edhe nxënësi i tij, Ibn Kajjim el-Xheuzijeh ka mbajtur një qëndrim të ngjashëm ndaj sufijve të kohës së tij; e që në pak fjalë ishte “pranimi i çdo praktike që konsiderohej në përputhje me Kuranin dhe Sunetin dhe refuzimi i çdo gjëje që nuk përputhej me to.” (Majmu Fataua Shejh al-Islam, vol. 10, faqe 82).
Ibn Tejmije, e praktikoi këtë parim ndaj ideve, praktikave dhe personaliteteve sufiste. Për këtë arsye ai i ndau sufitë në tre kategori:
Në kategorinë e parë, futeshin ata që ai i quante Meshaikh al-Islam (dijetarët islam), Mashaikh al-Kitab ue al-Sunnah dhe A’immat al-Huda. (Mexhmu’at al-Rasa’il ua al-Masa’il, vol. 1, faqe 179, dhe Mexhmua Fataua Shejh al-Islam, vol. 10, faqe 516-7 dhe vol. 11, faqe 233). Disa nga sufitë e mëvonshëm, të cilët i fuste në këtë kategori, ishin ata që sipas tij nuk ishin “helmuar”, nuk e kishin humbur rrugën e tyre, e që nuk vepronin diçka që e kundërshtonte Kuranin dhe Sunetin. (Mexhmua Fataua Shejh al-Islam, vol. 10, faqe 516-7).
Në kategorinë e dytë futeshin ata sufij të cilët gjatë eksperiencës së Fana-s dhe shukrit humbisnin vetëdijen dhe thonin fjalë të papërgjegjshme. E vetëm pasi vinin në vete e kuptonin se kishin gabuar. (Maxhmua Fataua Shejh el-Islam, vol. 10, faqe. 220-1). Disa prej këtyre sufijve gjatë përjetimeve bënin gjëra në kundërshtim me Sheriatin, por pasi u kalonte “dehja” ata jetonin në përputhje me Sheriatin. Ibn Tejmije ishte kundër këtyre praktikave që bëheshin gjatë kësaj gjendjeje. Megjithatë, ai i justifikonte këta persona për shkak se gjendja në të cilën kalonin i bënte ata të papërgjegjshëm. (Mexhmuat el-Rasa’il ua el-Masa’il, vol. 1, faqe 168; Mexhmua Fataua Shejh el-Islam, vol. 10, faqe 382, 557).
Kritikat e tij më të mëdha i drejtoheshin kategorisë së tretë të sufijve, të cilët besonin në ide dhe doktrina që ishin në kundërshtim me parimet e Islamit (si Wahdetul-Wuxhuud dhe Al-Haluul – mishërimi), apo ata që kënaqeshin me praktika që dënoheshin nga sheriati. Sufisti i parë në këtë grup ishte Al-Hallaxhi, që konsiderohej i dalë nga feja (Mexhmuat el-Rasa’il ua el-Masa’il, vol. 1, faqe 81, 83; Mexhmua Fataua Shejh el-Islam, vol. 11, faqe 18). Sufijtë e tjerë që morën kritika nga Ibn Tejmije ishin edhe ata që zhvilluan doktrinën e “Unitetit të Ekzistencës” (Wahdetul-Wudxhuud), si Ibn el-Arabi, Sadr el-Din el-Kunaui, Ibn Sina dhe Tilimsani. Ndërsa për Ibn Arabiun, i cili ishte një figurë qendrore i kësaj doktrine, Ibn Tejmija ka përpiluar kritika të detajuara. Ibn Tejmija nuk e kundërshtonte thellimin në disa forma të pranuara të dhikrit, apo disa metoda të pastrimit të shpirtit, të kufizuara brenda normave të sheriatit. (Maxhmu’at el-Rasa’il ua el-Masa’il, vol. 4, faqe 86-87).
Këtu vlen të theksohet se Al-Hallaxhi, të cilin Ibn Tejmija dhe disa sufistë e konsideronin jobesimtar, u ekzekutua në Bagdad në vitin 922 h. për shkak se kishte thënë “Ana al-Hakk” (Unë jam i Vërteti, dmth Zoti). Në mesin e atyre që kishin dhënë vendimin se al-Hallaxhit duhej të vritej kishte qenë dhe vetë mësuesi i tij, Al-Xhunajdi. (Për këtë shiko Abu Abd al-Rahman al-Sulami, në Tabakat al-Sufiyya. Editor Nur al-Din Shariba, Maktaba al-Khanji, Kairo, 1986, faqe 307-8).
Kategorinë e tretë Ibn Tejmije e kishte ndarë në dy nënkategori, pavarësisht tarikatit që i përkisnin. Këtu futeshin ata që adhuronin dikë tjetër përveç Allahut, si profetët, “evlijatë” (shenjtorët), të gjallë apo të vdekur qofshin. Ata thonin: “O Xhejlani,” “O Rrifai” (duke u thirru evlijave të tyre). Ose luteshin: “O i Dërguari i Allahut, na ndihmo dhe na shpëto”, ose “o i Dërguari i Allahut, ne varemi nga ti,” etj. Gjithashtu, në këtë kategori futeshin edhe ata që besonin në doktrinën e Wahdetul-Wuxhuud. (Unite i ekzistencës). Ata nuk e ndanin Krijuesin nga krijimi i Tij. Por thonin se gjithçka është krijim dhe gjithçka është Zot (besime të ngjashme me hinduizmin, panteizmin, etj). Madje, disa prej tyre pretendonin se merrnin dije direkt nga Zoti, pa ndërmjetësim e Profetit. Ata thonin: “Haddethenij Kalbij an Rabbij”, (Ma tha zemra, nga Zoti im).
Siç mud të shihet, termi Tesauf, i njohur ndryshe si “sufi” ka një domethënie mjaft të gjerë dhe përfshin brenda vetes një mori grupesh të ndryshme.
Në këtë kuptim, kritika e ashpër e selefijve të sotëm sotëm ndaj sufizmit është e drejtuar kryesisht ndaj grupeve të ngjashme me kategorinë e tretë, por në raste jo të rralla edhe ndaj disa praktikave të pa pranueshme sheriatikisht të sufijve që Ibn Tejmija i ka futur në kategorinë e dytë.
Përgatiti Enes Neza