Bien dëshmorë dy ushtarë të tjerë të lënduar në sulmin terrorist në Bitlis. Numri i dëshmorëve u rrit në gjashtë, ndërsa ende vazhdon trajtimi mjekësor i pesë ushtarëve të plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të siguruara, në spital kanë ndërruar jetë edhe dy ushtarë që u plagosën në sulmin e organizuar nga organizata terroriste PKK në zonën rurale të qytezës Hizan. Ndërkaq, ende vazhdon trajtimi mjekësor i pesë ushtarëve të tjerë të plagosur.
Operacioni në zonë i mbështetur nga ajri ende po vazhdon.
Paraprakisht ishte bërë e ditur se në luftimin që shpërtheu gjatë operacionit ndaj PKK-së në fshatin Nazar, dëshmorë ra roja e fshatit Müslüm Yaldız, 28-vjeçar, i cili ishte martuar një vit më parë dhe i cili një muaj më parë ishte bërë baba, ndërsa një ushtar u plagos.
Gjatë operacioneve që po ndërmerren, terroristët organizuan sulm ndaj automjetit të blinduar që po kthehej nga fshati Gayda në afërsi të zonës ku ra dëshmor Yaldız. Mjeti shpërthyes të cilin terroristët e kishin vendosur në rrugë, shkaktoi shpërthimin mjetit të blinduar gjatë kalimit.
Ushtarët e plagosur janë transferuar në Spitalin Shtetëror të Bitlisit.