Sulmi terrorist në Van të Turqisë, 3 të vdekur dhe 73 të plagosur

Gjatë sulmit terrorist në stacionin e policisë në Van, që ndodhi të mërkurën në mbrëmje, kanë humbur jetën tre persona, ndërsa 73 të tjerë janë plagosur, raporton Anadolu Agency (AA).

Në mesin e tre personave të vdekur është edhe një polic. Autoritetet lokale njoftuan se gjatë shpërthimit të bombës në qytetin në lindje të Turqisë në mesin e 73 të lënduarve, 20 janë nëpunës policorë.

Ibrahim Tasyapan, prefekt i Vanit, tha se terroristët e PKK-së aktivizuan autobombën në afërsi të stacionit policor në lagjen Ipekyolu.

Ai theksoi se një i dyshuar është arrestuar gjatë operacionit i cili filloi menjëherë pas sulmit, dhe shtoi se gjatë sulmit janë dëmtuar shumë ndërtesa në afërsi të stacionit policor.

Zahir Sogada, zyrtari lokal i partisë në pushtet, AK Partisë, tha se: “Ky sulm nuk do t’i dekurajojë njerëzit në Van. Këto janë orvatjet e fundit të organizatës terroriste. Ata tentojnë që të prishin rezistencën e popullit të Vanit, gjë që asnjëherë nuk do t’ia arrijnë.”

Ndërkohë, dy policë janë plagosur gjatë një sulmi të terroristëve të PKK-së në krahinën juglindore Hakkari të Turqisë të enjten në mëngjes, theksuan për AA në kushte anonime burime nga forcat e sigurisë.

PKK-ja, e cila karakterizohet si organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, në korrik të vitit 2015 vazhdoi luftën 30 vjeçare kundër shtetit turk. Që atëherë, kanë rënë dëshmorë mbi 600 pjesëtarë të forcave turke të sigurisë, ndërsa janë vrarë më shumë se 7.000 terroristë të PKK-së.

Artikulli paraprakEkspertët në Washington diskutuan rreth tentativës për grusht shteti në Turqi
Artikulli vijuesSulm terrorist në Elazığ, 3 të vdekur dhe rreth 100 të plagosur