Tajfun në Tajvan, 3 viktima dhe 142 të plagosur

Supertajfuni Nepartak mbërriti në Tajvan duke goditur ashpër ishullin aziatik rreth 15 km larg qytetit Taitung. Tajfuni me reshje të dendura dhe erëra me shpejtësi deri në 240km/h ka shkaktuar deri tani 3 viktima dhe 142 të plagosur, si dhe dëme të shumta materiale.

Metereologët thanë se terreni malor i Tajvanit zbuti disi fuqinë e stuhisë, por pamjet e publikuara në media tregojnë qartë se kjo nuk mjaftoi për të pakësuar dëmet. Autoritetet lokale thanë se që pa mbërritur në tokë, tajfuni Nepartak goditi ishullin tajvanez me reshje të forta për disa orë duke shkaktuar shumë përmbytje.

Më shumë se 16 000 njerëz u evakuuan nga zonat e prekura më rëndë, ndërsa transporti urban thuasje është ndalur plotësisht. Po ashtu, janë anuluar shumica e fluturimeve nga aeroporti ndërkombëtar i Tajvanit, transmeton TCH.

Nepartaku është tajfuni më i madh që godet Tajvanin prej 6 vjetësh dhe i pari për sezonin e këtij viti të stuhive. Metereologët thonë se Nepartaku u parapri nga një periudhë e gjatë dhe e pazakontë qetësie. Në fakt, e gjithë zona e Paqësorit veriperëndimor nuk kishte një stuhi me emër që prej dhjetorit 2015, periudha më e gjatë e qetësisë që kur të dhënat për to nisën që të regjistrohen.

Metereologët ndërkohë e kanë cilësuar Nepartakun si një stuhi thuajse perfekte, e cila duke qenë e para e sezonit të tajfuneve, nuk është aspak lajm i mirë për ato që do të pasojnë.

Artikulli paraprakLufta e Irakut, zëvendësi i Blairit: Ishte e paligjshme
Artikulli vijuesTurqia thekson rëndësinë e paqes dhe sigurisë në takimin e G20 në Kinë