Lufta e Irakut, zëvendësi i Blairit: Ishte e paligjshme

Ai i John Prescot, ish-zëvendëskryeministër i Britanisë në kohën e fillimit të luftës në Irak, është një reflektim i vonuar, por që mbërrin me një akuzë: pushtimi i forcave amerikane dhe atyre britanike, – thotë sot ish-zëvendësi i Blairit, – ishte “i paligjshëm”, transmeton Top Channel.

Në një shkrim të tij të botuar nga “Sunday Mirror”, Prescot rrëfen se i duhet të jetojë me vendimin katastrofik. “Nuk kalon ditë pa menduar për momentin e nisjes së asaj lufte, pa menduar për trupat britanike që dhanë jetët e tyre, apo ata që u plagosën për vendin e tyre. Për 175 mijë civilët, të cilët vdiqën nga ‘kutia e Pandorës’ që hapëm ne duke rrëzuar Saddam Husseinin”, shkruan ai.

Ndërsa nuk harroi të përcillte “keqardhjen më të thellë” sidomos familjeve të ushtarëve të vrarë britanikë, Prescot iu referua raportit “Chilcot” duke theksuar se i ka hyrë vërtet në detaje gabimeve të bëra, por shtoi se dëshiron të identifikojë disa mësime që duhen nxjerrë nga ky rast.

“Shqetësimi im i parë, – nënvizon ish-zyrtari i lartë, – është mënyra sesi e drejtoi Tony Blair kabinetin. Neve na jepeshin shumë pak dokumente në duar, mbi të cilat të merrnim vendime. Asnjë i tillë nuk na u paraqit që të justifikonte mendimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Lordit Goldsmith, se ndërhyrja në Irak ishte e ligjshme”, vazhdon Prescott.

Vet Blair kërkoi më herët ndjesë për gabimet e bëra, por tha se i qëndron deri në fund vendimit për ta çuar vendin në luftë. Deputeti konservator David Davis deklaroi se do të paraqesë një mocion ndaj ish-kreut të ekzekutivit për shpërfilljen e Parlamentit lidhur me çështjen e Irakut.

Nëse mocioni pranohet, ligjvënësit mund të diskutojnë e të votojnë përpara ndërprerjes së punimeve për shkak të sezonit veror, nëse Tony Blair do të konsiderohet fajtor për keqorientimin e Dhomës së Komunëve apo jo.

Artikulli paraprakDhuna policore, Ahmeti dhe Pampers ministrat e tij
Artikulli vijuesTajfun në Tajvan, 3 viktima dhe 142 të plagosur