Të dënohen huliganët që i rrahën shqiptarët mbrëmë (Lëvizja Besa)

 Shkup, 10 gusht- Lëvizja Besa reagoi ndaj rrahjes së shqiptarëve nga huliganët maqedonas në ndeshjen futbollistike midis Vardarit dhe Shkupit.

 
“Fyerjet në baza etnike gjatë ndeshjes së futbollit Vardari-Shkupi dhe, pastaj, rrahja e shqiptarëve kalimtarë të rastit nëpër qytet mbrëmë, për Lëvizjen BESA janë edhe një dëshmi e radhës se ky shtet është kurdisur keq dhe se ata që tashmë disa vite e udhëheqin shtetin i prodhojnë dhe ushqejnë tensionet ndëretnike për përfitime të politikës ditore.
 
Nëse organet e rendit dëshirojnë të na bindin se nuk është kështu, kryerësit e këtyre veprimeve duhet të kapen detyrimisht sot dhe të arrestohen, ndërsa viktimat shqiptare të dëmshpërblehen nga shteti për dëmet e shkaktuara. 
 
Është për të ardhur keq që këta huliganë nuk kanë ndjeshmëri e respekt as për femrat. Keqardhja është edhe më e madhe për atë se çfarë gjenerate kanë edukuar dhe afirmuar ndër vite këta përfaqësues e abuzues të pushtetit.
 
Me këtë rast u bëjmë thirrje të gjithë shqiptarëve që të mos e heshtin këtë rast, por të kërkojmë përgjegjësi për këto veprime. Nëse dikush ishte në gjendje t’i djegë shqiptarët në Gjorçe Petrov për një incident që nuk kishin prapavijë etnike, sot do të duhet të ngrihej në këmbë gjithë shteti dhe shoqëria jonë për t’i dënuar këto veprime antiqytetëruese, antihumane dhe antishqiptare.”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Besa
 
© ZHURNAL.mk
Artikulli paraprakKomitët përgjakin disa të rinj shqiptarë në Shkup
Artikulli vijuesIsmaili: Rrihen shqiptar, mediat e pozitës dhe opozitës maqedonase në gjumë