"Të festohet dita e bashkimit shqiptaro-maqedonas kundër serbëve"

Partia VMRO-Popullore ka kërkuar nga Qeveria shpalljen për festë shtetërore të Kryengritjes së Ohrit, si simbol i rezistencës së përbashkët të shqiptarëve dhe maqedonasve kundër okupatorëve serbomëdhenj.
Kjo parti, që drejtohet nga ish-kryeministri Lubco Georgievski, ka kërkuar madje edhe ndërtimin e një përmendore me qëllim përjetësimin dhe festimin dinjitoz të kësaj ngjarjeje historike.

Ideja vjen tri ditë pas festimeve të 100-vjetorit të Betejës së Kumanovës, që sipas partisë së Georgievskit, ka përfunduar me pushtimin e llahtarshëm, torturimin dhe keqtrajtimin e popullatës së Maqedonisë nga ana e okupatorëve serbë.

“Për më pak se një vit, popullata maqedonase dhe ajo shqiptare kanë ndier se të ashtuquajturit. çlirimtarë nuk dallohen në asgjë nga robëruesit e deriatëhershëm osmanë. Duke mos mundur të durojnë terrorin mbi popullatën, në shtator të vitit 1913 është arritur marrëveshje mes VMRO-së dhe Komitetit Revolucionar Shqiptar për organizimin e një kryengritjeje të përbashkët. Për ta bërë këtë, është lidhur marrëveshje që kryengritja të drejtohet bashkërisht nga Petre Caulev dhe Sefedin Pustina”, thuhet në një komunikatë të VMRO-PP, transmeton “Zhurnal”.

Kjo parti thekson më tej se Kryengritja e Ohrit ka filluar më 9 shtator dhe disa ditë pas zhvillimit të saj, është dëbuar nga territori i Ohrit, Dibrës dhe pjesës perëndimore të Maqedonisë, ushtria okupatore e Serbisë.

“Kryengritja e Ohrit paraqet simbol i bashkimit të popullit maqedonas dhe atij shqiptar lidhur me çështjen e politikës okupatore serbomadhe në këto territore”, thonë nga VMRO-PP.

Artikulli paraprakProkuroria zvicerane kërkon 8 vjet burg për shqiptaren nga Maqedonia
Artikulli vijuesGjermanja nga Vetvendosje, jep shenja jete në Gjermani