Prokuroria zvicerane kërkon 8 vjet burg për shqiptaren nga Maqedonia

Prokuroria zvicerane në Cyrih ka kërkuar 8 vite burg kundër shqiptares Besnike I. nga Maqedonia, e cila akuzohet për therjen e një emigranti të huaj.
Akuza ngarkon 23 vjeçaren nga Maqedonia, për të cilën nuk jepen detaje të tjera, se kishte prerë me një shishe xhami në fytyrë emigrantin i cili kishte tentuar ti grabiste asaj gjësendet personale në një disko të Cyrihut.

Besnikja e shoqëruar nga dy miqtë e saj, Driton.R dhe Onur.Y, pasi ka hetuar grabitjen e çantës së saj ka kapur grabitësin dhe ka nisur përleshja me të. Në përleshje e sipër, Besnikja ka thyer një shishe të vodkës dhe i ka prerë fytyrën grabitësit. Kjo ka qenë edhe arsyeja që shqiptarja nga Maqedoni pritet të përballet me dënimin me burg, informon INA.

Prokuroria përmes fakteve të shpalosura ka theksuar se emigrantja nga Maqedonia kishte prerë grabitësin me shishen e thyer të xhamit, pasi që ai ishte i shtrirë për tokë dhe ishte dorëzuar. Por, avokati mbrojtës i Besnikes, Valentin Landmann, një nga avokatët më të njohur zviceran ka kërkuar dënim më të ulët, pasi që sipas tij, klientja e tij kishte reaguar në afekt dhe ka qenë nën ndikimin e alkoolit, transmeton INA.

Avokati mbrojtës ka kërkuar vetëm 2 vite burg, por prokuroria nuk është tërhequr nga vendimi prej 8 viteve burg. Prokurori zviceran Mathias Stammbach ka kërkuar dënimin maksimal, pasi që e akuzuara kishte gënjyer gjatë kohë gjykatën me dëshmitë e saj të rrejshme. Kjo ka çuar, që hetuesit të kërkojnë dënimin maksimal, pasi që ishte kryer edhe forenzika për të vërtetuar akuzën e ngritur ndaj saj.

Artikulli paraprakDoganierët kapen 1.5 kg ari kontrabandë
Artikulli vijues"Të festohet dita e bashkimit shqiptaro-maqedonas kundër serbëve"