Të qenët ballkanas-kosovarë-muslimanë

0
142

Në Kosovë muslimanët shtypen. Shtypja që bëjmë ndaj muslimanëve do të shpërthejë disi. Sa më e madhe shtypja aq më i fortë reaksioni do të jetë. Ata do të shpërthejnë pastaj në forma që s’janë aspak njerëzore, siç mund të jetë terrorizmi. Mos të lëmë pa përmendur që për muslimanët, kjo shtypje është shkalla e dytë e shtypjes, pasi secili në Kosovë përballet në fillim me atë shtypjen klasore, të pasurit mbi të varfërit.

Të gjithë popujt e rajonit të Ballkanit kanë një kulturë të veçantë. I referohen shpesh me “vulgariteti i Ballkanit”. Por aq më bënë mua kur më thotë “vulgar” një perëndimor që vjen nga një shtet si SHBA e cila transportin jofunksional publik e ka rezervuar për zezakët, shkollat e dobëta publike i ka rezervuar po për ata, e të mos flas për të tjera qasje raciste të evropianëve ndaj zezakëve, arabëve dhe popujve të tjerë joevropianë. Ah po, gati sa nuk e harrova racizmin që ka lindur në Evropë.

Të më falë secili nga këta të perëndimit, por vulgare mua më duket t’i lësh njerëzit të jetojnë në mjerim vetëm për shkak të ngjyrës së lëkurës, apo kur i trajton imigrantët sikur të ishin shtazë. Më falni sërish mua për “vulgaritetin” tim, por unë u besoj paraprakisht njerëzve, krijoj afërsi të shpejtë me ta dhe po, ne përqafohemi.

Kjo mund tu duket vulgare, por unë parapëlqej ta quaj njerëzore. Për sa i përket civilizimit dhe emancipimit, mendoj se subjekt i trajtimit në këto çështje, jemi të gjithë ne, lindje e perëndim, dhe atë sidomos për sa i përket orientimit ideologjik më shumë sesa për sjellje të ndryshme kulturore ku herë njëra e herë tjetra palë “çalon” me të madhe. Që prej vitit 1999 qytetarët e Kosovës janë dehur me këtë diskursin pro-perëndimor, krejt të thatë e të pa kuptim. Sa e sa perversitete u bënë në emër të lirisë dhe perëndimorizmit në Kosovë, vetëm e vetëm për t’i kënaqur pritjet e perëndimit për neve, jemi dëshmitarë vet.

Korrupsioni e të gjitha këto që sot i shohim si shkatërrimi i shoqërisë sonë, janë perfeksionuar nga zyrtarët e UNMIK-ut dhe të huajt që ua mësuan politikanëve tanë gati analfabetë metodat më perfide të korrupsionit. Tani qytetarët po përballen me një krizë të identitetit. Të gjithë duan ta fshehin atë pjesën e lindjes që rron mes nesh, që është normale dhe e cila duhet patjetër të jetë pjesë e kulturës sonë. Mundohen ta fshehin e ta nxjerrin në pah “dashurinë” për perëndimin. Sepse kështu jemi kushtëzuar. Duhet të jemi mjaftueshëm të mirë për ta merituar liberalizimin e vizave, apo ndonjë hap tjetër drejt euro-integrimit. “Ne jemi evropian” është shprehja që nxjerrë në pah mungesën e besimit tonë në atë se a jemi apo jo evropian. Çka nëse jemi, e çfarë nëse jo? Mos do të na hedhin jashtë kontinentit nëse del që nuk jemi?

A mund unë të jem ashtu siç dua të jem vet? Çka nëse s’dua të jem evropian? Çka nëse unë ndjehem ballkanas më shumë se çkado tjetër? A ka dikush problem me këtë, apo më saktë thënë, cili racist ka problem me këtë? Ne kemi nevojë që gjithë këtyre pyetjeve tu përgjigjemi në një debat të gjerë publik, secili prej nesh.

Ne kemi nevojë të çlirohemi nga gracka perëndimore që paraqet gjithçka të lindjes si primitive pa lejuar që të kritikohet vet. Në të kundërt, do të përballemi me pasojat e këtij presioni kur dimë se një pjesë e mirë e popullsisë së këtij rajoni po e zhvillojnë dita-ditës të qenët musliman.

“As-selam aleikum!” – është shprehja me të cilën po i përshëndes njerëzit kohëve të fundit. Kjo mënyrë e imja e përshëndetjes nuk ka të bëjë aspak me bindjet e mija rreth religjionit, thjesht po më duket interesant reagimi. Fillojnë të të shohin me rezerva, dyshim, e disa nënqeshen e fillojnë të shtrojnë pyetje “Qysh kur ti në fe?”. Pastaj unë ju shpjegoj që “as-selam aleikum” do të thotë “paqja qoftë mbi ty” në gjuhën arabe dhe se në vendet arabe përdoret si shprehje përshëndetëse. Njëjtë siç përdoret në perëndim “Hi!” ose “Hello!”. Ose kohëve të fundit është bërë shumë në modë përshëndetja “Peace!” (paqe) që shoqërohet me ngritjen e dy gishtërinjve. Pse të thuash “Peace!” qenka në rregull e të thuash “As-selam aleikum!” qenka çuditshëm?

Në Kosovë muslimanët shtypen. Shtypja që bëjmë ndaj muslimanëve do të shpërthejë disi. Sa më e madhe shtypja aq më i fortë reaksioni do të jetë. Ata do të shpërthejnë pastaj në forma që s’janë aspak njerëzore, siç mund të jetë terrorizmi. Mos të lëmë pa përmendur që për muslimanët, kjo shtypje është shkalla e dytë e shtypjes, pasi secili në Kosovë përballet në fillim me atë shtypjen klasore, të pasurit mbi të varfërit. Të pasurit që janë kryesisht politikanë, dhe të varfrit që janë shumica e popullit të Kosovës.

Dhe mos të harrojmë, që në këso gjendje ekonomike e sociale, dukuria e futjes së të rinjve në lëvizje ekstremiste fetare a nacionaliste është vetëm simptoma e lëngimit të shoqërisë nga varfëria, padrejtësia dhe pabarazia. Kohëve të fundit numri i atyre që po marrin pjesë nga rajoni ynë e sidomos nga Kosova në luftën e Sirisë për arsye religjioze, po rritet. Ky veprim është tregues i mirë i gjendjes së rëndë ekonomike e sociale. Në mes të kësaj krize identiteti dhe të një gjendjeje të tmerrshme ekonomike e politike, njerëzit më parë po gjejnë prehje në jetët pas vdekjes sesa që po mund ta ndjejnë pak shpresë për një të ardhme më të mirë. Kaq keq ka vajtur puna. Të rinjtë tanë nuk do të duhej të ishin përfshirë në këtë luftë, por do të duhej të kishin diçka përpara vetes, e ne nuk kemi as një shtëpi të rinisë në Kosovë! Unë jam ballkanas, shqiptar i Kosovës, nga një familje muslimane e deklaruar, por pa praktikë islame të të jetuarit. Kam diçka nga islami në sjelljet e mija dhe mënyrën e të menduarit tim, siç kam edhe nga filmat e Hollywood-it. Në fund të fundit jam njeri i kësaj bote, pse i duhet patjetër dikujt të më fusë në korniza e korniza, pafundësisht korniza që të mund të më pranojë? Pranomëni si një njeri të lirë, që i paska rënë të lind e të rritet në këtë pjesë të botës, që ka këtë kulturë që ka, dhe unë do të jem shoku juaj. 

Nga Rron Gjinovci

* Publikuar nga autori, qëndrimet e shprehura nuk përfaqësojnë domosdoshmërisht linjën editoriale të redaksisë tonë