Të ruajmë dinjitetin e birit të Ademit

Shumë herë kemi dëgjuar se Islami është fe e cila ka për qëllim ta mbroj njeriun dhe njerëzimin.  Mirëpo çka në fakt do të thotë kjo? Qëllimi është që në radhë të parë të forcohet natyra njerëzore dhe dinjiteti i tij. Gjithashtu,  qëllimi i kësaj feje është ta udhëheq njeriun të ketë  qëllime të larta fetare dhe të vendos drejtësinë në botë. Që nga ditët e para të misionit pejgamberik, Islami si një botëkuptim mahniti shumicën e atyre që ishin viktima të një sistemi skllavërues, dhe ishin të parët që i besuan Muhamedit, sepse në Islam njohën universalitetin e kërkesave të drejta të cilat e drejtojnë njeriun drejtë një jete të lumtur, me të drejta të barabarta për jetë, pasuri, fe dhe familje.

Nuk ka dyshim se kjo botë kalimtare është një fushë ku krijohet njerëzorja. Kështu formohen raporte diversiteti me njerëzit dhe botën. Pra, njeriu gjithmonë është në raporte të ndryshme, sepse ai personalitetin dhe të drejtën e tij e realizon në bazë të raporteve të domosdoshme. Sot, në rrethanat e botës moderne, gjithnjë e më shumë po dëshmohet se dinjiteti njerëzore po shkelet në mënyra të ndryshme edhe pse Krijuesi i çdo gjëje, Allahu i Madhërishëm në Kuran përmend se dinjiteti u është dhënë të gjithë njerëzve: “Ne vërtet nderuam pasardhësit e Ademit (njerëzit), u mundësuam të udhëtojnë hipur në tokë e në det, i begatuam me ushqime të mira, i vlerësuam ata (i lartësuam) ndaj shumicës së krijesave që Ne i krijuam.” (Isra, 70).

Sipas ajeteve kuranore kjo nënkupton paqen, sigurinë dhe lirinë në kuptimin më të gjerë të fjalës, ku çdo musliman duhet të kujdeset për tjetrin, të jetë kundër të gjitha veprimeve që kërcënojnë lirinë, paqen dhe dinjitetin e njeriut. Në lidhje me këtë, Muhamedi a.s në fjalimin e tij të fundit në haxhin lamtumirës nga vendi më i mirë na la amanet të mos shkelim dinjitetin e asnjë njeriu dhe të ruajmë nderin e çdo personaliteti: Frikësohuni Allahut dhe respektonie Atë. Bëhuni të njerëzishëm e të drejtë ndaj vetës e ndaj të tjerëve. Ruani, respektoni dhe nderoni vlerën e dinjitetit njerëzor.

Në lidhje me këtë kemi edhe hadithin  ku transmetohet se Ebu Musa El-Eshari ka thënë: “Sahabët e pyetën  pejgamberin a.s: “O i dërguari i Allahut kush është muslimani më i mirë? Ndërsa ai tha: “Është ai prej gjuhës dhe dorës së të cilit janë të qetë muslimanët e tjerë. (Sahihu-l-buhari)

Njeriu është vepër madhështore e Zotit

Nëpërmjet këtij hadithi dhe haditheve tjera nënkuptohet çdo personalitet dhe dinjitet njerëzorë, qoftë ai fetar, politik apo natyrorë.  Pra, hadithi në fjalë thekson faktin se muslimani nuk guxon të jetë prej atyre që do të fëlliq dinjitetin njerëzorë dhe t’ia mohoj njeriut lirinë dhe sigurinë. Muslimani në jetën e përditshme duhet të ndihmoj njerëzit, të mbroj jetën, pasurinë, nderin dhe dinjitetin e tyre, sepse të gjitha këto janë vepra që zbulojnë qëllimin final të krijimit të tyre.

Pra, sipas hadithit,  muslimani më i mirë është ai i cili u mundëson dhe i nxit njerëzit tjerë që nëpërmjet lirisë dhe sigurisë të ndërtojnë një jetë më të lartë shpirtërore, çka është qëllimi përfundimtarë i jetës së njeriut. Nga  ana tjetër, çdo devijim nga këto kërkesa pejgamberike do të thotë se ke bërë mëkat dhe sheriati ka caktuar sanksione të duhura.

Në fjalimin e tij në Arafat i Dërguari i Allahut s.a.v.s. na paralajmëron për dënimin e atyre që shkelin dinjitetin e njeriut: “Njeriu është një krijesë madhështore e Allahut (kush njeh veten ka njohur Krijuesin) dhe mjerë për atë i cili shkel nderin dhe dinjitetin e një krijese  të Allahut.”

Abdullah ibn Amr ibn As thotë: “E pashë Pejgamberin s.a.v.s. duke bërë tavaf rreth Qabesë dhe thoshte: “Sa e bukur që je dhe sa e bukur është aroma jote. Sa je madhështore dhe sa i lartë është vendi yt te Allahu. Pasha Allahun e Madhërishëm, nderi i besimtarit te Allahu është më i madh se nderi yt, oj Qabe. Pasuria e tij, gjaku i tij, dhe të mos të mendohet ndryshe vetëm mirë. Pasha Allahun, prishja e Qabesë, gur për gur, është mëkat më i vogël te Allahu se të fyesh nderin e mu’minit – besimtarit apo derdhja e gjakut të tij.” (Ibn Maxhe).

Të analizojmë për një moment fjalët e Muahmedit a.s ku thotë se nderi i besimtarit është më i madh se nderi i Qabesë. Sa do të duhej ta duam, respektojmë dhe të kujdesemi për nderin e çdo besimtari për të qenë afër nderit dhe respektit të Qabesë? Andaj është koha të mos e nëpërkëmbim nderin dhe dinjitetin e birit të Ademit.

Përshtati: Arsim Dauti

(Islampress)

Artikulli paraprakFuqia e vërtetë është fuqia e zemrës
Artikulli vijuesNëse dëshiron të pranohen lutjet, mos e kthe lypësin nga dera