Tejemumi (pastrimi me dhé, rërë)
http://mjekesia-profetike.com/forum/index.php
Allahu i Lartëmadhëruar ka caktuar që pastrimi ritual të bëhet me ujë, të cilin e ka krijuar për ne. Nëse mund të gjendet uji, atëherë është detyrë dhe domosdoshmëri që pastrimi të bëhet me të, por ka edhe raste që uji s’mund të gjendet, të gjendet por s’mund të merret, ose të gjendet dhe të merret, por s’mund të përdoret për arsye të ndryshme.
Në një rast të tillë Allahu ka caktuar një zëvendësues, i cili është tejemumi me dhé (ose rërë). Kjo bëhet që ta heqë sikletin prej robërve të Tij dhe t’ua lehtësojë barrën e gjetjes së ujit me çdo kusht, për pasojë humbjes së namazit.
Allahu i Madhëruar thotë: “O ju të cilët keni besuar! Nëse çoheni për falje (namaz), atëherë lani fytyrat tuaja, duart tuaja deri te bërrylat, fshini (me duar të lagura) kokat tuaja dhe (lani) këmbët tuaja deri në nyje. Nëse jeni xhunub atëherë lahuni (me gúsul). E nëse jeni të sëmurë, ose në udhëtim, ose keni kryer nevojat (natyrale, personale), ose keni kryer marrëdhënie me gratë (tuaja) dhe nuk gjeni ujë, atëherë fshihuni (merrni tejemum) me dhé (rërë, pluhur, etj.) të pastër, duke fshirë fytyrat dhe duart tuaja. Allahu nuk do që t’ju vërë në mundim, por do që t’ju pastrojë dhe t’jua plotësojë juve begatitë e Veta, ashtu që ju ta falënderoni Atë.”[1]
Tejemum në kuptimin etimologjik do të thotë qëllim, synim. Në terminologjinë fetare do të thotë fshirje e fytyrës dhe duarve me dhé (rërë etj.) në një formë të veçantë.
Si në Kuran, po ashtu edhe në hadithe të Profetit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të), përmendet tejemumi, këtë e mbështet edhe Ixhmaja. Tejemumi është një veçori e umetit të Muhamedit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të). Asnjë umet tjetër nuk e ka pasur atë. Zoti ia dha umetit tonë që ta lehtësojë dhe ta përmbushë fenë tonë.
Përcillet në “Sahihët”, dy librat e haditheve autentike, se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Më janë dhënë pesë gjëra që nuk i janë dhënë askujt më parë: më frikësohet armiku një muaj rrugë larg, më është bërë toka e pastër për t’u falur dhe për tejemum…, prandaj nëse dikë nga umeti (populli) im e zë koha e faljes, le të falet (kudo qoftë).”[2]
Tejemumi është zëvendësuesi i pastrimit me ujë, kur ky i fundit nuk gjendet, prandaj ai vlen për çka vlen edhe abdesi: për t’u falur, për të lexuar Kuran, për të bërë tauaf (rrotullim rreth Kabes) etj. Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Na është bërë dheu (i tokës) pastrues (për pastërtinë rituale).”[3]
Rastet kur tejemumi zëvendëson ujin janë:
1- Kur nuk gjendet uji.
Për këtë argument është ajeti: “…e nëse s’gjeni ujë, merrni tejemum.”, qoftë gjatë udhëtimit apo në vendbanim.
2- Nëse ka ujë, por duhet për të pirë ose gatim për njerëzit apo kafshët e transportit që ata mund të kenë me vete dhe nuk është i mjaftueshëm të përdoret edhe për abdes ose gúsul.
3- Nëse njeriu druhet se përdorimi i ujit mund t’i shkaktojë ndonjë sëmundje (në kohë të ftohtë, etj.), ose do t’i vonojë shërimin, sepse ajeti thotë: “…nëse jeni të sëmurë… merrni tejemum”.
4- Nëse uji është shumë i ftohtë për t’u përdorur dhe nuk mund të ngrohet.
Allahu thotë: “Mos e vrisni veten tuaj.”[4]
5- Nëse njeriu është i sëmurë dhe nuk mund të arrijë ta marrë ujin ose nuk ka ndonjë pranë që ta ndihmojë.
Në këto raste merr tejemum dhe falet normalisht. Nëse gjen shumë pak ujë, lan sa të mundet nga gjymtyrët e abdesit dhe për pjesën tjetër merr tejemum, sepse Allahu thotë: “E bindjuni Allahut sa të mundeni.”[5]
Nëse ka ndonjë plagë të cilën e dëmton larja apo fshirja me ujë, lan pjesët e tjera dhe për pjesët e plagës merr tejemum sipas ajetit: “Mos e vrisni veten tuaj.”
Kur plaga nuk dëmtohet nga fshirja me ujë, fshin mes’h mbi fasho dhe s’është nevoja për tejemum.
§ Tejemumi lejohet me ç’ka mbi tokë si dheu, rëra, pluhuri i trashë etj. Ky është më i sakti nga mendimet e dijetarëve, për arsye të ajetit që përmendëm në fillim të temës dhe se Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) dhe shokët e tij, nëse i zinte koha e namazit, merrnin tejemum me çka të gjenin mbi tokë e s’merrnin me vete dhé.
Mënyra e marrjes së tejemumit.
Preket dheu me pëllëmbët e dy duarve me gishtat të hapur e të ndarë nga njëri-tjetri, pastaj me pjesën e gishtave fshihet fytyra dhe me pjesën e brendshme të pëllëmbëve fshihen duart para e prapa, deri mbi kyçe. Fshirja duhet ta përshkojë mirë fytyrën dhe duart.
Çka e prish tejemumin.
Tejemumin e prish çdo gjë që prish abdesin dhe e bën gúsulin të detyrueshëm, sepse për mënyrën lehtësuese të pastrimit gjykohet njësoj si për mënyrat fillestare (që në rastin tonë janë abdesi dhe gúsuli).
Gjithashtu tejemumin e prish gjetja e ujit ose përfundimi i arsyes (sëmundjes etj.) për të cilën u krye ai në vend të abdesit ose gúsulit.
Nëse ndokush s’gjen dot as ujë e as dhé, ose arrin deri në atë gradë sa s’mund ta prekë lëkurën e tij me ujë ose me dhé, mund të falet ashtu si është, pa abdes apo tejemum, sepse Allahu nuk e ngarkon njeriun më shumë sesa mundet. Në këtë rast nuk e përsërit namazin më vonë në një gjendje më të mirë, sepse Allahu thotë: “Bindjuni (me frikë) Allahut, sa të mundeni” dhe Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) thotë: “Nëse ju jap një urdhër, zbatojeni sa të mundeni.”
Këto janë gjykimet e tejemumit, e nëse ke ndonjë gjë ende të paqartë, duhet të pyesësh njerëzit e ditur, duke mos e anashkaluar, sepse kjo ka të bëjë me faljen, që është shtylla e Islamit dhe kjo gjë është shumë e rëndësishme.
Allahu na drejtoftë të gjithëve kah e drejta në vepra e fjalë dhe punën tonë ta bëjë të sinqertë vetëm për Të! Ai është Dëgjuesi që u përgjigjet lutjeve.
[1] Maideh, 6.
[2] Mutefekun alejhi.
[3] Muslimi.
[4] Nisaë, 29.
[5] Tegabun, 16.