Tension në Lazarat, qëllohet mbi forcat e policisë

Lazarati rikthehet në qendër të vëmendjes.
 
Pas raportimeve të para pak ditëve se droga e këtij fshati vazhdon të shitet jashtë vendit, mësohet se katër persona të armatosur kanë qëlluar mbi policinë në këtë fshat.
 
Policia bën të ditur se nuk ka të lënduar nga kjo ngjarje.
 
Në lagjen Lënxatë, rreth orës 21.00, katër persona të armatosur nga Lazarati, të cilët qarkullonin me një automjet Mitsubishi me targa false, janë përplasur me armë me forcat e policisë së Gjirokastrës, të cilat ishin duke patrulluar në lagjet e fshatit.
 
Patrulla e policisë i ka dhënë shenjë të ndalojnë, por drejtuesi i automjetit nuk ka ndaluar. Policia është vënë në ndjekje dhe personat që ndodheshin në automjet kanë hapur zjarr në drejtim të forcave të policisë. Më pas, kanë brakisur mjetin dhe janë futur në brendësi të fshatit.
 
Në ndihmë të forcave të policisë kanë shkuar edhe forcat e FNSH-së.
 
Automjeti është sekuestruar dhe brenda tij u gjet një armë zjarri, një fenelinë policie, gëzhoja e prova të tjera. Në afërsi të automjetit u gjet një automatik me fishek në gojë.
 
Në këto momente po “krihen” të gjitha lagjet e fshatit Lazarat nga RENEA dhe FNSH.
Artikulli paraprakDëshmitari: 250 mijë euro për vrasjen e Xhavit Halitit
Artikulli vijuesEskalon situata në Frankfurt, protesta të dhunshme (Foto)